BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Lutje për të gjithë njerëzit
2:1 Të bëj thirrje, pra, para së gjithash, që të bëhen përgjërime, lutje, ndërhyrje dhe falënderime për të gjithë njerëzit,
2:2 për mbretërit e për të gjithë ata që janë në pushtet, që të mund të shkojmë një jetë të qetë dhe të paqtë me çdo perëndishmëri dhe nder.
2:3 Sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyer përpara Perëndisë, Shpëtimtarit tonë,
2:4 i cili dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t`ia arrijnë njohjes të së vërtetës.
2:5 Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri,
2:6 i cili e dha veten si çmim për të gjithë, për dëshmim në kohën e caktuar,
2:7 për të cilin unë u vura predikues dhe apostull (them të vërtetën në Krisht, nuk gënjej), mësues i johebrenjve në besim dhe në të vërtetë.
2:8 Dua, pra, që burrat të luten në çdo vend, duke ngritur duar të pastra, pa mëri dhe pa grindje.
2:9 Në mënyrë të njëjtë dua që edhe gratë, të vishen hijshëm, me cipë dhe modesti dhe jo me gërsheta a me ar, a me margaritarë, a me rroba të shtrenjta,
2:10 po me vepra të mira, si u ka hije grave që i kushtohen perëndishmëri.
2:11 Gruaja le të mësojë në heshtje dhe me çdo nënshtrim.
2:12 Nuk e lejoj gruan që të mësojë, as të përdori pushtet mbi burrin, por të rrijë në heshtje.
2:13 Në fakt së pari u formua Adami dhe më pas Eva.
2:14 Dhe nuk u gënjye Adami, por gruaja u gënjye dhe ra në shkelje.
2:15 Megjithatë ajo do të shpëtohet duke lindur fëmijë, në qoftë se do të qëndrojnë në besim, në dashuri dhe në shenjtërim me modesti.