BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Manasi, mbret i Judës, idhujtaria e tij
21:1 Manasi ishte dymbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe e mbajti fronin pesëdhjetë e pesë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Eftsibah.
21:2 Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Zotit, sipas zakoneve të neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar para bijve të Izraelit.
21:3 Ai rindërtoi vende të larta që Ezekia, i ati, kishte shkatërruar; ngriti altarin e Baalit, bëri një Asherah ashtu si kishte bërë Ashabi, mbret i Izraelit; dhe adhuroi tërë ushtrinë e qiellit dhe u vu në shërbim të tij.
21:4 Ai ngriti gjithashtu altare në shtëpinë e Zotit, lidhur me të cilën Zoti kishte thënë: “Në Jeruzalem do të vë emrin tim”.
21:5 I ngriti altare tërë ushtrisë së qiellit në dy oborret e shtëpisë të Zotit.
21:6 Kaloi edhe nëpër zjarr të birin, u muarr me magji dhe shortari dhe u këshillua me mediume dhe magjistarë. Bëri atë që është plotësisht e keqe në sytë e Zotit, duke shkaktuar zemërimin e tij.
21:7 Vuri madje një shëmbëlltyrë të gdhendur të Asherahut, që kishte bërë, në tempull, lidhur me të cilin Zoti i kishte thënë Davidit dhe Salomonit, birit të tij: “Në këtë tempull dhe në Jeruzalem, që kam zgjedhur ndër gjithë fiset e Izraelit, do të vendos emrin tim përjetë;
21:8 dhe nuk do të bëj që këmba e Izraelit të endet larg vendit që u kam dhënë etërve të tyre, me kusht që ata të kujdesen të zbatojnë në praktikë atë që kam urdhëruar dhe gjithë ligjin që Moisiu, shërbëtori im, u ka urdhëruar”.
21:9 Por ata nuk e dëgjuan dhe Manasi i shtyu të vepronin më keq se kombet që Zoti kishte shkatërruar para bijve të Izraelit.
21:10 Atëherë Zoti foli me anë të shërbëtorëve të tij, profetëve, duke thënë:
21:11 “Meqenëse Manasi, mbret i Judës, ka kryer këto gjëra të neveritshme (ka bërë një të keqe më të madhe se ajo që kanë bërë Amorejtë, që ishin para tij, dhe me anë të idhujve të tij e ka bërë edhe Judën të kryejë mëkate),
21:12 kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Ja, unë do të sjell mbi Jeruzalemin dhe mbi Judën një fatkeqësi të tillë, sa që kushdo që ta dëgjojë do t`i tronditen veshët.
21:13 Do të zgjas mbi Jeruzalem rripin matës të Samarisë dhe plumbçen e shtëpisë së Ashabit, dhe do ta pastrojë Jeruzalemin si pastrohet një pjatë e cila, pasi të jetë pastruar, kthehet përmbys.
21:14 Kështu do të braktis mbetjen e trashëgimisë sime dhe do ta jap në duart e armiqve të tyre, dhe ata do të bëhen preja dhe plaçka e gjithë armiqve të tyre,
21:15 sepse kanë bërë atë që është e keqe në sytë e mi dhe kanë shkaktuar zemërimin tim nga dita që etërit e tyre dolën nga Egjipti e deri më sot”.
21:16 Manasi derdhi gjithashtu shumë gjak të pafajshëm, duke e mbushur Jeruzalemin nga njeri skaj në tjetrin, përveç mëkatit të tij që e shtyu Judën të mëkatojë, duke bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit.
21:17 Pjesa tjetër e veprave të Manasit, tërë ato që kreu dhe mëkatet që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?
21:18 Kështu Manasin e zuri gjumi me etërit e tij dhe e varrosën në kopshtin e pallatit të tij, në kopshtin e Uzas. Në vend të tij mbretëroi i biri, Amoni.
Amoni, mbret i Judës
21:19 Amoni ishte njëzet e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbajti fronin dy vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Meshulemeth, ishte e bija e Harutsit nga Jotbahu.
21:20 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, ashtu si kishte vepruar i ati, Manasi.
21:21 Ndoqi plotësisht rrugën e ndjekur nga i ati, u shërbeu idhujve të cilëve u kishte shërbyer i ati dhe i adhuroi.
21:22 Braktisi Zotin, Perëndinë e etërve të tij, dhe nuk eci në rrugën e Zotit.
21:23 Shërbëtorët e Amonit kurdisën një komplot kundër tij dhe e vranë mbretin në pallatin e tij.
21:24 Por populli i vendit vrau tërë ata që kishin marrë pjesë në komplot kundër mbretit Amon dhe në vend të tij u bë mbret i biri, Josia.
21:25 Pjesa tjetër e bëmave të kryera nga Amoni a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretit të Judës?
21:26 <aaa add> Ai u varros në varrin e tij, në kopshtin e Uzas. Në vendin e tij mbretëroi i biri, Josia.