2 Samuelit 22

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Kantiku i falenderimit i Davidit

22:1 Davidi i drejtoi Zotit fjalët e këtij kantiku ditën që Zoti e çliroi nga duart e të gjithë armiqve të tij dhe nga dora e Saulit. Ai tha:

22:2 “Zoti është fortesa ime, kalaja ime dhe çlirimtari im,

22:3 Perëndia im, shkëmbi në të cilin strehohem, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, strehimi im i lartë, streha ime. O shpëtimtari im, ti më shpëton nga dhuna!

22:4 Unë i kërkoj ndihmë Zotit që meriton të lavdërohet, dhe kështu më shpëtoi nga duart e armiqve të mi.

22:5 Valët e vdekjes më kishin rrethuar dhe përrenjtë e shkatërrimit më kishin tmerruar.

22:6 Dhimbjet e Sheolit më kishin zënë dhe lakun e vdekjes e kisha para syve.

22:7 Në ankthin tim i kërkova ndihmë Zotit dhe i klitha Perëndisë tim. Ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli ku ndodhej dhe klithma ime arriti në veshët e tij.

22:8 Atëherë toka u trondit dhe u drodh, themelet e qiejve u lëkundën dhe u shkundën, sepse ai ishte tërë zemërim.

22:9 Një tym ngjitej nga fejzat e hundës së tij dhe një zjarr përvëlues i dilte nga goja; prej tij dilnin thëngjij.

22:10 Ai i uli qiejtë dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij.

22:11 Ai rrinte kaluar mbi një kerubin, fluturonte dhe dukej mbi flatrat e erës.

22:12 Si shatorre rreth vetes kishte vënë terrin, errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit.

22:13 Nga shkëlqimi që i priste dilnin thëngjij.

22:14 Zoti gjëmoi në qiejt dhe Më i Larti bëri të dëgjohet zëri i tij.

22:15 Hodhi shigjeta dhe shpërndau armiqtë, hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau.

22:16 Atëherë doli shtrati i detit dhe themelet e botës u zbuluan, me qortimin e Zotit, me erën që shfrynë, fejzat e hundës së tij.

22:17 Ai nga lart shtriu dorën dhe më kapi, më nxori nga ujërat e mëdha.

22:18 Më çliroi nga armiku im i fuqishëm dhe nga ata që më urrenin, sepse ishin më të fortë se unë

22:19 Ata ishin ngritur kundër meje ditën e mjerimit tim, por Zoti qe përkrahësi im,

22:20 ai më çoi larg tyre; ai më shpëtoi sepse i pëlqej.

22:21 Zoti më ka shpërblyer simbas së drejtës sime dhe më ka dhënë simbas pastërtisë së duarve të mia,

22:22 sepse kam ndjekur rrugët e Zotit dhe nuk jam larguar pabesisht nga Perëndia im.

22:23 Sepse kam mbajtur para vetes të gjitha ligjet e tij dhe nuk jam larguar nga statutet e tij.

22:24 Kam qenë i ndershëm me të dhe i jam ruajtur paudhësisë.

22:25 Prandaj Zoti më ka dhënë simbas së drejtës sime, simbas pastërtisë sime përpara syve të tij.

22:26 Ti tregohesh i mëshirshëm me njeriun e përshpirtshëm dhe i drejtë me njeriun e drejtë;

22:27 ti tregohesh i pastër me njeriun e pastër dhe dinak me njeriun e çoroditur.

22:28 Ti shpëton njerëzit e hidhëruar, por shikimi yt ndalet mbi kryelartët për t`i ulur.

22:29 Po, ti je drita ime, o Zot; Zoti ndriçon terrin tim.

22:30 Me ty mund të sulmoj një grup, me Perëndinë tim mund të kapërcej një mur.

22:31 Rruga e Zotit është e përsosur; fjala e Zotit është purifikuar me zjarrin. Ai është mburoja e të gjithë atyre që kanë shpresë tek ai.

22:32 Në fakt kush është Perëndi përveç Zotit? Dhe kush është Kalaja përveç Perëndisë tonë?

22:33 Zoti është kalaja ime e fuqishme, ai e bën të përsosur rrugën time.

22:34 Ai i bën këmbët e mia si ato të drerit dhe më bën të mbahem mirë në vendet e mia të larta.

22:35 Ai i mëson duart e mia për betejë dhe krahët e mia mund të tendosin një hark prej bronzi.

22:36 Ti më ke dhënë edhe mburojën e shpëtimit tënd dhe mirësia jote më ka bërë të madh.

22:37 Ti i ke zgjedhur hapat e mia dhe këmbët e mia nuk kanë ngurruar në këtë rast.

22:38 Unë i kam ndjekur armiqtë e mi dhe i kam shkatërruar, nuk jam kthyer prapa para se t`i shfarosja.

22:39 I kam shkatërruar dhe shtypur, dhe ata nuk kanë mundur më të ngrihen kundër meje; ata kanë rënë nën këmbët e mia.

22:40 Ti më ke dhënë forcë në betejë, dhe bëre që të më përulen ata që ngriheshin kundër meje;

22:41 bëre që të më kthenin kurrizin armiqtë e mi përpara meje, dhe unë zhduka ata që më urrenin.

22:42 Ata shikuan, por nuk pati njeri që t`i shpëtonte; i klithën Zotit, por ai nuk iu përgjigj atyre.

22:43 Unë i thërmova si pluhuri i tokës, i copëtova dhe i shkela si balta e rrugëve.

22:44 Ti më ke çliruar nga mosmarrëveshjet e popullit tim, më ke ruajtur si udhëheqës i kombeve; një popull që nuk e njihja më ka shërbyer.

22:45 Bijtë e të huajve më nënshtrohen mua; sa më dëgjojnë, më binden.

22:46 Bijtë e të huajve kanë humbur guximin, kanë dalë duke u dridhur nga fortesat e tyre.

22:47 Rroftë Zoti! Qoftë e bekuar Fortesa ime! U lartësoftë në qiell Perëndia, Fortesa e shpëtimit tim!

22:48 Éshtë Perëndia që hakmerret për mua, që më nënshtron popujt,

22:49 dhe më liron nga armiqtë e mi. Ti më larton mbi ata që ngrihen kundër meje dhe më çliron nga njeriu i furishëm.

22:50 Prandaj, o Zot, do të të kremtoj midis kombeve dhe do të këndojë lavdinë e emrit tënd.

22:51 Lirime të mëdha i siguron mbretit të tij, sillet dashamirës me të vajosurin, me Davidin dhe me pasardhësit e tij përjetë”.