Amosi 5

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Vajtim mbi Izraelin dhe grishje për pendesë

5:1 Dëgjoni këtë fjalë, këtë vajtim që unë ngre mbi ju, o shtëpi e Izraelit.

5:2 Virgjëresha e Izraelit ra dhe nuk do të ngrihet më; ajo rri shtrirë në tokën e vet dhe askush nuk e ngre.

5:3 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: “Qyteti që dilte me njëmijë njerëz do të mbetet me njëqind, ndërsa ai që dilte me njëqind do të mbetet me dhjetë për shtëpinë e Izraelit”.

5:4 Sepse kështu thotë Zoti shtëpisë së Izraelit: “Më kërkoni dhe do të rroni,

5:5 por mos kërkoni Bethelin, mos shkoni në Gilgal, mos vazhdoni deri në Beer-Sheba, sepse Gilgali do të shkojë me siguri në robëri dhe Betheli do të katandiset në asgjë.

5:6 Kërkoni Zotin dhe do të rroni, që të mos shpërthejë si zjarr në shtëpinë e Jozefit dhe ta gllabërojë pa qenë në gjendje ta shuajë askush në Bethel.

5:7 Ai braktis ata që e ndërrojnë ndershmërinë dhe drejtësinë në helm mbi tokë”.

5:8 Ai ka bërë Plejadat dhe Orionin, e kthen hijen e vdekjes në agim dhe e bën ditën të errët si nata; thërret ujërat e detit dhe i derdh mbi faqen e dheut: emri i tij është Zoti.

5:9 Ata sjellin papritmas shkatërrimin mbi të fuqishmit, dhe kështu rrënimi u sulet fortesave.

5:10 Ata e urrejnë atë që i qorton te porta dhe kanë neveri për ata që flasin me ndershmëri.

5:11 Pastaj, duke qenë se keni shtypur të varfrin dhe kërkoni prej tij taksa në grurë, megjithëse keni ndërtuar shtëpi prej guri të palatuar, nuk do të banoni në to; keni mbjellë vreshta të mrekullueshme, por nuk do ta pini verën e tyre.

5:12 Unë, pra, njoh sa të shumta janë shkeljet tuaja dhe sa të rënda janë mëkatet tuaja; ju shtypni të drejtin, pranoni dhurata dhe u bëni padrejtësi të varfërve në gjyq.

5:13 Prandaj njeriu i matur në këtë kohë do të heshtë, sepse koha është e keqe.

5:14 Kërkoni të mirën dhe jo të keqen, që të rroni, dhe kështu Zoti, Perëndia i ushtrive, do të jetë me ju, ashtu si thoni ju.

5:15 Urreni të keqen, dashuroni të mirën dhe vendosni mirë drejtësinë në gjyq. Ndofta Zoti, Perëndia i ushtrive, do të tregojë dhemshurinë për ata që kanë mbetur nga Jozefi.

5:16 Prandaj kështu thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, Zoti: “Në të gjitha sheshet do të ketë vajtime dhe në të gjitha rrugët do të thonë: “Vaj medet, vaj medet!”. Atëherë do të thërrasin bujkun të mbajë

5:17 Në të gjitha vreshtat do të ketë vajtim, sepse unë do të kaloj në mes teje”, thotë Zoti.

Dita e Zotit

5:18 Mjerë ju që dëshironi ditën e Zotit! Çfarë do të jetë vallë për ju dita e Zotit? Do të jetë një ditë terri dhe jo drite.

5:19 Do të jetë ashtu si dikush që fugon para një luani dhe ndesh një ujk; ose hyn në shtëpi, e mbështet dorën mbi mur dhe një gjarpër e kafshon.

5:20 Dita e Zotit a nuk është vallë terr dhe jo dritë, errësirë e madhe dhe pa asnjë shkëlqim?

5:21 Unë i urrej, i përçmoj festat tuaja, nuk ndiej asnjë gëzim në mbledhjet tuaja solemne.

5:22 Edhe sikur të më ofroni olokaustet tuaja dhe blatimet tuaja ushqimore, unë nuk do t`i pëlqej as do të shikoj me favor flijimet e falendërimit të kafshëve të majme.

5:23 Largo nga unë zhurmën e këngëve të tua, sepse nuk dua të dëgjoj muzikën e harpave të tua.

5:24 Por le të rrjedhë e drejta si uji dhe drejtësia si një burim i përhershëm uji.

5:25 O shtëpi e Izraelit, më keni ofruar vallë flijime dhe blatime ushqimore në shkretëtrë për dyzet vjet me radhë?

5:26 Ju keni mbartur gjithashtu Sikuthin, mbretin tuaj, dhe Kiunin, figurat tuaja, yllin e perëndive tuaja, që i keni bërë vetë.

5:27 Prandaj unë do të bëj që të shkoni në robëri matanë Damaskut”, thotë Zoti, emri i të cilit është Perëndia i ushtrive.