BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Kthimi i Absalomit në Jeruzalem
14:1 Joabi, bir i Tserujahut, vuri re që zemra e mbretit ishte e shqetësuar për Absalomin.
14:2 Kështu Joabi dërgoi dikë në Tekoa dhe solli që andej një grua të urtë, së cilës i tha: “Bëj sikur mban zi dhe vish një palë rroba zije; mos u lyej me vaj, por sillu si një grua që qan prej kohe një të vdekur.
14:3 Shko pra te mbreti dhe foli në këtë mënyrë”. Dhe Joabi e mësoi se ç`duhej të thoshte.
14:4 Gruaja e Tekoas shkoi të flasë me mbretin, u hodh me fytyrën për tokë, u përul dhe tha: “Ndihmomë, o mbret!”.
14:5 Mbreti i tha: “Çfarë ke?”. Ajo u përgjigj: “Mjerësisht jam e ve dhe burri më ka vdekur.
14:6 Shërbëtorja jote kishte dy djem, por këta patën një grindje midis tyre në arë, dhe, me qenë se nuk kishte njeri t`i ndante, njeri gioditi tjetrin dhe e vrau.
14:7 Tani tërë farë e fis është ngritur kundër shërbëtores sate, duke thënë: “Na dorëzo atë që vrau vëllanë, që ta bëjmë të vdesë për jetën e vëllait që ai ka vrarë dhe për të shfarosur edhe trashëgimtarin”. Në këtë mënyrë do të shuhet e vetmja urë zjarri që më ka mbetur dhe nuk kanë për t`i lënë burrit tim as emër as pasardhës mbi faqen e dheut”.
14:8 Mbreti i tha gruas: “Shko në shtëpinë tënde; unë do të jap urdhrat për çështjen tënde”.
14:9 Gruaja e Tekoas i tha mbretit: “O mbret, zotëria ime, faji të bjerë mbi mua dhe mbi shtëpinë e atit tim, por mbreti dhe froni i tij të jenë të pafaj”.
14:10 Mbreti tha: “Në qoftë se dikush të thotë diçka, sille tek unë dhe ke për të parë që nuk do të të bjerë më në qafë”.
14:11 Atëherë ajo tha: “Të mos e harrojë mbreti, të lutem, Zotin, Perëndinë tënd, në mënyrë që hakmarrësi i gjakut të mos vazhdojë të shkatërrojë dhe biri im të mos shfaroset”. Ai u përgjigj: “Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, birit tënd, nuk do t`i bjerë në tokë asnjë qime floku!”.
14:12 Atëherë gruaja i tha: “Lejoje shërbëtoren tënde t`i thotë akoma një fjalë mbretit!”. Ai u përgjigj: “Thuaje, pra”.
14:13 Gruaja ia rifilloi: “Pse ke menduar një gjë të tillë kundër popullit të Perëndisë? Duke folur në këtë mënyrë në fakt mbreti është deri diku fajtor, sepse mbreti nuk e kthen atë që është në mërgim.
14:14 Ne duhet të vdesim dhe jemi si ujët që derdhet mbi tokë, që nuk mund të mblidhet; por Perëndia nuk të heq jetën, por gjen mënyrën që ai që është në mërgim të mos qëndrojë larg tij.
14:15 Dhe tani kam ardhur të flas për këtë gjë me mbretin, me zotërinë time, sepse populli më ka trembur; dhe shërbëtorja jote ka thënë: “Dua të flas me mbretin; ndofta mbreti do të bëjë atë që shërbëtorja e tij do t`i thotë.
14:16 Mbreti do të dëgjojë shërbëtoren e tij dhe do ta çlirojë nga duart e atye që duan të më heqin mua dhe birin tim nga trashëgimia e Perëndisë”.
14:17 Shërbëtorja jote thoshte: “Oh, fjala e mbretit, e tim zoti, më ngushëlloftë, sepse mbreti, zotëria ime, është si një engjëll i Perëndisë që di të dallojë të mirën dhe të keqen”. Zoti, Perëndia yt, qoftë me ty”.
14:18 Mbreti u përgjigj dhe i tha gruas: “Të lutem, mos më fshih asgjë nga ato që do të pyes. Gruaja i tha: “Le të flasë mbreti, Zotëria ime”.
14:19 Atëherë mbreti tha: “A nuk është ndoshta dora e Joabit me ty në tërë këtë çështje?”. Gruaja u përgjigj: “Ashtu siç është e vërtetë që ti rron, o mbret, zotëria im, çështja është pak a shumë ashtu siç e ka thënë mbreti, zotëria im; ka qenë në fakt shërbëtori yt Joabi ai që ka dhënë këto urdhëra dhe ka vënë tërë këto fjalë në gojën e shërbëtores sate.
14:20 Shërbëtori yt Joab e bëri këtë gjë për të sjellë një ndryshim në gjendjen e tanishme; por zotëria ime ka po atë dituri të një engjëlli të Perëndisë për të kuptuar tërë ato që ndodhin mbi dhe”.
Pajtimi i Absalomit me të atin
14:21 Atëherë mbreti i tha Joabit: “Ja, do të bëj pikërisht këtë. Shko, pra, dhe bëj që të kthehet i riu Absalom.
14:22 Atëherë Joabi u shtri me fytyrën për tokë, u përul dhe e bekoi mbretin. Pastaj Joabi tha: “Sot shërbëtori yt kupton se ka gjetur hirin tënd, o mbret, o imzot, sepse mbreti bëri atë që shërbëtori kishte kërkuar”.
14:23 Kështu Joabi u ngrit dhe shkoi në Geshur, dhe e solli Absalomin në Jeruzalem.
14:24 Por mbreti tha: “Të mblidhet në shtëpinë e tij dhe të mos e shohë fytyrën time!”. Kështu Absalomi u tërhoq në shtëpinë e tij dhe nuk e pa fytyrën e mbretit.
14:25 Në të gjithë Izraelin nuk kishte njeri që ta lavdëronin më tepër për bukuri se sa Absalomit; nga tabanët e këmbëve deri në majën e kokës nuk kishte asnjë të metë tek ai.
14:26 Kur priste flokët (dhe këtë e bënte çdo vit sepse flokët i rëndonin shumë), ai i peshonte flokët e kokës së tij; ato peshonin dyqind sikla simbas masave të caktuara nga mbreti.
14:27 Absalomit i lindën tre djem dhe një vajzë e quajtur Tamara, që ishte e hijshme.
14:28 Absalomi banoi dy vjet në Jeruzalem, pa e parë fytyrën e mbretit.
14:29 Pastaj Absalomi thirri Joabin për ta dërguar te mbreti, por ai nuk deshi të vinte; e dërgoi ta thërriste një herë të dytë, por ai nuk deshi të vinte.
14:30 Atëherë Absalomi u tha shërbëtorëve të tij: “Ja, ara e Joabit është pranë arës sime dhe aty ka elb; shkoni t`i vini zjarrin!”. Kështu shërbëtorët e Absalomit i vunë zjarrin arës.
14:31 Atëherë Joabi u ngrit, shkoi në shtëpinë e Absalomit dhe i tha: “Pse shërbëtorët e tu i vunë zjarrin arës sime?”.
14:32 Absalomi iu përgjigj Joabit: “Unë të kisha dërguar fjalë: “Eja këtu, që të kem mundësi të të dërgoj te mbreti për t`i thënë: Pse jam kthyer nga Geshuri? Do të kishte qenë më mirë për mua të kisha mbetur atje”. Tani më lejo të shoh fytyrën e mbretit. Në rast se tek unë ka ndonjë paudhësi, ai të shkaktojë vdekjen time”.
14:33 Joabi shkoi atëherë te mbreti dhe ia tregoi çështjen. Ky thirri Absalomin që shkoi te mbreti dhe ra përmbys me fytyrën për tokë përpara tij; dhe mbreti e puthi Absalomin.