2 Samuelit 19

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Joabi qorton sjelljen e Davidit

19:1 Pastaj i thanë Joabit: “Ja, mbreti qan dhe mban zi për Absalomin”.

19:2 Kështu fitorja atë ditë u shndërrua në zi për të gjithë popullin, sepse populli dëgjoi atë ditë të thuhet: “Mbreti është i dëshpëruar për shkak të birit të tij”.

19:3 Atë ditë populli hyri fshehurazi në qytet, ashtu si largohen fshehurazi dhe tërë turp ata që ia mbathin gjatë betejës.

19:4 Mbreti kishte mbuluar fytyrën dhe bërtiste me zë të lartë: “O biri im Absalom, o Absalom, biri im, biri im!”.

19:5 Atëherë Joabi hyri në shtëpi të mbretit dhe tha: “Ti sot mbulon me turp fytyrën e të gjithë njerëve që në këtë ditë shpëtuan jetën tënde, atë të bijve dhe të bijave të tua, jetën e bashkëshortes dhe të konkubinave të tua,

19:6 sepse ti dashuron ata që të urrejnë dhe urren ata që të duan; sot ke treguar qartë që komandantët dhe ushtarët nuk kanë asnjë vlerë për ty; dhe tani kuptoj se, po të ishte gjallë Absalomi dhe ne të ishim këtë ditë të tërë të vdekur, atëherë do të ishe i kënaqur.

19:7 Tani, pra, çohu dil dhe foli zemrës së shërbëtorëve të tu, sepse betohem në emër të Zotit se, po nuk dole, asnjeri nuk do të qëndrojë me ty këtë natë; dhe kjo do të ishte fatkeqësia më e madhe që të ka rënë që kur ishe i ri e deri më sot”.

Davidi rivendoset si mbret

19:8 Atëherë mbreti u ngrit dhe u ul te porta; dhe kjo iu njoftua tërë popullit, duke thënë: “Ja, mbreti është ulur te porta”. Kështu tërë populli doli në prani të mbretit. Ndërkaq ata të Izraelit kishin ikur secili në çadrën e vet.

19:9 Në të gjitha fiset e Izraelit populli i tërë diskutonte dhe thoshte: “Mbreti na çliroi nga duart e armiqve tanë dhe na shpëtoi nga duart e Filistejve; dhe tani i është dashur të ikë nga vendi për shkak të Absalomit.

19:10 Por Absalomi, të cilin ne e kishim vajosur mbret mbi ne, vdiq në betejë. Dhe tani pse nuk flisni për kthimin e mbretit?”.

19:11 Atëherë mbreti David dërgoi t`u thotë priftërinjve Tsadok dhe Abiathar: “Foluni pleqve të Judës dhe u thoni atyre: “Pse ju duhet të jeni të fundit për kthimin e mbretit në shtëpinë e tij, sepse bisedat e tërë Izraelit kanë arritur deri te mbreti, pikërisht në këtë shtëpi?

19:12 Ju jeni vëllezër të mi, ju jeni kocka dhe mishi im. Pse duhet të jeni të fundit në kthimin e mbretit?”.

19:13 Dhe i thoni Amasas: “A nuk je ti kocka dhe mishi im? Këtë më bëftë Perëndia, madje edhe më keq, në rast se ti nuk bëhesh për gjithnjë komandanti i ushtrisë në vend të Joabit”.

19:14 Kështu Davidi anoi zemrën e të gjithë njerëzve të Judës, sikur të ishte zemra e një njeriu të vetëm; prandaj ata i dërguan t`i thonë mbretit: “Kthehu ti me gjithë shërbëtorët e tu”.

19:15 Atëherë mbreti u kthye dhe arriti në Jordan; dhe ata të Judës erdhën në Gilgal për t`i dalë përpara mbretit dhe për t`i siguruar kalimin e Jordanit.

19:16 Beniaminiti Shimei, bir i Geras, që ishte nga Bahurimi, nxitoi me njerëzit e Judës t`i dalë përpara Davidit.

19:17 Ai kishte me vete një mijë njerëz të Beniaminit dhe Tsiban, shërbëtorin e shtëpisë së Saulit, me pesëmbëdhjetë bijtë e tij dhe njëzet shërbëtorët e tij. Ata e kaluan Jordanin para mbretit.

19:18 Ata kaluan me trap për ta çuar matanë familjen e mbretit dhe për të bërë atë që u dukej e mirë për mbretin. Ndërkaq Shimei, bir i Geras, ra përmbys përpara mbretit, në çastin kur ai kalonte Jordanin,

19:19 Dhe i tha mbretit: “Mos më ngarko me asnjë faj, imzot, dhe harro të keqen që shërbëtori yt ka bërë ditën që mbreti, zotëria im, dilte nga Jeruzalemi; mbreti të mos e ketë parasysh.

19:20 Sepse shërbëtori yt pranon se ka mëkatuar. Dhe ja, sot kam qenë i pari i tërë shtëpisë së Jozefit që i dal përpara mbretit, zotërisë tim”.

19:21 Por Abishai, bir i Tserujahut, filloi të thotë: A nuk duhet të dënohet me vdekje Shimei, sepse ka mallkuar njeriun e vajosur nga Zoti?”.

19:22 Davidi tha: “Ç`marrëdhënie kam unë me ju, bijtë e Tserujahut, që sot u treguat kundërshtarë të mi? A mund ta dënosh sot me vdekje dikë në Izrael? A nuk e di, vallë që sot jam mbret i Izraelit?”.

19:23 Pastaj mbreti i tha Shimeit: “Ti nuk ke për të vdekur!”. Dhe mbreti iu betua atij për këtë.

19:24 Edhe Mefiboshethi, nip i Saulit, i doli përpara mbretit. Ai nuk i kishte mjekuar këmbët, nuk e kishte rruar mjekrën dhe nuk i kishte larë rrobat nga dita që kishte ikur mbreti deri në kthimin e tij në paqe.

19:25 Kur arriti nga Jeruzalemi për të takuar mbretin, ky i tha: “Pse nuk erdhe me mua, Mefibosheth?”.

19:26 Ai u përgjigj: “O mbret, imzot, shërbëtori im më mashtroi, sepse shërbëtori yt kishte thënë: “Unë do të shaloj gomarin, do të hip mbi të dhe do të shkoj me mbretin”, sepse shërbëtori yt është çalaman.

19:27 Përveç kësaj, ai ka shpifur kundër shërbëtorit tënd pranë mbretit, zotërisë sime; por mbreti, zotëria im, është si një engjëll i Perëndisë; bëj, pra, atë që do të të pëlqejë.

19:28 Në fakt tërë ata të shtëpisë së atit tim nuk meritojnë tjetër gjë veç vdekjes përpara mbretit, zotërisë tim; megjithatë ti e kishe caktuar shërbëtorin tënd ndër ata që hanin në tryezën tënde. Prandaj çfarë të drejte tjetër do të kisha për t`i bërtitur mbretit?”.

19:29 Mbreti i tha: “Nuk është nevoja të shtosh fjalë të tjera. Unë kam vendosur; Ti dhe Tsiba ndajini tokat”.

19:30 Atëherë Mefiboshethi iu përgjigj mbretit: “Le t`i marrë të gjitha, sepse mbreti, zotëria im, u kthye në paqe në shtëpinë e tij”.

19:31 Edhe Galaaditi Barzilaj zbriti nga Rogelimi dhe kaloi Jordanin bashkë me mbretin, për ta shoqëruar matanë Jordanit.

19:32 Barzilaj ishte shumë i vjetër, tetëdhjetë vjeç; ai e kishte furnizuar me ushqime mbretin kur ky ndodhej në Mahanaim, sepse ishte shumë i pasur.

19:33 Mbreti i tha Barzialit: “Eja me mua matanë lumit dhe unë do të kujdesem për ushqimin tënd pranë meje në Jeruzalem”.

19:34 Por Barzilaj iu përgjigj mbretit: “Sa vjet jetë më kanë mbetur akoma që unë të shkoj me mbretin në Jeruzalem?

19:35 Tani unë jam tetëdhjetë vjeç; a mund të dalloj akoma atë që është e mirë nga ajo që është e keqe? A mund ta shijojë akoma shërbëtori yt atë që ha o atë që pi? A mund të dëgjojë unë akoma zërin e këngëtarëve dhe të këngëtareve. Pse shërbëtori yt duhet t`i bëhet barrë mbretit, zotërisë tim?

19:36 Shërbëtori yt do të shkojë me mbretin matanë Jordanit për një copë rrugë; po pse mbreti duhet të ma lajë me një shpërblim të tillë?

19:37 Por lëre shërbëtorin tënd të kthehet prapa dhe që unë të mund të vdes në qytetin tim pranë varrit të atit tim dhe të nënës sime! Por ja shërbëtori yt Kimham; le të vijë ai me mbretin, zotërinë tim, dhe bëj për të atë që do të të pëlqej”.

19:38 Mbreti u përgjigj: “Kimhami do të vijë me mua dhe unë do të bëj për të atë që do të të pëlqejë ty; po, unë do të bëj për ty të gjitha ato që më kërkon”.

19:39 Kështu tërë populli kaloi Jordanin dhe e kaloi edhe mbreti. Pastaj mbreti e puthi Barzilain dhe e bekoi, dhe ai u kthye në shtëpinë e vet.

19:40 Mbreti vazhdoi rrugën në drejtim të Gilgalit, i shoqëruar nga Kimhami. Tërë populli i Judës e përcolli mbretin dhe kështu bëri edhe gjysma e popullit të Izraelit.

19:41 Atëherë tërë Izraelitët erdhën te mbreti dhe i thanë: “Pse vëllezërit tanë, njerëzit e Judës, të kanë marrë fshehurazi dhe kanë bërë të kalojnë Jordanin mbreti, familja e tij dhe të gjithë njerëzit e Davidit?”.

19:42 Tërë njerëzit e Judës iu përgjigjën njerëzve të Izraelit: “Sepse mbreti është fisi ynë i afërt. Pse zemëroheni për këtë? Mos kemi ngrënë, vallë me shpenzimet e mbretit, ose na ka dhënë ndonjëherë dhurata?”.

19:43 Por njerëzit e Izraelit iu përgjigjën njerëzve të Judës, duke thënë: “Ne na takojnë dhjetë pjesë të mbretit, prandaj Davidi është më tepër yni se sa juaji; për çfarë arësye na keni përçmuar? Nuk kemi qenë ne të parët që propozuam kthimin e mbretit tonë?”. Por fjala e njerëzve të Judës ishte më e ashpër se ajo e njerëzve të Izraelit.

[previous][next]