2 Timoteut 3

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Korrupsioni i skajshëm i kohëve të fundit

3:1 Dhe dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira,

3:2 sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë,

3:3 të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s`e duan të mirën,

3:4 tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se perëndidashës,

3:5 të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj; edhe nga këta largohu.

3:6 Sepse prej këtyre janë ata që futen nëpër shtëpi dhe i bëjnë për vete femrat e ngarkuara me mëkate, të sunduara nga pasione të ndryshme,

3:7 të cilat mësojnë gjithnjë dhe kurrë nuk mund të arrijnë në njohjen e plotë të së vërtetës.

3:8 Dhe sikurse Janesi dhe Jambresi i kundërshtuan Moisiut, po kështu edhe këta i kundërvihen së vërtetës; janë njerëz mendjeprishur, të neveritshëm në çështjen e besimit.

3:9 Por këta nuk do të shkojnë shumë përpara, sepse marrëzia e tyre do të dalë në shesh për të gjithë, ashtu sikurse u ngjau edhe atyre.

Thirrje për të ngulmuar në njohjen dhe në mësimin e doktrinës së shëndoshë

3:10 Dhe ti ndoqe nga afër mësimin tim, sjelljen, këshillat, besimin, durimin, dashurinë, ngulmin,

3:11 përndjekjet, vuajtjet që më ndodhën në Antioki, në Ikonio, dhe në Listra; ti e di çfarë përndjekjesh hoqa, por Perëndia më shpëtoi nga të gjitha.

3:12 Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen,

3:13 por njerëzit e këqij dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke gënjyer dhe duke u gënjyer vetë.

3:14 Por ti qëndro në ato që mësove dhe u binde plotësisht, duke e ditur prej kujt i mësove,

3:15 dhe se që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus.

3:16 I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi,

3:17 që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.

[previous][next]