Efesianëve 5

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


5:1 Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur,

5:2 edhe ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne, si ofertë e flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë.

5:3 Por, ashtu si u ka hije shenjtorëve, as kurvëria, as ndonjë papastërti, as kurnacëri të mos zihet në gojë midis jush;

5:4 as pandershmëri, as të folur pa mend e të përqeshur, të cilat nuk kanë hije, por më tepër të ketë falenderime.

5:5 Të dini në fakt këtë: asnjë kurvar, ose i ndyrë ose kurnac, i cili është idhujtar, nuk ka ndonjë trashëgim në mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë.

5:6 Askush të mos ju gënjejë me fjalë të kota, sepse, për shkak të këtyre gjërave, vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes.

5:7 Mos jini, pra, shokë me ta.

5:8 Sepse dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotin; ecni, pra, si bij të dritës,

5:9 sepse fryti i Frymës konsiston në gjithçka që është mirësi, drejtësi dhe të vërtetë,

5:10 duke provuar çfarë është e pranueshme për Perëndinë.

5:11 Dhe mos merrni pjesë në punët e pafrytshme të errësirës, por më tepër t`i qortoni,

5:12 sepse ato që bëjnë ata në fshehtësi, është turp edhe të thuhen.

5:13 Kurse të gjitha gjërat, kur dalin në dritë, bëhen të dukshme, sepse çdo gjë që shfaqet është dritë.

5:14 Prandaj Shkrimi thotë: “Zgjohu, ti që fle, dhe ringjallu prej së vdekurish, dhe Krishti do të shndrisë mbi ty“.

5:15 Kujdesuni, pra, që të ecni me kujdes dhe jo si të marrët, por si të mençurit,

5:16 duke e shfyrtësuar kohën, sepse ditët janë të mbrapshta.

5:17 Prandaj mos u bëni të pakujdesshëm, por kuptoni cili është vullneti i Zotit.

5:18 Dhe mos u dehni me verë, në të cilën ka shthurje, por mbushuni me Frymë,

5:19 duke i folur njeri tjetrit me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar dhe duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj,

5:20 duke e falënderuar vazhdimisht për çdo gjë Perëndinë dhe Atin, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht;

5:21 nënshtrohuni njëri-tjetrit në druajtjen e Krishtit!

Martesa dhe familja e krishterë

5:22 Ju, gratë, nënshtrohuni burrave tuaj porsi Zotit,

5:23 sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës, dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit.

5:24 Ashtu si kisha i është nënshtruar Krishtit, kështu gratë duhet t`i nënshtrohen burrave të tyre në çdo gjë.

5:25 Ju, burra, t`i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të,

5:26 që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës,

5:27 që ta nxjerrë atë përpara vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të ti-llë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme.

5:28 Kështu burrat duhet t`i duan gratë e veta porsi trupat e tyre; kush do gruan e vet do vetveten.

5:29 Sepse askush nuk urreu mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me butësi për të, sikurse edhe Zoti bën me kishën,

5:30 sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij, të mishit të tij dhe të kockave të tij.

5:31 “Prandaj njeriu do të lërë babanë e vet dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet, dhe të dy do të bëhen një mish i vetëm“.

5:32 Ky mister është i madh; tani unë e them në lidhjen me Krishtin dhe me kishën.

5:33 Por secili nga ju kështu ta dojë gruan e vet sikurse e do veten e vet; dhe po kështu gruaja ta respektojë burrin.