1 Timoteut 6

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Detyrat e shërbëtorëve

6:1 Të gjithë skllevërit që janë nën zgjedhë le t`i çmojnë zotërinjtë e tyre të denjë për çdo nderim, që të mos shuhen emri i Perëndisë dhe doktrina.

6:2 Edhe ata që i kanë zotërinjtë besimtarë, të mos i përbuzin sepse janë vëllezër, por t`u shërbejnë edhe më mirë, sepse ata që kanë dobi nga shërbimi i tyre janë besimtarë dhe të dashur. Mëso këto gjëra dhe i këshillo.

Këshilla dhe thirrje të përgjithshme; përfundime

6:3 Në qoftë se dikush mëson një doktrinë tjetër dhe nuk ndjek fjalët e shëndosha të Zotit tonë Jezu Krisht dhe doktrinën sipas perëndishmërisë,

6:4 ai mbahet më të madh dhe nuk di asgjë, por vuan nga sëmundja e grindjes dhe e të zënit me fjalë, prej nga lindin smira, grindja, të sharat, dyshimet e këqija,

6:5 debatet e kota të njerëzve me mendje të prishur dhe të shterur nga e vërteta, sepse mendojnë se perëndishmëria është burim fitimi; largohu prej këtyre.

6:6 Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka.

6:7 Sepse ne nuk kemi asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete;

6:8 por, kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq.

6:9 Por ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim.

6:10 Sepse lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave dhe, duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e depërtuan veten e tyre në shumë dhimbje.

6:11 Por ti, o njeriu i Perëndisë, hiq dorë nga këto dhe ndiq drejtësinë, perëndishmërinë, besimin, dashurinë, zemërgjerësinë dhe zemërbutësinë.

6:12 Lufto luftën e drejtë të besimit, rrok jetën e përjetshme, në të cilën u thirre dhe për të cilën ke bërë rrëfimin e mirë të besimit përpara shumë dëshmitarëve.

6:13 Po të përgjërohem përpara Perëndisë që u jep jetë të gjitha gjërave dhe të Krishtit Jezus, i cili, duke dëshmuar përpara Ponc Pilatit, dhe një dëshmi të mirë besimi,

6:14 ta ruash këtë urdhërim pa njolla e te meta, derisa të shfaqet Zoti ynë Jezu Krisht,

6:15 që, në kohën e caktuar, do ta tregojë i lumi e i vetmi sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotërve,

6:16 ai që i vetmi e ka pavdekësinë dhe rri në dritë të paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë; atij i qoftë nderi dhe pushteti i përjetshëm. Amen.

6:17 Porositi të pasurit e kësaj bote të mos jenë krenarë, dhe të mos i mbajnë shpresat në pasurinë që është e pasigurt, por në Perëndinë e gjallë, i cili na jep gjithçka bujarisht për ta gëzuar,

6:18 të bëjnë të mira, të bëhen të pasur në vepra të mira, të jenë bujarë dhe të gatshëm për të dhënë,

6:19 duke mbledhur si thesar një themel të mirë për të ardhmen, për të arritur jetën e përjetshme.

6:20 O Timote, ruaj atë që të është besuar, duke u shmangur nga fjalët e kota dhe profane dhe nga kundërshtimet e asaj që quhet në mënyrë të rreme shkencë,

6:21 të cilën e përqafuan disa dhe dolën nga besimi. Hiri qoftë me ty! Amen!