BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Jezu Krishti: tema e predikimit
4:1 Prandaj, duke pasur këtë shërbim për mëshirën që na është bërë, ne nuk na lëshon zemra.
4:2 Ne kemi hequr dorë plotësisht nga gjërat e turpshme që bëhen në fshehtësi, duke mos ecur me dinakëri, duke mos falsifikuar aspak fjalën e Perëndisë, por duke shfaqur të vërtetën, ne ia rekomandojmë veten tonë ndërgjegjes së çdo njeriu përpara Perëndisë.
4:3 Dhe, në qoftë se ungjilli ynë është ende i mbuluar me vel, ai është i mbuluar për ata që humbin,
4:4 të cilëve perëndia i këtij shekulli ua verboi mendjet e atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë, të mos ndriçojë tek ata.
4:5 Sepse ne nuk predikojmë, pra, veten tonë, por Jezu Krishtin, Zotin, dhe jemi shërbëtorët tuaj për hir të Jezu Krishtit,
4:6 sepse Perëndia që tha: “Le të ndriçojë drita në errësirë“, është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për t`na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit.
4:7 Dhe ne e kemi këtë thesar në enë prej balte që epërsia pashoqe e kësaj fuqie të jetë nga Perëndia dhe jo nga ne.
4:8 Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuarderi në fund; jemi ndërdyshas por jo të dëshpëruar;
4:9 jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatëruar;
4:10 kurdo ne e mbajmë në trupin tonë vdekjen e Zotit Jezus, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë.
4:11 Ne që jetojmë, jemi vazhdimisht të dorëzuar në vdekje për Jezusin, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në mishin tonë të vdekshëm.
4:12 Dhe kështu tek ne vepron vdekja, ndërsa në ju jeta.
4:13 Por, duke pasur të njëjtën frymë besimi, sikurse është shkruar: “Unë besova, prandaj fola“, edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim,
4:14 duke ditur se ai që ringjalli Zotin Jezus, do të na ringjallë edhe ne nëpërmjet Jezusit dhe do të na paraqesë bashkë me ju.
4:15 Sepse të gjitha këto gjëra janë për ju, që hiri, duke arritur me anë të shumë personave, të prodhojë falenderim me tepri për lavdi të Zotit.
Vdekja, jeta dhe gjykimi
4:16 Prandaj nuk na lëshon zemra; por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë.
4:17 Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie;
4:18 ndërsa ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen janë të përjetshme.