2 Samuelit 3

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Forcohet shtëpia e Davidit

3:1 Lufta midis shtëpisë së Saulit dhe shtëpisë së Davidit qe e gjatë. Davidi bëhej gjithnjë më i fortë, ndërsa shtëpia e Saulit dobësohej gjithnjë e më shumë.

3:2 Në Hebron Davidit i lindën disa djem. I parëlinduri i tij qe Amnoni, që ia lindi Jezreelitja Ahinoam;

3:3 i dyti qe Kileabi, ia lindi Karmelitja Abigail, dikur bashkëshorte e Nabalit; i treti qe Absalomi, bir i Maakahut, e bija e Talmait, mbret i Geshurit;

3:4 i katërti qe Adonijahu, bir i Hagithit; i pesti qe Shefatiahu, bir i Abitalit,

3:5 dhe i gjashti qe Ithreami, bir i Eglahit, bashkëshorte e Davidit. Këta fëmijë i lindën Davidit në Hebron.

Abneri bashkohet me Davidin

3:6 Gjatë luftës midis shtëpisë së Davidit dhe shtëpisë së Saulit, Abneri qëndroi i lidhur fort me shtëpinë e Saulit.

3:7 Sauli kishte pasur një konkubinë të quajtur Ritspah, bijë e Ajahut; dhe Ish-Boshethi i tha Abnerit: “Pse ke hyrë te konkubina e atit tim?”.

3:8 Abneri u zemërua shumë nga fjalët e Ish-Boshethit dhe iu përgjigj: “Mos vallë jam një kokë qeni i Judës? Deri më sot jam treguar besnik i shtëpisë së Saulit, atit tënd, i vëllezërve dhe i miqve të saj dhe nuk të kam dorëzuar në duart e Davidit, dhe pikërisht sot ti më qorton për fajin që kam kryer me këtë grua!

3:9 Perëndia t`i bëjë Abnerit këtë dhe më keq në rast se nuk i bëj Davidit atë që Zoti i është betuar:

3:10 ta kaloj mbretërinë nga shtëpia e Saulit dhe të vendosë fronin e Davidit mbi Izrael dhe mbi Judën, nga Dani deri në Beer-Sheba”.

3:11 Ish-Boshethi nuk iu përgjigj dot as edhe me një fjalë të vetme Abnerit, sepse ia kishte frikën.

3:12 Atëherë Abneri i dërgoi në emër të tij lajmëtarë Davidit për t`i thënë: “Kujt i përket vendi? Bëj aleancë me mua dhe dora ime do të jetë me ty për të ta sjellë tërë Izraelin”.

3:13 Davidi iu përgjigj: “Kam diçka për të të kërkuar: Unë do të bëj aleancë me ty, por ti nuk do të ma shohësh fytyrën po nuk më solle më parë Mikalin, bijën e Saulit, kur të vish të më shikosh”.

3:14 Kështu Davidi i dërgoi lajmëtarë Ish-Boshethit, birit të Saulit, për t`i thënë: “Ma kthe bashkëshorten time Mikal, me të cilën u fejova për njëqind lafsha të Filistejve”.

3:15 Ish-Boshethi dërgoi ta marrin te burri i saj Paltiel, bir i Laishit.

3:16 Burri i saj shkoi me të dhe e ndoqi duke qarë deri në Bahurim. Pastaj Abneri i tha: “Shko, kthehu prapa!”. Dhe ai u kthye.

3:17 Pastaj Abneri u drejtoi fjalën pleqve të Izraelit, duke thënë: “Prej shumë kohe kërkoni Davidin si mbretin tuaj.

3:18 Tani erdhi koha të veprojmë, sepse Zoti ka folur për Davidin, duke thënë: “Me anë të Davidit, shërbëtorit tim, unë do të shpëtoj popullin tim të Izraelit nga duart e Filistejve dhe nga tërë armiqtë e tij”.

3:19 Abneri foli edhe me ata të Beniaminit. Pastaj Abneri shkoi te Davidi në Hebron për t`i njoftuar tërë ato që iu dukën të mira Izraelit dhe gjithë shtëpisë së Beniaminit.

3:20 Kështu Abneri arriti te Davidi në Hebron me njëzet njerëz, dhe Davidi shtroi një banket për Abnerin dhe për njerëzit që ishin me të.

3:21 Pastaj Abneri i tha Davidit: “Unë do të ngrihem dhe do të shkoj të mbledh tërë Izraelin rreth mbretit, zotërisë tim, me qëllim që të lidhin aleancë me ty dhe ti të mund të mbretërosh mbi gjithçka dëshëron zemra jote”. Pastaj Davidi u nda me Abnerin, që u largua në paqe.

Abneri vritet nga Joabi dhe qahet nga Davidi

3:22 Por ja, shërbëtorët e Davidit dhe Joabi po ktheheshin nga një plaçkitje, duke sjellë me vete një plaçkë të madhe; por Abneri nuk ishte më me Davidin në Hebron, sepse ky ishte ndarë me të dhe ai kishte ikur në paqe.

3:23 Kur mbërritën Joabi dhe tërë ushtarët që ishin me të, dikush ia tregoi ngjarjen Joabit, duke thënë: “Erdhi Abneri, bir i Nerit, te mbreti; ky u nda me të dhe ai iku në paqe”.

3:24 Atëherë Joabi shkoi te mbreti dhe i tha: “Ç`bëre ashtu? Ja, Abneri të erdhi; pse u ndave me të dhe ai u largua?

3:25 Ti e di që Abneri, bir i Nerit, erdhi që të të mashtrojë, që të njohë lëvizjet e tua dhe për të mësuar tërë ato që bën ti”.

3:26 Pasi u largua nga Davidi, Joabi dërgoi lajmëtarë pas Abnerit, të cilët e kthyen prapa nga hauzi i Sirahut pa e ditur Davidi.

3:27 Kur Abneri u kthye në Hebron, Joabi e mori mënjanë në mes të portës, gjoja për t`i folur fshehtazi, dhe këtu e goditi në bark dhe e vrau për të marrë hakun e gjakut të Asahelit, vëllait të tij.

3:28 Më vonë Davidi e mësoi këtë ngjarje dhe tha: “Unë dhe mbretëria ime jemi përjetë të pafajshëm përpara Zotit për gjakun e Abnerit, birit të Nerit.

3:29 Ky gjak rëntë mbi kryet e Joabit dhe mbi tërë shtëpinë e atit të tij; mos iu ndafshin kurrë shtëpisë së Joabit ata që vuajnë nga fluksi apo nga lebra, ata që duhet të mbështeten me shkop, që vdesin nga shpata o që janë pa bukë!”.

3:30 Kështu Joabi dhe Abishai, vëllai i tij, vranë Abnerin, sepse ky kishte vrarë Asahelin, vëllanë e tyre në Gabaon gjatë betejës.

3:31 Pastaj Davidi i tha Joabit dhe tërë popullit që ishte me të: “Grisni rrobat e trupit, mbështilluni me thasë dhe mbani zi për vdekjen e Abnerit!”. Edhe mbreti David shkoi pas arkivolit.

3:32 Kështu e varrosën Abnerin në Hebron, dhe mbreti ngriti zërin dhe qau përpara varrit të Abnerit; edhe tërë populli qau.

3:33 Mbreti ia mori një vajtimi për Abnerin dhe tha: “A duhet të vdiste Abneri si vdes një budalla?

3:34 Duart e tua nuk ishin të lidhura, as këmbët e tua nuk ishin të shtrënguara me zinxhirë prej bronzi! Ti re para keqbërësve”.

3:35 Pastaj tërë populli erdhi për të ftuar Davidin që të hante, sa ishte akoma ditë; por Davidi u betua duke thënë: “Kështu ma bëftë Perëndia madje më keq, po futa në gojë bukë apo ndonjë gjë tjetër para se të perëndojë dielli”.

3:36 Tërë populli e kuptoi dhe e miratoi këtë gjë; çdo gjë që bënte mbreti miratohej nga tërë populli.

3:37 Kështu tërë populli dhe tërë Izraeli e kuptuan që qëllimi i mbretit nuk ishte aspak ta vriste atë ditë Abnerin, birin e Nerit.

3:38 Pastaj mbreti u tha shërbëtorëve të tij: “Nuk e dini që një princ dhe një njeri i madh humbi sot jetën në Izrael?

3:39 Megjithëse jam vajosur mbret, unë jam ende i dobët, ndërsa këta njerëz, bijtë e Tserajahut, janë shumë më të fortë se unë. E shpagoftë Zoti keqbërësin simbas të këqijave që ka bërë”.

[previous][next]