Jakobi (Zanafilla 27:1 – 36:43)


1. Jakobi e mashtron Esaun (Kapitulli 27)

27:1-22 Kanë kaluar afërsisht 37 vjet që nga ngjarjet e kapitullit të mëparshëm. Isaku është tashmë 137 vjeç, shikimi e kishte lënë dhe mendon se i ka ardhur dita e vdekjes, mbase vëllai i tij Ismael kishte vdekur në atë kohë (Zanafilla 25:17). Por ai do të jetojë edhe tridhjetë e tre vjet më shumë.

Kur Isaku dëshiroi pak mish kaprolli nga Esau, duke i premtuar se do t’i jepte bekimin, Rebeka kurdisi një përbetim për të mashtruar të shoqin dhe të merrte bekimin për Jakobin që e donte. Mashtrimi i saj nuk ishte i domosdoshëm, sepse Perëndia tashmë ia kishte premtuar bekimet Jakobit (Zanafilla 25:23b). Ajo gatoi mish keci që të dukej si mish kaprolli i shijshëm dhe vuri lëkurën e kecit në krahët e Jakobit në mënyrë që t’i ngjante Esaut leshtor. Isaku bëri gabim që u besoi ndjenjave të tij; krahët leshtorë «ngjanin» si të Esaut. Ne nuk duhet t’u besojmë ndjenjave tona në çështjet frymërore. Ashtu siç ka vëzhguar Martin Luteri:

Sepse ndjenjat vijnë dhe shkojnë, dhe ndjenjat të mashtrojnë;
siguria ime është Fjala e Perëndisë;
asgjë tjetër s’ia vlen të besojmë [1].

Megjithëse Rebeka e planifikoi mashtrimin, Jakobi ishte po aq fajtor për kryerjen e tij. Dhe ai korri atë që mbolli. Mekintoshi ( C.H. Mackintosh) ka vëzhguar:

kushdo që vëzhgon jetën e Jakobit, pasi ka përfituar nga bekimi i të atit, do të kuptojë se ai gëzoi shumë pak lumturi nga bota. Vëllai i tij e ndoqi për ta vrarë; për ta shmangur atë ai ishte i detyruar të largohej nga shtëpia e të atit; xhaxhai i tij Labanoja e mashtroi…. Ai ishte i detyruar të largohej nga ai në mënyrë klandestine…. Ai përjetoi përuljen e birit të tij Ruben […] mashtrimin dhe mizorinë e Simoenit dhe Levit ndaj sikemitëve; pastaj iu desh të përjetonte humbjen e gruas së tij të dashur […] ai vuajti nga humbja e Jozefit; dhe mbi të gjitha, ai u detyrua nga zia e bukës për të shkuar në Egjipt dhe atje vdiq në një vend të huaj… [2].

27:23-29 Isaku e bekoi Jakobin me begati, sundim dhe mbrojtje. Është interesante se bekimet e dhëna nga etërit kanë qenë profetike; ato u përmbushën fjalë për fjalë, sepse, me kuptimin e vërtetë të fjalës, këta njerëz folën të frymëzuar.

27:30-40 Kur Esau u kthye dhe mori vesh për mashtrimin, ai e kërkoi bekimin me lot në sy. Por bekimi i ishte dhënë Jakobit dhe nuk mund të kthehej mbrapsht (Heb. 12:16,17). Megjithatë Isaku pati një fjalë për Esaun, si vijon:

Ti do të jetosh larg tokës së pasur në tokë, larg dhe nga vesa që zbret nga lartësia e qiellit; ti do të jetosh me shpatën tënde dhe do t’i shërbesh vëllait tënd; por kur do të luftosh, do ta thyesh zgjedhën e tij nga qafa jote (v. 39,40 – Moffatt).

Kjo hedh idenë se edomitët do të jetonin në vende të shkreta, do të ishin luftëtarë, do t’u nënshtroheshin izraelitëve, por një ditë do t’i rebeloheshin këtij sundimi. Kjo profeci e fundit u përmbush në mbretërimin e Joramit, Mbretit të Judës (2 i Mbreterve 8:20-22).

27:41-46 Esau planifikoi të vristevëllain e tij Jakob sapo të vdiste i ati dhe të përfundonte periudha e zisë. Kur Rebeka e mori vesh, i tha Jakobit të shkonte te shtëpia e vëllait të saj Labano në Haran. Ajo kishte frikë se jo vetëm do t’i vritej Jakobi, por edhe Esau do të largohej dhe do të vritej nga gjakmarrja dhe do t’i humbiste të dy bijtë njëkohësisht. Megjithatë, për t’ia shpjeguar Isakut nisjen e Jakobit, ajo i tha se kishte frikë se mos Jakobi do të martohej me një hitite, ashtu si Esau. Jakobi shpresonte të kthehej shpejt, por kjo nuk do të ndodhte për të paktën njëzet vjet. Ati i tij do të ishte ende në jetë, por e ëma jo.

2. Lufta e Jakobit ndaj Haranit (Kapitulli 28)

28:1-9 Isaku thirri Jakobin, e bekoi dhe e dërgoi në Padan-Aram, një zonë në Mesopotami, kështu që ai mund të gjente një grua midis njerëzve të nënës së tij sesa midis kanaanitëve. Kjo e frymëzoi Esaun që të përpiqej të rifitonte bekimin e të atit duke u martuar me të bijën e Ismaelit. Ishte një rast keqbërjeje (marrja e shumë grave) që të vinte e mira.

28:10-19Bethel Jakobi pati një ëndërr të mrekullueshme në të cilën pa një shkallë që vinte nga toka për në qiell. Kjo hedh idenë «e faktit të një përbashkësie të vërtetë të pandërprerë dhe të ngushtë midis qiellit e tokës dhe në mënyrë të veçantë midis Perëndisë në lavdinë e Tij dhe njeriut në vetminë e tij» [3]. Në takimin e Tij me Natanielin Zoti Jezus e përmendi dukshëm këtë ndodhi dhe e lidhi atë me Ardhjen e Tij të Dytë dhe lavdinë mijëvjeçare (Gjoni 1:51). Por besimtarët edhe tani mund të shijojnë përbashkësi në çdo kohë me Zotin. Në atë kohë kur zemra e Jakobit ishte e mbushur me keqardhje për të shkuarën, vetmi për të tashmen dhe pasiguri për të ardhmen, Perëndia në mënyrë të hirshme bëri një besëlidhje me të ashtu si me Abrahamin dhe Isakun. Vini re premtimin e shoqërisë: «Unë jam me ty»; e sigurisë: «Unë do të të mbroj kudo që të vesh»; e drejtimit: «dhe do të të sjell përsëri në këtë vend»; dhe të sigurisë vetjake: «nuk do të të braktis para se të bëj atë që të kam thënë». I vetëdijshëm se kishte takuar Perëndinë atje, Jakobi e ndryshoi emrin e vendit nga Luc (ndarje) në Bethel (shtëpia e Perëndisë).

«Para Bethelit, ku Jakobi “u kap nga gëzimi” dhe “iu mor fryma nga frika”, ai nuk kishte pasur lidhje vetjake me Perëndinë. Çdo gjë i kishte ardhur nëpërmjet të tjerëve» (Shënime të përditshmeScriptures Union).

28:20-22 Më pas Jakobi shihet duke bërë pazar me Perëndinë. Ai po diskutonte për më pak nga çfarë i kishte premtuar Perëndia (v. 14). Besimi i tij nuk ishte aq i fortë sa t’i besonte Perëndisë menjëherë, kështu që iu desh të caktonte të dhjetën si kusht të përmbushjes së Perëndisë si pjesa e Tij e marrëveshjes. Një interpretim tjetër është se «në qoftë se» thjesht është një pjesë e qenësishme e tërë betimeve hebraike dhe se Jakobi po lidhte veten për të dhënë të dhjetën pa kushte (shikoni Num. 21:2; Gjyqtaret 11:30,31 dhe 1 i Samuelit 1:11 për betime të ngjashme hebraike).

3. Jakobi, gratë dhe pasardhësi i tij (Zanafilla 29:1-30:24)

29:1-14 Jakobi ishte shtatëdhjetë e shtatë vjeç kur u largua nga Beer-Sheba për në Haran. Ai do të kalonte njëzet vjet duke i shërbyer xhaxhait të tij Labano, tridhjetë e tre vjet në Kanaan dhe shtatëmbëdhjetë vitet e fundit të jetës së tij në Egjipt. Duke mbërritur në Padan-Aram, ai u drejtua në një arë ku disa barinj nga Harani mblidhnin kopetë e tyre. Aq e përsosur ishte kohëmatja e Perëndisë saqë Rakela po mbërrinte me kopenë e saj kur Jakobi po fliste me barinjtë. Duke qenë një bari i mirë, Jakobi po çuditej se pse po prisnin te pusi kur kishte ende ditë për të ushqyer delet. Ata i shpjeguan se nuk e hiqnin kapakun e pusit derisa të mbërrinin tërë kopetë. Ishte një çast emocional për Jakobin kur takoi kushërirën e tij Rakela dhe për Labanon pak më vonë kur takoi nipin e tij Jakob.

29:15-35 Labanoja pranoi t’i japë Rakelën Jakobit në këmbim të shtatë viteve pune. Vitet iu dukën Jakobit pak ditë sepse e dashuronte. Kështu duhet të jetë në shërbimin tonë për Zotin.

Lea ishte me sy të perënduar dhe jotërheqëse. Rakela ishte e pashme.

Sipas zakonit, nusja duhej të shkonte te dhëndri natën e martesës, e mbuluar me shami dhe mbase kur dhoma ishte e errët. Ju mund ta imagjinoni se sa i zemëruar ishte Jakobi në mëngjes kur pa se gruaja e tij ishte Lea! Labanoja ia kishte punuar, por u shfajësua me faktin se vajza e madhe duhej të martohej e para sipas zakonit të atij vendi. Pastaj Labanoja tha: «Mbaro javën e kësaj (pra, të qëndronte i martuar me Lean) dhe do të japim edhe tjetrën (Rakelën), për shërbimin që do të më bësh për shtatë vjet të tjera». Në fund të festës së gjatë javore Jakobi u martua me Rakelën, pastaj shërbeu edhe shtatë vjet të tjera për të. Jakobi kishte mbjellë mashtrim dhe tani atë po korrte! Kur Zoti pa se Lea urrehej (pra, dashurohej më pak se Rakela) Ai e shpërbleu duke i dhënë fëmijë. Ligji i shpërblimit hyjnor qëndron ende: njerëzve që u mungon diçka në një fushë u jepet diçka më tepër në një fushë tjetër. Lea e pranoi Zotin kur u vuri emrin fëmijëve të saj (v. 32,33,35). Nga ajo vjen priftëria (Levi), pasardhja mbretërore (Juda) dhe së fundi Krishti. Në këtë kapitull kemi katër bijtë e parë të Jakobit. Lista e plotë e bijve të Jakobit është si vijon:

Bijtë që lindi Lea:

Rubeni – (ja, një djalë, Zanafilla 29:32),
Simeoni – (dëgjim, Zanafilla 29:33),
Levi – (i bashkuar, Zanafilla 29:34),
Juda – (lëvdim, Zanafilla 29:35),
Isakari – (shpërblim, Zanafilla 30:18),
Zabuloni – (banues, Zanafilla 30:20).

Bijtë që u lindën nga Bilhahu, shërbyesja e Rakelës:

Dani – (gjykatës, Zanafilla 30:6),
Neftali – (mundje, Zanafilla 30:8).

Bijtë e lindur nga Zilpahu, shërbyese e Leas:

Gadi – (shans apo fat i mirë, Zanafilla 30:11),
Asheri – (i lumtur, Zanafilla 30:13).

Bijtë e lindur nga Rakela:

Jozefi – (shtim, Zanafilla 30:24),
Beniamini – (bir i krahut të djathtë, Zanafilla 35:18).

30:1-13 Në dëshpërim e sipër se nuk kishte një fëmijë që luante në këmbët e saj, Rakela i dha shërbyesene saj, Bilhah, Jakobit si grua apo konkubinë. Edhe pse këto gjëra ishin të zakonshme në ato ditë, ishin në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë. Bilhahu i dha dy bij, Danin dhe Neftalin. Që të mos kalohej nga Rakela, Lea i dha shërbyesen e saj, Zilpah, Jakobit, dhe iu lindën dy bij të tjerë, Gadi dhe Asheri.

30:14-24 Mandragoragjeti Rubeni ishte një lloj molle dashurie, e cila sipas bestytnive e largonte shterpësinë. Meqë Rakela ishte shterpë, mezi priste të kishte disa mandragora. Në këmbim ajo pranoi të lejonte Lean që të jetonte si grua me Jakobin (për ndonjë arsye të pashpjegueshme Lea kishte humbur privilegjin e saj si grua). Pas kësaj Lea lindi edhe dy bij të tjerë – Isakarin dhe Zabulonin – dhe gjithashtu një vajzë, Dinën. Në fund Rakela lindi birin e saj të parë që ia vuri emrin Jozef, duke shprehur besimin se Perëndia do t’i jepte edhe një bir tjetër.

4. Jakobi ia hedh me dredhi Labanos (Zanafilla 30:25-43)

30:25-36 Kur Jakobi i tha Labanos se donte të kthehej në shtëpinë e tij në Kanaan, xhaxhai i tij e nxiti të qëndronte. Labanoja i tha se kishte prekur me dorë se Zoti e kishte bekuar për shkak të Jakobit dhe ai do t’i caktonte pagën që dëshironte nëse do të qëndronte. Jakobi pranoi të vazhdonte të shërbente nëse Labanoja do t’i jepte atij të gjitha kafshët laramane dhe pikalarme, të gjithë qingjat e zinj dhe të gjitha dhitë lara-lara ose pika-pika. Tërë kafshët e tjera në kope do të quheshin të Labanos. Ky i fundit ra dakord duke thënë: «Mirë, le të bëhet ashtu si thua ti!». Labanoja mori pjesën më të madhe të kafshëve të caktuara Jakobit dhe ua dha bijve të tij për t’i kullotur, duke menduar se do të riprodhoheshin me njolla që tregonin se i përkisnin Jakobit. Ai ia besoi kafshët Jakobit, duke i ndarë nga bijtë e tij me një udhëtim treditor. Kjo bënte të pamundur që kafshët me njolla në kopetë e kullotura nga bijtë e Labanos të ngjizeshin me kafshët pa njolla të Labanos që kulloteshin nga Jakobi.

30:37-43 Kur ishte koha e ngjizjes së kopesë së Labanos, Jakobi vendoste purtekat që kishte zhvoshkur para tyre, tek ato që ishin me ngjyrë të fortë apo me njolla. Qengjat apo shqerrat pillnin vija-vija, lara-lara dhe pika pika. Kjo, sigurisht, nënkuptonte se i përkisnin Jakobit. A përcaktojnë këto purteka njollat e kafshëve? Ato mund të kenë qenë ose jo një bazë shkencore për metodën e përdorur (Provat e reja gjenetike hedhin idenë se mund të ketë qenë e vërtetë). Si mund të shpjegohet ndryshe që të kenë lindur me njollat që Jakobi dëshironte?

Së pari, mund të ketë qenë një mrekulli (shikoni Zanafilla 31:12).

Ose mund të ketë qenë një dredhi e zgjuar e Jakobit. Ka tregues në rrëfim se ai e njihte shkencën e ngjizjes përzgjedhëse. Me anë të ngjizjes së kujdesshme ai jo vetëm prodhoi kafshë me njollat e dëshiruara, por ishte i zoti të prodhonte kafshë më të forta për vete dhe më të dobëta për Labanon. Mbase purtekat e zhvoshkura ishin vetëm një dredhi për t’ia fshehur sekretet e tij të ngjizjes të tjerëve. Cilido qoftë shpjegimi, pasuria e Jakobit u shtua gjatë gjashtë viteve të fundit që i shërbeu Labanos.

5. Kthimi i Jakobit në Kanaan (Kapitulli 31)

31:1-18 Pasi Jakobi zbuloi se Labanoja dhe bijtë e tij bëheshin xhelozë dhe inatçinj, Zoti i tha atij se kishte ardhur koha të kthehej në Kanaan. Më së pari Jakobi thirri Rakelën dhe Lean dhe e diskutoi çështjen, duke rrëfyer me hollësi se si Labanoja e kishte mashtruar dhe e kishte ndryshuar pagesën e tij dhjetë herë, se si e kishte drejtuar Perëndia në mënyrë që kopetë gjithmonë të pillnin në favor të tij, se si Perëndia i kishte kujtuar betimin që kishte bërë njëzet vjet më parë (Zanafilla 28:20-22) dhe se si Zoti i kishte thënë të kthehej në Kanaan. Gratë e tij pranuan se babai i tyre nuk e kishte trajtuar me të drejtë dhe ato duhet të largoheshin.

Grifit Tomës (Griffith Thomas) tregon disa parime interesante për të dalluar drejtimin e Perëndisë këtu. Së pari, Jakobi kishte një dëshirë (Zanafilla 30:25). Së dyti, rrethanat e bënin të domosdoshëm një farë ndryshimi. Së treti, fjala e Perëndisë iu drejtua fuqishëm. Dhe së fundi, pati mbështetje miratuese nga gratë e tij, pavarësisht nga lidhja e tyre natyrore me Labanon [4]. Vini re se Engjëlli i Perëndisë (v. 11) është Perëndia i Bethelit (v. 13).

31:19-21 Para nisjes së fshehtë Rakela vodhi idhujt e të atit dhe i fshehu në samarin e devesë. Zotërimi i këtyre perëndive të shtëpisë nënkupton udhëheqje në familje dhe, në rastin e një vajze të martuar, i siguronte burrit të saj të drejtën e pasurisë së babait [5]. Meqë Labanoja kishte bijtë e tij kur Jakobi u largua për në Kanaan, vetëm ata kishin të drejtën e terafimit [idhujt] të babait të tyre. Vjedhja e Rakelës ishte një çështje serioze, që kishte si qëllim ruajtjen për burrin e saj të titullit më të lartë të pasurisë së Labanos.

31:22-30 Kur Labanoja mësoi për nisjen e tyre, ai me njerëzit e tij e ndoqi shtatë ditë rrugë, por Zoti e paralajmëroi në një ëndërr që të mos e shqetësonte Jakobin dhe varganin e tij. Kur më në fund ai e arriti, ai vetëm u ankua se i ishte mohuar privilegji që nuk u kishte dhënë atyre një përcjellje mbretërore dhe që idhujt e tij ishin vjedhur.

31:31-35 Ankimit të parë Jakobi iu përgjigj se ishte larguar në fshehtësi nga frika se Labanoja do t’i merrte me forcë bijat e tij (Rakelën dhe Lean). Ndaj ankimit të dytë, ai mohoi se i kishte vjedhur idhujt dhe me ashpërsi shpalli vdekje për fajtorin. Labanoja bëri një kontroll të varganit, por më kot. Rakela ishte ulur mbi to dhe e përligji veten që nuk ngrihej dot nga samari i devesë për të nderuar të atin për shkak të periudhave mujore – të paktën kështu tha ajo.

31:36-42 Tani ishte radha e Jakobit të zemërohej. Ai e qortoi Labanon se e kishte paditur për vjedhje dhe ishte sjellë me të shumë pandershmërisht për njëzet vjet, pavarësisht nga shërbimi besnik dhe bujar i Jakobit. Kjo pjesë zbulon se Jakobi ishte një punëtor i madh dhe se bekimi i Zotit ishte mbi të në gjithçka bëri. A jemi ne besnikë ndaj punëdhënësve tanë? A qëndron mbi punën tonë bekimi i Perëndisë?

31:43-50 Labanoja e shmangu padinë duke protestuar me ngashërim se ai nuk do t’u bënte keq vajzave të tij, nipërve apo gjësë së gjallë, pastaj hodhi idenë se duhej të bënin një marrëveshje. Ajo nuk ishte një besëlidhje e hirshme, miqësore, duke i kërkuar Zotit t’i ruante ndërsa do të ndaheshin. Për më tepër ishte një kontratë midis dy mashtruesve. D.m.th., ata i kërkuan Zotit që të siguronte se ata bënë atë që duhej kur të mos e shikonin më njëri-tjetrin! Në fakt ishte një trajtim joagresiv, por gjithashtu e detyroi Jakobin të mos sillej me vajzat e Labanos me ashpërsi apo të martohej me gra të tjera. Labanoja e quajti togun e gurëve Jegar-Sahadutha, një shprehje aramaike. Jakobi e quajti Galed, një fjalë hebraike. Të dyja nënkuptojnë «togu i dëshmisë». Asnjëri nuk duhej të kalonte atë tog gurësh për të sulmuar njëri-tjetrin.

31:51-55 Labanoja u betua në emër të Perëndisë së Abrahamit dhe Perëndisë së Nahorit, Perëndisë së atit të tyre, Terahut. Shkrimi me shkronja të mëdha i Perëndisë në versionin NKJV (gjithashtu Moffatt, NIV etj.) tregon se përkthyesit menduan se Labanoja po i referohej Perëndisë së vetëm të vërtetë që njohu Abrahami. Megjithatë, meqë hebraishtja nuk e përdor dallimin e shkronjave të mëdha e të vogla, nuk mund të themi me siguri nëse Labanoja foli për perënditë pagane që këta njerëz kishin adhuruar në Ur apo jo. Jakobi u betua për Tmerrin e Isakut, atit të tij – që do të thotë, në emër të Perëndisë që Isaku pati frikë. Jakobi në fillim bëri një fli, pastaj shtroi një gosti për tërë të pranishmit dhe e kaluan natën në mal.

Labanoja […] herët në mëngjes, i puthi nipërit dhe bijat dhe u kthye në shtëpi.

6. Pajtimi i Jakobit dhe Esaut (Kapitujt 32,33)

32:1-8 Në rrugën për në Kanaan Jakobi takoi një mori engjëjsh dhe e quajti vendin Mahanaim (dy ushtri apo fushim i dyfishtë). Dy fushimet mund të jenë ushtria e Perëndisë (v. 2) dhe turma e Jakobit. Ose dy moritë mund të jenë një shprehje figurative e një shumice të madhe (v. 10). Ndërsa Jakobi iu afrua vendit, kujtoi vëllanë e tij, Esau, dhe pati frikë për hakmarrjen e tij. A do të ishte ende Esau i zemëruar nga mënyra se si i ishte marrë bekimi me mashtrim? Më së pari, i dërgoi para tij disa lajmëtarë vëllait të tij Esau me urime paqeje. Pastaj kur dëgjoi se Esau po vinte të takohej me të me një turmë prej katërqind burrash, ai u tmerrua aq shumë saqë ndau dysh familjen e tij, në mënyrë që nëse grupi i parë të vritej, të ikte i dyti.

32:9-12 Lutja e Jakobit doli nga një ndjenjë e dëshpëruar nevoje për mbrojtje hyjnore. Ajo mbështetej në faktin e veçorive të besëlidhjes që Zoti kishte bërë me të dhe etërit e tij dhe qe një lutje që u bë në përulësinë e shpirtit. Ai e mbështeti lutjen e tij në fjalën e Zotit dhe përmendi premtimet e Perëndisë.

Lutja më e mirë vjen nga një domosdoshmëri e fortë. Me anë të sistemeve të sigurisë njerëzore ne shpesh e mbrojmë veten nga një jetë lutjeje dinamike. Pse bëjmë kaq gabim?

32:13-21 Pastaj Jakobi dërgoi tri kope kafshësh njëra pas tjetrës prej 580 krerësh si dhuratë për Esaun, duke shpresuar ta qetësonte. Esau do t’i merrte dhuratat në tri faza. Këto lëvizje të Jakobit treguan mosbesimin e tij apo të paktën një përzierje besimi me mosbesimin.

32:22-32 Pasi dërgoi familjen e tij rreth përroit të Jabbokut (ai do të boshatisë), Jakobi e kaloi natën vetëm në Peniel, gjë që do të ishte një ndër përvojat më të mëdha në jetën e tij. Një burrë luftoi me të. Ai Burrë ishte një engjëll (Ose. 12:4), Engjëlli i Jehovait, Vetë Zoti. Zoti përdrodhi zgavrën e ijës së Jakobit, duke e bërë që të çalonte tërë jetën. Edhe pse Jakobi u mund fizikisht, siguroi një fitore të madhe frymërore. Ai mësoi të triumfonte nëpërmjet mundjes dhe të ishte i fortë në dobësi. I zhveshur nga vetja dhe nga besimi në zgjuarsinë e vet, rrëfeu se ishte Jakobi, një zëvendësues, një «njeri mashtrues». Perëndia i ndryshoi emrin Izrael (përkthyer në mënyra të ndryshme «Perëndia sundon», «ai që zihet me Perëndinë», ose «princ i Perëndisë»). Jakobi e quajti atë vend Peniel (fytyra e Perëndisë), sepse kuptoi se kishte parë Zotin. Pfeiferi (Pfeiffer) tregon se vargu 32 është ende i vërtetë midis judenjve sot:

Nervi shiatik, apo vena e kofshës, duhet të hiqet nga kafsha e therur, para se pjesa e kafshës të përgatitet për ngrënie nga judenjtë ortodoksë [6].

33:1-11 Ndërsa Esau u afrua Jakobi u tërhoq me një sjellje plot frikë dhe krejt të natyrshme, duke rregulluar familjen e tij në mënyrë të tillë që të kishte mbrojtjen më të lartë për ata që donte më tepër. Jakobi u përkul deri në tokë shtatë herë derisa iu afrua vëllait të vet. Esau, nga dhembshuria, u qetësua, u ngroh dhe u mallëngjye kur takoi së pari Jakobin, më pas gratë e tij dhe fëmijët. Ai ngriti zërin së tepërmi për dhuratën e tepruar të bagëtive, por në fund e pranoi. Jakobi u duk sikur tregoi servilizëm të tepërt ndaj vëllait të vet, duke e quajtur veten shërbëtor. Disa mendojnë se ai kaloi në lëvdata dhe teprim duke i thënë Esaut se duke parë fytyrën e tij ishte sikur të kishte parë Perëndinë. Të tjerë mendojnë se fytyra e Perëndisë këtu nënkupton fytyrën e pajtuar.

33:12-17 Kur Esau hodhi idenë se duhej të udhëtonin bashkërisht, Jakobi tha se do të ishte e pamundur për shkak të hapave të ngadalta që bënin fëmijët e tij dhe kafshët e vogla. Jakobi premtoi se do ta takonte Esaun në Seir (Edom), edhe pse nuk e kishte ndërmend. Edhe kur Esau u përpoq të linte pas disa njerëz të tij që të udhëtonin me familjen e Jakobit, ky i fundit nuk e pranoi ofertën, pa treguar arsyet e vërteta – frika dhe dyshimi.

33:18-20 Në vend që të udhëtonte në jug drejt malit të Seirit, Jakobi shkoi në veriperëndim. Sapo mbërriti në Sikem dhe u vendos aty, ngriti një altar që (ka gjasa) e quajti El-Elohej-Izrael (Perëndia, Perëndia i Izraelit). Njëzet vjet më parë, kur Perëndia i ishte shfaqur në Bethel, Jakobi ishte betuar që Zoti do të ishte Perëndia i tij, që ai do t’i jepte të dhjetën e pasurisë së tij Zotit dhe se do ta caktonte Bethelin shtëpinë e Perëndisë (Zanafilla 28:20-22). Tani, në vend që të kthehej në Bethel, ai u vendos 48 km larg në zonën shterpë të Sikemit, mbase për të mirën e bagëtisë së tij (Sikemi përfaqëson botën). Perëndia nuk i flet atij drejtpërdrejt deri disa vite më vonë, kur Ai e thërret Jakobin të përmbushë betimin e tij (kapitulli 35). Ndërkohë ndodhin ngjarjet tragjike të kapitullit 34.

7. Mëkatet në Sikem (Kapitulli 34)

34:1-12 Emri i Perëndisë nuk përmendet në këtë kapitull. Ndërsa Jakobi dhe familja e tij jetonin në Sikem, Dina, vajza e tij u lidh me gratë pagane, duke hapur një shteg në ndarjen nga të paperëndishmit. Një herë, Sikemi, biri i Hamorit, e përdhunoi atë, pastaj dëshiroi së tepërmi të martohej me të. Duke kuptuar se Jakobi dhe bijtë e tij ishin të zemëruar, Hamori propozoi një zgjidhje paqësore: martesa midis izraelitëve dhe kanaanitëve dhe të drejta të plota për izraelitët si qytetarë të vendit (vargu 9 mund të shihet si një ndër përpjekjet e Satanit për të ndotur pasardhjen e perëndishme). Sikemi gjithashtu ofroi të paguante çfarëdolloj paje të madhe dhe dhurate që kërkohej.

34:13-24 Bijtë e Jakobit nuk kishin si qëllim t’ia jepnin Dinën Sikemit, por gënjyen se do ta bënin një gjë të tillë nëse burrat e qytetit do të rrethpriteshin. Shenja e shenjtë e besëlidhjes së Perëndisë do të përdorej me ligësi. Duke u besuar, Hamori, Sikemidhe të gjithë burrat e qytetit të tyre pranuan kushtin.

34:25-31 Por ndërsa sikemitët po mjekoheshin nga prerja, Simeoni dhe Levi me dredhi i vranë dhe morën pasuritë e tyre. Kur Jakobi u drejtoi një qortim të ashpër, Simeoni dhe Levi u përgjigjën se motra e tyre nuk duhej të trajtohej si një prostitutë. Jakobi dukej se shqetësohej më fort për pasurinë e tij sesa për padrejtësinë e tmerrshme që iu bë njerëzve të Sikemit. Vini re shtatë përdorimet e përemrave në vetën e parë në vargun 30.

8. Kthimi në Bethel (Kapitulli 35)

35:1-8 Kapitulli 35 hapet me urdhrin e Perëndisë drejtuar Jakobit për të mbajtur zotimin që kishte bërë rreth tridhjetë vjet më parë (Zanafilla 28:20-22). Zoti përdori ngjarjen tragjike të kapitullit të mëparshëm për të përgatitur patriarkun që të mbante zotimin. Vini re se Perëndia përmendet rreth njëzet herë në këtë kapitull, në dallim nga referimet e kapitullit 34. Para se t’i bindej urdhrit të Perëndisë për t’u kthyer në Bethel, Jakobi në fillim urdhëron familjen e tij të hiqnin nga rrethi i tyre perënditë e huaja të shtëpisë dhe të vishnin rroba të pastra. Sapo bënë një gjë të tillë, ata u bënë tmerri i fqinjëve paganë. Ishte e udhës që Jakobi të ndërtonte një altar në «El-Bethel» dhe të adhuronte Perëndinë që e kishte mbrojtur nga i vëllai, Esau.

35:9-15 Përsëri Perëndia pohoi se emri i Jakobit është tashmë Izrael dhe ripërtëriu besëlidhjen që kishte bërë me Abrahamin dhe Isakun. Patriarku e shënoi vendin e shenjtë me një përmendore dhe përsëri ia vuri emrin atij vendi Bethel.

35:16-20 Ndërsa familja e Jakobit u nis në jug nga Betheli […]Rakelavdiq ndërsa po lindte. Ajo ia kishte vënë emrin fëmijës Ben-Oni (biri i brengës sime), por Jakobi e quajti birin e tij të dymbëdhjetë Beniamin (bir i krahut të tij të djathtë). Këta dy emra parafytyrojnë vuajtjet e Krishtit dhe lavditë që do të vijojnë. Vendi tradicional (por mbase jo i vërteti) i varrit të Rakelës mund të jetë ende në rrugën nga Jerusalemi për në Betlem. Pse nuk u varros ajo me Abrahamin, Sarën dhe Rebekën në varrin e Hebronit? Mbase ngaqë kishte sjellë idhuj në familje.

35:21-29 Fillon me një përmendje të shkurtër të mëkatit të Rubenit që shkoi me Bilhah, konkubinën e atit të tij, një mëkat për të cilin humbi të drejtën e parëbirnisë (Zanafilla 49:3,4). Bijtë e Jakobit ishin dymbëdhjetë. Dy vargjet e tjera rendisin dymbëdhjetë bijtë e tij. Edhe pse thotë në vargun 26 se këta bij iu lindën Jakobit në Padan-Aram, Beniamini (v. 24) bën përjashtim. Ai u lind në Kanaan (v. 16-19). Jakobi u kthye në Hebron në kohë për të parë Isakun, të atin, para se të vdiste. Nëna e tij, Rebeka, kishte vdekur disa vjet më parë. Tri funerale regjistrohen në këtë kapitull: ai i Deborës, tajës së Rebekës (v. 8); Rakelës (v. 19) dhe Isakut (v. 29).

9. Pasardhësit e vëllait të Jakobit, Esaut (Kapitulli 36)

36:1-30 Kapitulli 36 i kushtohet pasardhësve të Esaut, që banoi në vendin e Edomit, në juglindje të Detit të Vdekur. Gjenealogjia përfaqëson përmbushjen e premtimit se Esau do të ishte kreu i kombeve (Zanafilla 25:23). Esau pati tri apo katër gra, që varet nëse disa nga gratë e tij kanë pasur dy emra (krahasoni Zanafilla 26:34; 28:9; 36:2,3). Në vargun 24 Anahu gjeti ujë (ose «burime të nxehta», NASB).

36:31-43 Moisiu, autori i Zanafillës, e dinte zbulimin hyjnor (shikoni Zanafilla 35:11) se Izraeli do të kishte më pas një mbret. Ashtu siç janë paraqitur shtatë breza të paperëndishëm të Kainit në kapitullin 4, po kështu shtatë breza mbretërish në gjenealogjinë e paperëndishme të Esaut janë përmendur këtu në vargjet 33-39. Shtatë, numri i plotësisë, mbase tregon tërë gjenealogjinë. Asnjë nga pasardhësit e Esaut nuk përmendet në regjistrin e Perëndisë të njerëzve besnikë; të gjithë kanë humbur në zymtësinë e atyre që largohen nga Perëndia i gjallë. Ata kanë pasuri të përkohshme dhe famën kalimtare të kësaj bote, por asgjë për përjetësinë.




Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. Martin Luther, nuk janë të mundura të dhëna të mëtejshme. ↵ Kthehu mbrapa
  2. (27:1-22) Mackintosh, Genesis to Deuteronomy, f. 114. ↵ Kthehu mbrapa
  3. (28:10-19) H. D. M. Spence dhe J. S. Exell, “Genesis” në The Pulpit Commentary, f. 349, 350. ↵ Kthehu mbrapa
  4. W. H. Griffith Thomas, Genesis: A Devotional Commentary, f. 288. ↵ Kthehu mbrapa
  5. (31:19-21) Unger, Bible Dictionary, f. 550. ↵ Kthehu mbrapa
  6. Pfeiffer, Genesis, f. 80. ↵ Kthehu mbrapa