2 Samuelit 9

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Mirësia e përdorur nga Davidi në favor të Mefiboshethit, birit të Jonathanit

9:1 Davidi tha: “A ka mbetur akoma ndonjë nga shtëpia e Saulit, ndaj të cilit mund të sillem mirë për hir të Jonathanit?”.

9:2 Kishte një shërbëtor në shtëpinë e Saulit, që quhej Tsiba, dhe atë e çuan te Davidi. Mbreti i tha: “Ti je Tsiba?”. Ai u përgjigj: “Jam shërbëtori yt”.

9:3 Pastaj mbreti pyeti: “A ka njeri tjetër të shtëpisë së Saulit, të cilit mund t`i kushtoj mirësinë e Perëndisë?”. Tsiba iu përgjigj mbretit: “Éshtë akoma një djalë i Jonatanit, që është sakat nga këmbët”.

9:4 Mbreti i tha: “Ku është?”. Tsiba iu përgjigj mbretit: “Éshtë në shtëpinë e Makirit, birit të Amielit, në Lodebar”.

9:5 Atëherë mbreti David dërgoi ta marrë nga shtëpia e Makirit, birit të Amielit, në Lodebar.

9:6 Kështu Mefiboshethi, bir i Jonatanit, bir i Saulit erdhi te Davidi, ra përmbys me fytyrën për tokë. Davidi i tha: “Mefibosheth!”. Ai u përgjigj: “ja shërbëtori yt!”.

9:7 Davidi i tha: “Mos ki frikë, sepse kam ndër mend të sillem mirë me ty për dashurinë që kisha për Jonatanin, atin tënd; do të të kthej tërë tokat e Saulit, të parit tënd, dhe ti do të hash gjithnjë në tryezën time”.

9:8 Mefiboshethi ra përmbys dhe tha: “Ç`është shërbëtori yt, që ti të përfillësh një qen të ngordhur si unë?”.

9:9 Atëherë mbreti thirri Tsiban, shërbëtorin e Saulit, dhe i tha: “Tërë ato që i përkisnin Saulit dhe tërë shtëpisë së tij, po ia jap birit të zotërisë tënd.

9:10 Kështu, pra, bashkë me bijtë dhe shërbëtorët e tu, do të punosh tokën për të dhe do të mbledhësh prodhimet e saj, me qëllim që i biri i zotërisë tënd të ketë bukë për të ngrënë; por Mefiboshethi, bir i zotërisë tënd do të hajë gjithnjë në tryezën time”. Tsiba kishte pesëmbëdhjetë bij dhe njëzet shërbëtorë.

9:11 Tsiba i tha mbretit: “Shërbëtori yt do të bëjë të gjitha ato që mbreti, zotëria im, i urdhëron shërbëtorit të tij”. Kështu Mefiboshethi hante në tryezën e Davidit si një nga bijtë e mbretit.

9:12 Mefiboshethi kishte një djalë të vogël që quhej Mika; dhe tërë ata që rrinin në shtëpinë e Tsibas ishin shërbëtorë të Mefiboshethit.

9:13 Mefiboshethi banonte në Jeruzalem, sepse hante gjithnjë në tryezën e mbretit. Ishte sakat nga të dy këmbët.