2 Mbretërve 13

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Jehoahazi, mbret i Izraelit

13:1 Në vitin e njëzretetretë të Joasit, birit të Ashaziahut, mbret i Judës, Jehohazi, bir i Jehut, filloi të mbretërojë mbi Izrael në Samari, dhe mbretëroi shtatëmbëdhjetë vjet.

13:2 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe vijoi mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilët e kishte bërë Izraelin të kryente mëkate, dhe nuk u largua nga kjo rrugë.

13:3 Atëherë zemërimi i Zotit shpërtheu kundër Izraelit dhe i dorëzoi në duart e Hazaelit, mbretit të Sirisë, dhe në duart e Ben-Hadadit, birit të Hazaelit, për tërë atë kohë.

13:4 Por Jehohazi iu lut Zotit dhe Zoti e kënaqi, sepse pa shtypjen e Izraelit dhe se si mbreti i Sirisë i shtypte.

13:5 Prandaj Zoti i dha një çlirues Izraelit, dhe kështu banorët e tij mundën t`i shpëtojnë pushtetit të Sirëve; kështu bijtë e Izraelit mundën të banojnë në çadrat e tyre si në të kaluarën.

13:6 Megjithatë nuk u larguan nga mëkatet e shtëpisë së Jeroboamit me të cilat e kishin bërë të kryente mëkate Izraelin, por vazhduan në këtë rrugë; bile edhe Asherahu mbeti më këmbë në Samari.

13:7 Nga të gjitha trupat e Jehoahazit Zoti la vetëm pesëdhjetë kalorës, dhjetë qerre dhe dhjetë mijë këmbësorë, sepse mbreti i Sirisë i kishte shkatëruar dhe katandisur në pluhur për t`u shkelur.

13:8 Pjesa tjetër e bëmave të Jehoahazit, tërë atë që bëri dhe tërë trimëritë e tij a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit.

13:9 Kështu Jehoahazin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros në Samari. Në vend të tij mbretëroi i biri, Joasi.

Joasi, mbret i Izraelit

13:10 Në vitin e tridhjetë e shtatë të Joasit, mbretit të Judës, bir i Jehoahazit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari, dhe mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet.

13:11 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilat e kishte bërë të kryente mëkate Izraelin, por vazhdoi në këtë rrugë.

13:12 Pjesa tjetër e bëmave të Joasit, tërë atë që bëri dhe trimëria me të cilën luftoi kundër Amatsiahut, mbretit të Judës, a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

13:13 Kështu Joasin e zuri gjumi me etërit e tij dhe Jeroboami u ul mbi fronin e tij. Pastaj Joasi u varros në Samari me mbretërit e Izraelit.

Fitorja e Joasit mbi Sirët

13:14 Eliseu u sëmur nga ajo sëmundje prej së cilës duhet të vdiste; prandaj Joasi, mbret i Izraelit, erdhi ta shohë dhe qau mbi të, duke thënë: “O ati im, o ati im, qerrja e Izraelit dhe kalorësia e tij!”.

13:15 Atëherë Eliseu i tha: “Merr një hark dhe disa shigjeta”, ai mori një hark dhe disa shigjeta.

13:16 Eliseu i tha pastaj mbretit të Izraelit: “Rroke harkun”; ai e rroku dhe Eliseu vuri duart e tij mbi duart e mbretit.

13:17 Pastaj tha: “Hape dritaren nga lindja!”. Ai e hapi. Atëherë Eliseu tha: “Gjuaj!”. Ai gjuajti. Pas kësaj Eliseu i tha: “Shigjeta e fitores së Zotit dhe shigjeta e fitores kundër Sirëve, sepse ti do t`i mundësh Sirët në Afek deri sa t`i shfarosësh”.

13:18 Pastaj tha: “Merri shigjetat!”, dhe ai i mori. Eliseu i tha pastaj mbretit të Izraelit: “Rrihe tokën”; ai e rrahu tri herë dhe pastaj u ndal.

13:19 Por njeriu i Perëndisë u zemërua me të dhe i tha “Duhet ta kishe rrahur pesë ose gjashtë herë; atëherë do t`i kishe mundur Sirët deri sa t`i zhdukje fare; tani përkundrazi do t`i mundësh Sirët vetëm tri herë”.

Vdekja e Eliseut

13:20 Pastaj Eliseu vdiq dhe e varrosën. Në fillim të vitit vijues disa banda Moabitësh pushtuan vendin.

13:21 Por ndodhi që, ndërsa disa varrosnin një njeri, panë një bandë plaçkitësish; kështu e hodhën njeriun në varrin e Eliseut. Sa arriti ai të prekë kockat e Eliseut, u ringjall dhe u ngrit më këmbë.

13:22 Hazaeli, mbret i Sirisë, e shtypi Izraelin gjatë tërë jetës së Jehoahazit;

13:23 por Zoti i fali ata, i erdhi keq dhe u kthye me ta për shkak të besëlidhjes që kishte me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin; dhe këtë radhë nuk deshi t`i shkatërrojë apo t`i largojë nga prania e tij.

13:24 Pastaj vdiq Hazaeli, mbret i Sirisë, dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Ben-Hadadi.

13:25 Atëherë Joasi, bir i Jehoahazit rimori nga duart e Ben-Hadadit, birit të Hazaelit, qytetet që ai kishte marrë me luftë kundër Jehoahazit, atit të tij. Tri herë të mira Joasi e mundi dhe ripushtoi kështu qytetet e Izraelit.

[previous][next]