2 Timoteut 4

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


4:1 Po të përbej, pra, përpara Perëndisë dhe Zotit Jezu Krisht, që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur, në dukjen e tij dhe në mbretërinë e tij:

4:2 prediko fjalën, ngul këmbë me kohë e pa kohë, kritiko dhe qorto, këshillo me çdo durim e doktrinë.

4:3 Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët

4:4 dhe do t`i largojnë veshët nga e vërteta e do t`i sjellin drejt përrallave.

4:5 Por ti rri syçelë në çdo gjë, duro vuajtjet, kryeje punën e ungjilltarit, përmbushe plotësisht shërbesën tënde.

Pali parashikon fundin e tij të afërt; lajme për njerëz të ndryshëm; përshëndetje dhe bekime

4:6 Sa për mua, po derdhem si ofertë pije, dhe koha e nisjes sime arriti.

4:7 Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin.

4:8 Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë, dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij.

4:9 Përpiqu të vish shpejt tek unë,

4:10 sepse Dema më la, sepse deshi këtë botë, dhe iku në Thesaloniki; Kreshenci në Galati, Titi në Dalmaci.

4:11 Me mua është vetëm Lluka; merre Markun dhe sille me vete, sepse e kam shumë të dobishëm për shërbesë.

4:12 Tikikun e dërgova në Efes.

4:13 Kur të vish, sill mantelin që lashë në Troadë, pranë Karpit, dhe librat, sidomos pergamenat.

4:14 Aleksandri, remtari, më bëri shumë të këqija; Zoti ia shpagoftë sipas veprave të tij.

4:15 Ruaju edhe ti prej tij, sepse ka qenë kundërshtar i madh i fjalëve tona.

4:16 Në mbrojtjen time të parë në gjyq askush nuk qe me mua, por të gjithë më lanë; kjo të mos u numërohet për faj.

4:17 Por Zoti më ndenji pranë dhe më dha fuqi, që me anën time predikimi i ungjillit të kryhej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë johebrenjtë; dhe unë shpëtova nga goja e luanit.

4:18 Edhe Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do të më ruajë për mbretërinë e tij qiellore. Lavdi atij në shekuj të shekujve. Amen.

4:19 Të fala Prishilës dhe Akuilës dhe shtëpisë së Onesiforit.

4:20 Erasti mbeti në Korint, por Trofimin e lashë të sëmurë në Milet.

4:21 Përpiqu të vish përpara dimrit. Të përshëndetin Eubuli, Pudenti, Lini, Klaudja dhe të gjithë vëllezërit.

4:22 Zoti Jezu Krisht qoftë me frymën tënde! Hiri qoftë me ju! Amen.