BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Drejtim dhe përshëndetje
1:1 Pali, apostull i Jezu Krishtit nëpërmjet vullnetin e Perëndisë, dhe vëllai Timote, kishës së Perëndisë që është në Korint, bashkë me gjithë shenjtorët që janë në gjithë Akainë:
1:2 Paçi hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.
Falënderime për ngushëllimet prej Perëndisë
1:3 Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i të mëshirëve dhe Perëndia e çdo ngushëllimi,
1:4 i cili na ngushëllon në çdo shtrëngim tonin, që, nëpërmjet ngushëllimit me të cilin ne jemi ngushëlluar nga Perëndia, të mund të ngushëllojmë ata që janë në çfarëdo shtrëngimi.
1:5 Sepse, ashtu si ndër ne teprojnë vuajtjet e Krishtit, po ashtu, nëpërmjet Jezu Krishtit, tepron edhe ngushëllimi ynë.
1:6 Dhe, nëse jemi të pikëlluar, kjo ndodh për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj; nëse jemi të ngushëlluar, kjo ndodh për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj, që veprojnë në mënyrë të efektshme që të duroni të njëjtat vuajtje që heqim edhe neve.
1:7 Edhe shpresa jonë për ju është e patundur, duke ditur se ashtu siç jeni pjesëmarrës në mundime, kështu do të jeni pjesëmarrës edhe në ngushëllim.
1:8 Sepse nuk duam, o vëllezër, që të mos dini për vështirësinë që na ngjau në Azi, që u rënduam përtej fuqive tona, aq sa u dëshpëruam edhe për jetën vetë.
1:9 Për më tepër ne e kishim në veten tonë vendimin e vdekjes, që të mos besonim në veten tonë, por në Perëndinë që ringjall të vdekurit,
1:10 i cili na ka çliruar dhe na çliron nga një vdekje kaq e madhe, dhe tek i cili ne shpresojmë se do të na çlirojë edhe më,
1:11 me ndihmën tuaj me anë të lutjeve për ne, që shumë njerëz të falënderojnë për dhuntinë e hirit që do të na jepet me anë të lutjeve të shumë njerëzve.
Arsyet e vonesës së Palit për të vizituar Korintin
1:12 Mburrja jonë, në fakt, është kjo: dëshmimi i ndërgjegjes sonë se ne jemi sjellë me thjeshtësinë dhe sinqeritetin e Perën-disë në botë dhe sidomos përpara jush, jo me dituri mishi, por me hirin e Perëndisë.
1:13 Sepse ne nuk ju shkruajmë të tjera gjëra, përveç atyre që ju mund të lexoni dhe të kuptoni; dhe unë shpresoj se do t`i kuptoni deri në fund;
1:14 sikurse i keni kuptuar tanimë deri diku, se ne jemi mburrja juaj, sikurse edhe ju do të jeni mburrja jonë, në ditën e Jezu Krishtit.
1:15 Dhe me këtë siguri unë doja të vija te ju më përpara që të kishit një vepër të mirë të dytë,
1:16 dhe, nga ju të shkoja në Maqedoni, dhe përsëri nga Maqedonia të vija te ju dhe ju të më përcillnit në Jude.
1:17 Kur mora këtë vendim, vallë mos kam vepruar me mendjelehtësi? Apo ato që unë vendos, i vendos sipas mishit, që të jetë tek unë po, po dhe jo, jo?
1:18 Por Perëndia është besnik; fjala jonë ndaj jush nuk ka qenë po dhe jo.
1:19 Sepse Biri i Perëndisë, Jezu Krisht, që u predikua ndër ju nga ne, pra, nga unë, nga Silvani dhe nga Timoteu, nuk ka qenë "po" dhe "jo", por ka qenë "po" në atë.
1:20 Sepse të gjitha premtimet e Perëndisë janë në atë "po" dhe në atë "amen", për lavdi të Perëndisë nëpërmjet nesh.
1:21 Edhe ai që na themelon neve bashkë me ju në Krishtin dhe na vajosi është Perëndia,
1:22 i cili edhe na vulosi dhe na dha kaparin e Frymës në zemrat tona.
1:23 Dhe unë e thërres Perëndinë për dëshmitar mbi jetën time që, për t`ju kursyer, nuk kam ardhur ende në Korint.
1:24 Jo se kemi pushtet mbi besimin tuaj, por jemi bashkëpunëtorët e gëzimit tuaj, sepse për shkak të besimit ju qëndroni të patundur.