2 Samuelit 1

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Davidi merr lajmin e vdekjes së Saulit dhe të Jonathanit

1:1 Pas vdekjes së Saulit, Davidi u kthye nga masakra e Amalekitëve dhe u ndal dy ditë në Tsiklag.

1:2 Ditën e tretë arriti në kampin e Saulit një burrë me rroba të grisura dhe me kokën me dhe. Sa arriti pranë Davidit, ai ra për tokë dhe u përkul.

1:3 Davidi e pyeti: “Nga vjen?”. Ai iu përgjigj: “Kam ikur nga kampi i Izraelit”.

1:4 Davidi i tha: “Si u bë? Të lutem, më trego”. Ai iu përgjigj: “Populli iku nga fusha e betejës dhe shumë njerëz ranë dhe vdiqën; edhe Sauli dhe biri i tij Jonatan kanë vdekur”.

1:5 Atëherë Davidi e pyeti të riun që i tregonte ngjarjen: “Si e di ti që Sauli dhe biri i tij Jonatani kanë vdekur?”.

1:6 I riu që i tregonte ngjarjen tha: “Ndodhesha rastësisht në malin Gilboa, kur pashë Saulin të mbështetur në shtizën e tij, ndërsa qerret dhe kalorësit e ndiqnin nga afër.

1:7 Ai u kthye, më pa dhe më thirri. Unë iu përgjigja: “Ja ku jam”.

1:8 Ai më pyeti: “Kush je ti?”. Unë iu përgjigja: “Jam një Amalekit”.

1:9 Atëherë ai më tha: “Afrohu tek unë dhe më vrit, sepse një ankth i madh më ka pushtuar, por jeta është e tëra akoma tek unë”.

1:10 Kështu iu afrova atij dhe e vrava, sepse e kuptoja që ai nuk do të mund të jetonte mbas rënies së tij. Pastaj mora diademën që kishte mbi kokë dhe byzylykun që mbante në krah, dhe i solla këtu te zotëria im”.

1:11 Atëherë Davidi kapi rrobat e veta dhe i grisi; po kështu vepruan tërë njerëzit që ishin me të.

1:12 Kështu mbajtën zi, qanë dhe agjeruan deri në mbrëmje për Saulin, për Jonatanin, birin e tij, për popullin e Zotit dhe për shtëpinë e Izraelit, sepse kishin rënë nga shpata.

1:13 Pastaj Davidi e pyeti të riun që i kishte treguar ngjarjen: “Nga ç`vend je?”. Ai u përgjigj: “Jam biri i një të huaji, i një Amalekiti”.

1:14 Atëherë Davidi i tha: “Si nuk pate frikë të shtrish dorën për të vrarë të vajosurin e Zotit

1:15 Pastaj thirri një nga njerëzit e tij dhe i tha: “Afrohu dhe hidhu mbi të!”. Ai e goditi dhe Amalekiti vdiq.

1:16 Pas kësaj Davidi tha: “Gjaku yt rëntë mbi kokën tënde, sepse me gojën tënde ke dëshmuar kundër vetes sate, duke thënë: “Unë kam vrarë të vajosurin e Zotit””.

Elegjia e Davidit për vdekjen e Saulit dhe të Jonathanit

1:17 Atëherë Davidi ia mori këtij vajtimi për Saulin dhe Jonatanin, birin e tij,

1:18 dhe urdhëroi t`u mësonin bijve të Judës këngën e harkut. Ja, ajo gjendet e shkruar në librin e të Drejtit.

1:19 “Madhështia e Izraelit qëndron e vrarë në lartësitë e tua! Si është e mundur që ranë trimat?

1:20 Mos ia njoftoni Gathit, mos e bëni të ditur nëpër rrugët e Ashkalonit, që të mos gëzohen bijat e Filistejve, që të mos ngazëllohen bijat e të parrethprerëve.

1:21 O male të Gilboas, mos rëntë më as vesa as shiu mbi ju, mos pastë as fusha ofertash; sepse aty u hodh mburoja e trimave, mburoja e Saulit, sikur ky të mos ishte i vajosur.

1:22 Nga gjaku i të vrarëve, nga dhjami i trimave, harku i Jonatanit nuk u tërhoq kurrë dhe shpata e Saulit nuk u vërtit kurrë bosh.

1:23 Sauli dhe Jonatani; aq të dashur dhe të përzemërt në jetë, nuk u ndanë në vdekjen e tyre. Ishin më të shpejtë se shqiponjat, më të fortë se luanët.

1:24 Bija të Izraelit, vajtoni Saulin që ju vishte në luks me rroba flakë të kuqe, që i zbukuronte me ar veshjet tuaja.

1:25 Vallë, si ranë trimat në mes të betejës, si u vra Jonathani në lartësitë e tua?

1:26 Unë jam në ankth për ty, o vëllai im Jonatan; ti ishe shumë i dashur për mua, dashuria jote për mua ishte më e mrekullueshme se dashuria e grave.

1:27 Vallë, si ranë trimat dhe si u shkatërruan armët e luftës?”.

[previous][next]