2 Mbretërve 19

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Isaia i jep zemër Ezekias

19:1 Kur mbreti Ezekia dëgjoi këto gjëra, grisi rrobat e tij, u mbulua me një thes dhe hyri në shtëpinë e Zotit.

19:2 Pastaj dërgoi Eliakimin, prefektin e pallatit, Shebnan, sekretarin, dhe pleqtë e priftërinjve, të mbuluar me thasë, te profeti Isaia, bir i Amotsit.

19:3 Ata i thanë: “Kështu thotë Ezekia: “Kjo është një ditë ankthi, ndëshkimesh dhe turpi, sepse bijtë janë duke lindur, por nuk ka forcë për t`i pjellë.

19:4 Ndofta Zoti, Perëndia yt, ka dëgjuar tërë fjalët e Rabshakehut, që mbreti i Asirisë, zotëria e tij, ka dërguar për të fyer Perëndinë e gjallë, dhe do ta dënojë për shkak të fjalëve që Zoti, Perëndia yt, ka dëgjuar. Larto, pra, një lutje për atë që mbetet akoma””.

19:5 Kështu shërbëtorët e mbretit Ezekia shkuan tek Isaia.

19:6 Dhe Isaia u tha atyre: “Këtë do t`i thoni zotërisë suaj: Kështu thotë Zoti: “Mos u tremb nga fjalët që dëgjove, me të cilat shërbëtorët e mbretit të Asirisë më kanë fyer.

19:7 Ja, unë do të dërgoj mbi të një frymë dhe sa të dëgjojë ndonjë lajm, do të kthehet në vendin e tij; dhe në vendin e tij unë do ta bëj që të bjerë nga shpata””.

19:8 Kështu Rabshakehu u kthye dhe e gjeti mbretin e Asirisë që rrethonte Libnahun, sepse kishte mësuar që ai qe nisur nga Lakishi.

19:9 Por ai mori lajme nga Tirhakahu, mbret i Etiopisë, të cilat thonin: “Ja, ai lëvizi për të luftuar kundër teje”. Atëherë i dërgoi përsëri lajmëtarë Ezekias, duke i thënë:

19:10 “Do t`i flisni kështu Ezekias, mbretit të Judës, duke i thënë: “Mos e lër që Perëndia yt, tek i cili ke besim, të të mashtrojë duke thënë: Jeruzalemi nuk do të jepet në duart e mbretit të Asirisë.

19:11 Ja, ti ke dëgjuar atë që mbretërit e Asirisë u kanë bërë tërë vendeve, duke vendosur shkatërrimin e tyre. A do të shpëtoje ti vetëm?

19:12 A i kanë çliruar, vallë perënditë e kombeve ata që etërit e mi kanë shkatërruar: Gozanin, Haranin, Retsefin dhe bijtë e Edenit që ishin në Telasar?

19:13 Ku janë mbreti i Hamathit, mbret i Arpadit dhe mbreti i qytetit të Sefarvaimit, të Henas dhe të Ivahut?”.

Lutja e Ezekias

19:14 Ezekia e mori letrën nga duart e lajmëtarëve dhe e lexoi; pastaj shkoi në shtëpinë e Zotit dhe e shtriu para Zotit.

19:15 Pastaj Ezekia filloi të lutet para Zotit duke thënë: “O Zot, Perëndia i Izraelit, që ulesh mbi kerubinët, ti je Perëndia, i vetmi, i të tëra mbretërive të tokës. Ti ke bërë qiejtë dhe tokën.

19:16 Vër veshin, o Zot, dhe dëgjo; hap sytë, o Zot, dhe shiko! Dëgjo fjalët e Senakeribit, që ka dërguar këtë njeri për të fyer Perëndinë e gjallë!

19:17 Éshtë e vërtetë, o Zot, që mbretërit e Asirisë kanë shkatërruar kombet dhe vendet e larta,

19:18 kanë hedhur në zjarr perënditë e tyre, sepse ato ishin perëndi, por vepër e duarve të njerëzve, dru dhe gur; prandaj i shkatërruan.

19:19 Por tani, o Zot, na shpëto, të lutem, nga duart e tij, me qëllim që tërë mbretëritë e tokës të dinë që ti vetëm, o Zot, je Perëndia”.

Përgjigja e Zotit nëpërmjet Isaias

19:20 Atëherë Isaia, bir i Amotsit, dërgoi t`i thotë Ezekias: “Kështu flet Zoti, Perëndi i Izraelit: “Dëgjova lutjen që ti me drejtove për Senakeribin, mbretin e Asirisë.

19:21 Kjo është fjala që Zoti ka shqiptuar kundër atij: Bija e virgjër e Sionit të përbuz dhe tallet me ty; bija e Jeruzalemit tund kokën prapa teje.

19:22 Cilin ke fyer dhe poshtëruar? Kundër kujt ke ngritur zërin dhe sytë me arogancë? Kundër të Shenjtit të Izraelit!

19:23 Me anë të lajmëtarëve të tu ke fyer Zotin dhe ke thënë: “Me morinë e qerreve të mia kam hipur në majë të maleve në skutat e Libanit. Do të rrëzoj kedrat e tij më të larta dhe qiparisat e tij më të bukur; do të arrij në strehimin e tij më të thellë, në pjesën më të harlisur të pyllit.

19:24 Unë kam gërmuar dhe kam pirë ujëra të huaja; me shputën e këmbëve të mia kam tharë tërë lumenjtë e Egjiptit”.

19:25 A nuk ke dëgjuar, vallë, që prej një kohe të gjatë kam përgatitur këtë gjë dhe prej kohërave të lashta e kam hartuar planin? Dhe tani e solla punën që të ndodhë kjo: që ti t`i katandisësh në një grumbull gërmadhash qytetet e fortifikuara.

19:26 Prandaj banorët e tyre të cilëve u mungonte forca, ishin tmerruar dhe e kishin humbur torruan; ishin si bari i fushave, si bari i blertë, si bari mbi çatitë, që digjet para se të rritet.

19:27 Por unë e di se si ulesh, si del dhe si hyn dhe bile tërbimin tënd kundër meje.

19:28 Me qenë se tërbimi yt kundër meje dhe arroganca jote kanë arritur në veshët e mi, do të të vë unazën time në fejzat e hundës, frerin tim te goja, dhe do të të kthej në rrugën nëpër të cilën ke ardhur”.

19:29 Kjo ka për të qenë shenja për ty: Sivjet do të hani atë që rritet vetë, vitin e dytë atë që prodhon ai; por vitin e tretë do të mbillni dhe do të korrni, do të mbillni vreshta dhe do të hani frytin e tyre.

19:30 Pjesa tjetër e bëmave e shtëpisë së Judës që do të shpëtojë, ka për të vazhduar të lëshojë rrënjë poshtë dhe të prodhojë fryte lart.

19:31 Sepse nga Jeruzalemi ka për të dalë një pakicë dhe nga mali i Sionit ata që kanë shpëtuar. Zelli i Zotit të ushtrive do ta bëjë këtë.

19:32 Prandaj kështu thotë Zoti për mbretin e Asirisë: “Ai nuk ka për të hyrë në këtë qytet as ka për të hedhur shigjeta, nuk ka për t`i dalë përpara me mburoja as ka për të ndërtuar ndonjë ledh kundër tij.

19:33 Ai do të kthehet nëpër rrugën që ndoqi kur erdhi dhe nuk ka për të hyrë në këtë qytet, thotë Zoti.

19:34 Unë do ta mbroj këtë qytet për ta shpëtuar, për dashurinë që kam ndaj vetes dhe për dashurinë e Davidit, shërbëtorit tim”.

19:35 Atë natë ndodhi që engjëlli i Zotit doli dhe vrau në kampin e Asirëve njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë njerëz; kur njerëzit u ngritën në mëngjes, ja të gjithë ishin bërë kufoma.

19:36 Atëherë Senakeribi, mbret i Asirisë, ngriti çadrat, u nis e u kthye në shtëpi, dhe mbeti në Ninivë.

19:37 Dhe ndodhi që, ndërsa ai po adhuronte në shtëpinë e perëndisë së tij Nisrok, bijtë e tij Adrameleku dhe Sharetseri e vranë me goditje të shpatës; pastaj u strehuan në vendin e Araratit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Esarhadoni.