2 Mbretërve 8

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Shunamitja siguron kthimin e pasurisë së saj

8:1 Eliseu i tha gruas, djalin e së cilës e kishte ringjallur: “Çohu dhe shko jashtë, ti me gjithë familjen tënde, për të banuar ku të mundesh, sepse Zoti ka vendosur të pllakosë zia, që do të zgjasë shtatë vjet në vend”.

8:2 Kështu gruaja u ngrit dhe veproi sipas fjalës së njeriut të Perëndisë; iku me familjen e saj dhe banoi në vendin e Filistejve shtatë vjet.

8:3 Si kaluan shtatë vjet, gruaja u kthye nga vendi i Filistejve dhe shkoi te mbreti për t`i kërkuar shtëpinë dhe tokat e veta.

8:4 Mbreti ishte duke folur me Gehazin, shërbëtorin e njeriut të Perëndisë, dhe i thoshte: “Tregomë, të lutem, tërë veprat e mëdha që ka bërë Eliseu”.

8:5 Pikërisht, ndërsa ai i tregonte mbretit se si Eliseu e kishte ringjallur të vdekurin, ja ku u paraqit gruaja, së cilës ai i kishte ringjallur të birin, për t`i kërkuar mbretit shtëpinë dhe tokat e veta. Atëherë Gehazi tha: “O mbret, o imzot, kjo është gruaja dhe ky është biri që Eliseu ka ringjallur”.

8:6 Mbreti e pyeti gruan dhe ajo i tregoi ngjarjen; atëherë mbreti ngarkoi një funksionar, të cilit i tha: “Ktheja tërë atë që i përkasin dhe të gjitha të ardhurat e tokave, nga dita e largimit të saj nga vendi ynë deri më tani”.

Eliseu parashikon gjëra të këqija për Hazaelin e Sirisë

8:7 Pastaj Eliseu shkoi në Damask. Ben-Hadadi, mbret i Sirisë, ishte i sëmurë dhe e njoftuan: “Njeriu i Perëndisë ka ardhur deri këtu”.

8:8 Atëherë mbreti i tha Hazaelit: “Merr me vete një dhuratë dhe shko të takosh njeriun e Perëndisë, dhe këshillohu nëpërmjet tij me Zotin, duke thënë: “A do të shërohem nga kjo sëmundje?””.

8:9 Kështu Hazaeli shkoi të takohet me Eliseun duke sjellë si dhuratë gjërat më të mira të Damaskut: një ngarkesë prej dyzet devesh. Pastaj ai vajti, u paraqit tek ai dhe i tha: “Biri yt Ben-Hadadi, mbret i Sirisë, më ka dërguar te ti për të pyetur: “A do të shërohem nga kjo sëmundje?””.

8:10 Eliseu iu përgjigj: “Shko t`i thuash: “Do të shërohesh me siguri”. Por Zoti më bën të shoh se ai ka për të vdekur me siguri”.

8:11 Pastaj ai e ngurtësoi fytyrën me një shikim të ngulët deri sa u skuq; pastaj njeriu i Perëndisë filloi të qajë.

8:12 Atëherë Hazaeli pyeti: “Pse po qan zoti im?”. Ai u përgjigj: “Sepse e di të keqen që do t`u bësh bijve të Izraelit: do t`u vësh flakën fortesave të tyre, do të vrasësh me shpatë të rinjtë e tyre, do t`i bësh copë-copë fëmijët e tyre dhe do t`i çash barkun grave me barrë”.

8:13 Hazaeli tha: “Por ç`është, vallë shërbëtori yt, një qen, që të bëj këtë hata?”. Eliseu u përgjigj: “Zoti më bën të shoh që ti do të bëhesh mbret i Sirisë”.

8:14 Pastaj Hazaeli u largua nga Eliseu dhe u kthye te zoti e tij, që e pyeti: “Çfarë të tha Eliseu?”. Ai u përgjigj: “Më tha që do të shërohesh me siguri”.

8:15 Të nesërmen Hazaeli mori një batanije e zhyti në ujë dhe e shtriu mbi fytyrën e mbretit që vdiq. Kështu Hazaeli mbretëroi në vend të tij.

Jehorami, mbret i Judës

8:16 Vitin e pestë të Joramit, birit të Ashabit, mbret i Izraelit, Jehorami, bir i Jozafatit, mbret i Judës, filloi të mbretërojë mbi Judën.

8:17 Ai ishte tridhjetë e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tetë vjet në Jeruzalem.

8:18 Ndoqi rrugën e mbretërve të Izraelit, ashtu si kishte bërë shtëpia e Ashabit, sepse gruaja e tij ishte një bijë e Ashabit, dhe bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit.

8:19 Megjithatë Zoti nuk deshi ta shkatërronte Judën, për hir të dashurisë që kishte për Davidin, shërbëtorin e tij, sepse i kishte premtuar t`u jepte një llambë për gjithnjë atij dhe bijve të tij.

8:20 Gjatë ditëve të mbretërimit të tij, Edomi ngriti krye kundër pushtetit të Judës dhe zgjodhi edhe një mbret.

8:21 Atëherë Jorami shkoi në Tsair me gjithë qerret e tij; pastaj natën u ngrit dhe mundi Edomitët që e kishin rrethuar dhe kapitenët e qerreve, ndërsa njerëzit mundën të ikin në çadrat e tyre.

8:22 Kështu Edomi ka qenë i panënshtruar ndaj pushtetit të Judës deri më ditën e sotme. Në atë kohë edhe Libnahu ngriti krye.

8:23 Pjesa tjetër e bëmave të Joramit dhe të gjitha ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

8:24 Kështu Joramin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe u varros bashkë me ta në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ashaziahu.

Ashaziahu, mret i Judës

8:25 Në vitin e dymbëdhjetë të Joramit, birit të Ashabit, mbreti i Izraelit, filloi të mbretërojë Ashaziahu, bir i Jerohamit, si mbret i Judës.

8:26 Ashaziahu ishte njëzet e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi një vit në Jeruzalem. E ëma quhej Athaliah, ishte mbesa e Omrit, mbretit të Izraelit.

8:27 Ai vazhdoi rrugën e shtëpisë së Ashabit dhe bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, ashtu si shtëpia e Ashabit, sepse ishte i lidhur me marrëdhënie krushqie me shtëpinë e Ashabit.

8:28 Me Joramin, birin e Ashabit, ai shkoi të luftojë kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë, në Ramoth të Galaadit; por Sirët plagosën Joramin;

8:29 atëherë mbreti Joram u kthye në Jezreel për të mjekuar plagët që kishte marrë nga Sirët në Ramah, kur luftonte kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë. Dhe Ashaziahu, bir i Jerohamit mbret i Judës, zbriti në Jezreel për të parë Joramin, birin e Ashabit, sepse ky ishte i sëmurë.