BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Drejtimi dhe përshëndetjet
1:1 Pjetri, apostull i Jezu Krishtit, të zgjedhurve që rrijnë në diasporën e Pontit, të Galatisë, të Kapadokisë, të Azisë dhe të Bitinisë,
1:2 të zgjedhurve sipas paranjohjes së Perëndisë, Atit, me anë të shenjtërimit të Frymës, për t`u bindur dhe për t`u spërkatur me gjakun e Jezu Krishtit; hiri dhe paqja u shtoftë mbi ju.
Veprimet e hirit për shpresën e shpëtimit
1:3 Qoftë bekuar Perëndia edhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, i cili me anë të mëshirës së tij të madhe na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish,
1:4 për një trashëgim të paprishshëm, të panjollë dhe të pafishkur, që është ruajtur në qiejt për ju,
1:5 që nga fuqia e Perëndisë me anë të besimit jeni të ruajtur, për shpëtimin gati për t`u zbuluar në kohët e fundit.
1:6 Për këtë gëzohuni, ndonëse, në qoftë se duhet, për pak kohë, tani duhet të trishtoheni nga prova të ndryshme,
1:7 që prova e besimit tuaj, që është shumë më i çmuar nga ari që prishet, edhe pse provohet me zjarr, të dalë për lëvdim, nder e lavdi në zbulesën e Jezu Krishtit,
1:8 të cilin, megjithëse ju nuk e keni parë, e doni, duke besuar në të, megithëse tani nuk e shihni, dhe ngazëllohuni nga një hare e patregueshme dhe e lavdishme,
1:9 duke arritur përmbushjen e besimit tuaj, shpëtimin e shpirtrave.
1:10 Për këtë shpëtim kërkuan dhe hetuan profetët që profetizuan nga hirin për ju,
1:11 duke kërkuar të njohin kohën dhe rrethanat që tregonte Fryma e Krishtit që ishte në ta, dhe që dëshmonte që më parë për vuajtjet që do të vinin mbi Krishtin dhe për lavditë që do të pasonin.
1:12 Dhe atyre iu zbulua se ata i administronin jo për vete, po për ne, ato gjëra që po ju rrëfehen tani nga ata që ju kanë predikuar ungjillin, me anë të Frymës së Shenjtë të dërguar nga qielli; gjëra të cilat engjëjt dëshirojnë t`i vëzhgojnë.
Thirrje për shenjtërim
1:13 Prandaj, ngjeshni ijët e mendjes suaj, rrini zgjuar dhe mbani shpresë të plotë në hirin që do vijë mbi ju në zbulesën e Jezu Krishtit.
1:14 Si bij të bindur, mos iu përshtatni lakmive të mëparshme kur ishit në padijen tuaj,
1:15 por ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj,
1:16 sepse është shkruar: “Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë“.
1:17 Dhe në qoftë se thërrisni si Atë atë që, pa favorizuar njeri, gjykon sipas veprës së gjithsecilit, kalojeni kohën e shtegtimit tuaj mbi dhe me frikë,
1:18 duke ditur se jo me anë gjërash që prishen, si argjendi ose ari, jeni shpenguar nga mënyra e kotë e të jetuarit të trashëguar nga etërit,
1:19 por nga gjaku i çmuar i Krishtit, si të Qengjit të patëmetë dhe të panjollë,
1:20 të paranjohur përpara krijimit të botës, por të shfaqur kohët e fundit për ju,
1:21 që, nëpërmjet tij, të besoni në Perëndinë që e ringjalli prej së vdekurish dhe i dha lavdi, që besimi juaj dhe shpresa të jenë në Perëndinë.
1:22 Mbasi të pastroni shpirtrat tuaj me bindjen ndaj së vërtetës me anë të Frymës, për të pasur një dashuri vëllazërore pa hipokrizi, të doni fort njeri tjetrin me zemër të pastër,
1:23 sepse jeni ringjizur jo nga një farë që prishet, por që nuk prishet, me anë të fjalës së Perëndisë së gjallë dhe që mbetet përjetë.
1:24 Sepse çdo mish është si bari dhe çdo lavdi njeriu si lule e barit; bari thahet dhe lulja bie,
1:25 por fjala e Zotit mbetet përjetë, dhe kjo është fjala që ju është shpallur.