2 Korintasve 11

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Apostujt e rremë

11:1 Oh, sa do të dëshiroja që ju të duronit pak marrëzi me mua! Po në fakt, ju më duroni.

11:2 Jam xheloz për ju me xhelozinë e Perëndisë, sepse ju fejova me një burrë, që t`ju nxjerr para Krishtit si virgjëreshë të dlirë.

11:3 Por druaj se, ashtu si gjarpëri e gënjeu Evën me dinakërinë e tij, kështu edhe mendja juaj të mos prishet duke u shmangur nga thjeshtësia ndaj Krishtit.

11:4 Sepse, po të vinte dikush dhe t`ju predikonte një Jezus tjetër, që ne nuk e kemi predikuar, ose, po të merrnit një frymë tjetër që nuk e keni marrë, ose një ungjill tjetër që nuk e keni pranuar, do ta duronit fort mirë.

11:5 Unë mendoj se nuk kam qenë aspak më poshtë nga apostujt më të shquar.

11:6 Dhe, megjithëse jam i thjeshtë në të folur, nuk jam i tillë në dituri; madje me të gjitha mënyrat dhe në të gjitha gjërat jua kemi treguar.

11:7 Mos vallë bëra mëkat duke e ulur veten time që të lartoheni ju, sepse ju kam predikuar falas ungjillin e Perëndisë?

11:8 Unë shfyrtësova kishat e tjera, duke marrë një rrogë që t`ju shërbej juve.

11:9 Dhe, kur isha midis jush dhe isha nevojtar, nuk iu bëra barrë askujt; sepse nevojat e mia i plotësuan vëllezërit që erdhën nga Maqedonia; dhe në çdo gjë u ruajta që të mos ju bëhem barrë ju, edhe për të ardhmen do të ruhem.

11:10 Duke qenë se e vërteta e Krishtit është në mua, kjo mburrje, përsa më përket mua, nuk do të më ndalohet në vendet e Akaisë.

11:11 Pse? Ndoshta sepse nuk ju dua? Perëndia e di.

11:12 Por atë që bëj, do ta bëj përsëri, që t`u pres çdo shkas atyre që duan shkas, që ata të gjenden si edhe ne, në atë gjë, për të cilën mburren.

11:13 Të tillë apostuj të rremë, janë punëtorë hileqarë, që shndërrohen në apostuj të Krishtit.

11:14 Dhe nuk është për t`u çuditur, sepse Satanai vet shndërrohet në engjëll drite.

11:15 Nuk është, pra, gjë e madhe, nëse edhe punëtorët e tij shndërrohen në punëtorë (marrin trajtën e punëtorëve) të drejtësisë, fundi i të cilëve do të jetë sipas veprave të tyre.

Vuajtjet apostolike të Palit

11:16 Po e them përsëri: Askush të mos mendojë se jam i marrë; në mos, më pranoni edhe si të marrë, që edhe unë të mburrem pakëz.

11:17 Atë që po them në mburrjen e guximit tim, nuk po e them sipas Zotit, por në marrëzi.

11:18 Duke qenë se shumë vetë mburren sipas mishit, edhe unë do të mburrem.

11:19 Sepse ju që jeni të ditur, i duroni lehtë të marrët.

11:20 Sepse tashmë ju duroni, nëse dikush ju robëron, nëse dikush ju gllabëron, nëse dikush ju grabit, nëse dikush krenohet, nëse dikush ju godet në fytyrë.

11:21 Flas për turpin tim, sikurse ne të ishim të dobët; megjithatë në çdo gjë që dikush guxon, po flas si i marrë, marr guxim edhe unë.

11:22 Janë ata Hebrenj? Jam edhe unë! Janë ata Izraelitë? Jam edhe unë! janë ata pasardhës të Abrahamit? Jam edhe unë.

11:23 Janë ata shërbëtorë të Krishtit? Po flas si i pamend, unë jam edhe më tepër si këta; në mundime më tepër, në goditje më tepër, në burgje më tepër dhe shpesh në rrezik për vdekje.

11:24 Nga Judenjtë mora pesë herë nga dyzetë kamxhike pa një.

11:25 Tri herë më rrahën me shkopinj, një herë më qëlluan me gurë, tri herë m`u mbyt anija në det, kalova një ditë e një natë në humnerë.

11:26 Në udhëtime të shpeshta në rreziqe lumenjsh, në rreziqe kusarësh, në rrezik nga ana e bashkëtdhetarëve, rreziqe nga ana johebrenjve, rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë, rreziqe në det, rreziqe midis vëllezërve të rremë,

11:27 në lodhje e në mundim, në netët pa gjumë, në uri e në etje, shpesh herë në agjërime, në të ftohtë dhe në të zhveshur.

11:28 Përveç këtyre gjërave të jashtme, ajo që më mundon çdo ditë është kujdesja për të gjitha kishat.

11:29 Kush është i dobët, që të mos jem edhe unë? Kush është skandalizuar dhe unë të mos përvëlohem?

11:30 Në qoftë se duhet të mburrem, unë do të mburrem me ato që kanë të bëjnë me dobësinë time.

11:31 Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që është i bekuar përjetë, e di se unë nuk gënjej.

11:32 Në Damask, qeveritari i mbretit Areta e ruante qytetin e Damaskasve për të më zënë,

11:33 por nga një dritare më ulën përgjatë murit me një shportë, dhe shpëtova nga duart e tij.