1 Gjonit 3

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Bijtë e Perëndisë

3:1 Shikoni ç`dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë. Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur atë.

3:2 Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç`do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai.

3:3 Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai.

3:4 Kush bën mëkat, bën edhe shkelje të ligjit; dhe mëkati është shkelje e ligjit.

3:5 Dhe ju e dini se ai u shfaq për të hequr mëkatet tona; dhe në të nuk ka mëkat.

3:6 Kush qëndron në të nuk mëkaton; kush mëkaton nuk e ka parë dhe as nuk e ka njohur.

3:7 Djema, kurrkush mos ju mashtroftë: ai që zbaton drejtësinë është i drejtë, ashtu sikur është i drejtë ai.

3:8 Kush kryen mëkat është nga djalli, sepse djalli mëkaton nga fillimi; prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit.

3:9 Kush lindi nga Perëndia nuk kryen mëkat, sepse fara e Perëndisë qëndron në të dhe nuk mund të mëkatojë sepse lindi nga Perëndia.

3:10 Prej kësaj njihen bijtë e Perëndisë dhe bijtë e djallit; kushdo që nuk praktikon drejtësinë nuk është nga Perëndia, dhe i tillë nuk është as ai që nuk do vëllanë e vet.

3:11 Sepse ky është mesazhi që dëgjuat nga fillimi. Ta duam njeri-tjetrin,

3:12 jo sikundër Kaini, i cili ishte nga i ligu dhe vrau vëllanë e vet. Dhe për çfarë arësye e vrau atë? Sepse veprat e tij ishin të liga dhe ato të të vëllait ishin të drejta.

3:13 Mos u çuditni, vëllezër të mi, nëse bota ju urren.

3:14 Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit; kush nuk e do vëllanë e vet, mbetet në vdekje.

3:15 Kushdo që urren vëllanë e vet është vrasës; dhe ju e dini se asnjë vrasës nuk ka jetë të përjetshme të qëndrueshme në vete.

3:16 Nga kjo e kemi njohur dashurinë: ai e dha jetën e vet për ne; dhe ne duhet ta japim jetën tonë për vëllezërit.

3:17 Dhe nëse njëri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh të vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë?

3:18 Djema të rinj, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra dhe në të vërtetë.

3:19 Dhe nga kjo ne dimë se jemi në të vërtetën dhe do t`i bindim zemrat tona para atij;

3:20 sepse, po të na dënojë zemra jonë, Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh çdo gjë.

3:21 Shumë të dashur, nëse zemra jonë nuk na dënon, kemi siguri para Perëndisë;

3:22 dhe ç`të kërkojmë, e marrim nga ai, sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që janë të pëlqyera prej tij.

3:23 Dhe ky është urdhërimi i tij që besojmë në emrin e Birit të tij Jezu Krisht dhe ta duam njeri-tjetrin si na urdhëroi ai.

3:24 Ai që zbaton urdhërimet e tij qëndron në Perëndinë, dhe Ai në të; dhe prej kësaj ne dijmë se ai qëndron në ne: nga Fryma që ai na dha.