2 Timoteut 2

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


2:1 Ti, pra, biri im, forcohu në hirin që është në Krishtin Jezus;

2:2 dhe ato që dëgjove nga unë përpara shumë dëshmitarëve, jepua njerëzve besnikë, që do të jenë të aftë të mësojnë edhe të tjerë.

2:3 Ti, pra, duro pjesën tënde të vuajtjeve, si një ushtar i mirë i Jezu Krishtit.

2:4 Sepse asnjë nga ata që shkojnë ushtarë nuk ngatërrohet me punërat e jetës, që t`i pëlqejë atij që e mori ushtar.

2:5 Po ashtu, nëse dikush merr pjesë në gara, nuk kurorëzohet po të mos ketë luftuar sipas rregullave.

2:6 Bujku që mundohet duhet ta marrë i pari pjesën e fryteve.

2:7 Mendo për ato që të them, sepse Zoti do të të japë mend për të gjitha.

2:8 Kujto që Jezu Krishti, nga fisi i Davidit, u ngjall së vdekuri sipas ungjillit tim,

2:9 për të cilin unë po vuaj deri edhe në pranga posi keqbërës; por fjala e Perëndisë nuk lidhet në pranga.

2:10 Prandaj unë i duroj të gjitha për shkak të të zgjedhurve, që ata të kenë shpëtimin që është në Krishtin Jezus, bashkë me lavdi të përjetshme.

2:11 Kjo fjalë është e vërtetë, sepse, nëse ne vdiqëm me të, me të edhe do të rrojmë;

2:12 në qoftë se vuajmë, do të mbretërojmë bashkë me të; po ta mohojmë, edhe ai do të na mohojë.

2:13 Nëse jemi të pabesë, ai mbetet besnik, sepse ai nuk mund të mohojë vetveten.

Si duhet të sillemi me ata që largohen nga besimi dhe nga dëlirësia e krishterë

2:14 Ua kujto atyre këto gjëra, duke u përbetuar përpara Zotit të mos hahen kot me fjalë pa asnjë dobi, në dëm të atyre që dëgjojnë.

2:15 Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës.

2:16 Shmangu nga fjalët e kota dhe profane, sepse do të çojnë në pabesi,

2:17 dhe fjala e tyre do të brejë si një gangrenë; ndër këta janë Himeneu dhe Fileti,

2:18 të cilët dolën jashtë rrugës së të vërtetës, duke thënë se ringjallja ka ngjarë dhe përmbysin besimin e disave.

2:19 Megjithatë themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur, dhe ka këtë vulë: "Zoti i njeh të vetët", dhe: "Le t`i largohet paudhësisë kushdo që përmend emrin e Krishtit".

2:20 Në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë prej ari dhe argjendi, por edhe prej druri dhe balte; disa për të nderuar; të tjerat për të mos nderuar.

2:21 Pra, në qoftë se dikush pastrohet nga këto gjëra, do të jetë një enë nderi, e shenjtëruar dhe e dobishme për të zotin, e përgatitur për çdo vepër të mirë.

2:22 Largohu nga pasionet rinore dhe bjeru pas drejtësisë, besimit, dashurisë dhe paqes bashkë me ata që e thërresin në ndihmë Zotin me zemër të pastër.

2:23 Shmang gjithashtu diskutimet e marra dhe pa mend, duke ditur se shkaktojnë grindje.

2:24 Sepse shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, por të jetë i butë me të gjithë, i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm,

2:25 duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që arrijnë të njohin të vërtetën,

2:26 dhe të vijnë në vete, duke shpëtuar nga laku i djallit, që i ka zënë robër të vullnetit të tij.

[previous][next]