Efesianëve 6

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


6:1 Fëmijë, binduni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë.

6:2 “Ndero babanë tënd dhe nënën tënde“, ky është urdhërimi i parë me premtim,

6:3 “që ti të jesh mirë dhe të jetosh gjatë mbi dhe“.

6:4 Dhe ju, etër, mos provokoni për zemërim fëmijtë tuaj, por i edukoni në disiplinë dhe në këshillë të Zotit.

6:5 Ju, shërbëtorë, bindjuni zotërinjve tuaj sipas mishit me druajtje dhe dridhje, në thjeshtësinë e zemrës suaj, porsi Krishtit,

6:6 duke mos shërbyer për sy e faqe, si ata që duan t`u pëlqejnë njerëzve, por si shërbëtorë të Krishtit, duke bërë vullnetin e Perëndisë me zemër,

Shërbëtorë dhe zotërinj

6:7 duke shërbyer me dashuri si për Krishtin dhe jo si për njerëzit,

6:8 duke ditur se gjithsecili, qoftë skllav apo i lirë, po të bëjë të mirën, do të marrë shpërblimin nga Zoti.

6:9 Dhe ju, zotërinj, bëni po kështu ndaj tyre, duke i lënë kërcënimet, duke ditur që i tyre dhe juaji Zot është në qiell dhe se tek ai nuk ka asnjë anësi.

Armatimi i Perëndisë

6:10 Për çfarë mbetet, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij.

6:11 Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit,

6:12 sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore.

6:13 Prandaj merreni të gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të rezistoni në ditën e mbrapshtë dhe të mbeteni më këmbë pasi t`i keni kryer çdo gjë.

6:14 Qëndroni, pra, të fortë, duke patur në ijë brezin e së vërtetës, të veshur me parzmoren e drejtësisë,

6:15 dhe duke mbathur këmbët me gatishmërinë e ungjillit të paqes,

6:16 mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.

6:17 Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë,

6:18 duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën, duke ndenjur zgjuar për këtë qëllim me çdo ngulmim dhe lutje për të gjithë shenjtorët,

6:19 dhe edhe për mua, që kur të hap gojën time, të më jepet të flas lirësisht për ta bërë të njohur misterin e ungjillit,

6:20 për të cilin jam i dërguari në pranga, që të mund të shpall lirësisht, siç e kam për detyrë.

Dërgimi i Tikikut; përshëndetje dhe bekime

6:21 Por, që ta dini edhe ju si jam dhe çfarë bëj, Tikiku, vëllai i dashur dhe shërbenjësi besnik në Zotin, do t`ju informojë për të gjitha;

6:22 të cilin pikërisht për këtë qëllim po ju kam dërguar, që të jeni në dijeni të gjendjes sonë dhe të ngushëllojë zemrat tuaja.

6:23 Paqe vëllezërve dhe dashuri me besim nga Perëndia Ati dhe nga Zoti Jezu Krisht.

6:24 Hiri qoftë me të gjithë ata që duan Zotin tonë Jezu Krisht me sinqeritet.