BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Drejtimi, përshëndetjet dhe falënderime
 1:1  Pali, i burgosuri i Jezu Krishtit, dhe vëlla Timoteu, Filemonit të dashur dhe bashkëpunëtorit tonë,
 1:2  motrës Apfi, bashkëluftëtarit tonë Arkipit, dhe kishës që mblidhet në shtëpinë tënde:
 1:3  hir dhe paqe mbi ju prej Perëndisë sonë, Atit, dhe Zotit Jezu Krisht.
 1:4  E falënderoj Perëndinë tim, duke të kujtuar gjithnjë në lutjet e mia,
 1:5  sepse po dëgjoj për dashurinë tënde dhe për besimin që ke ndaj Zotit Jezu Krisht dhe ndaj gjithë shenjtorëve,
 1:6  që bashkësia e besimit tënd të bëhet e frytshme nëpërmjet njohjes së çdo të mire që është në ju për shkak të Jezu Krishtit.
 1:7  Sepse ne patëm gëzim të madh dhe përdëllim nga dashuria jote, sepse me anën tënde, o vëlla, zemrat e shenjtorëve u përtërinë.
Pali ndërhyn për skllavin e kthyer Onesim, që kishte ikur nga i zoti
 1:8  Prandaj, edhe pse kam liri të plotë në Krishtin të të urdhëroj atë që duhet të bësh,
 1:9  më shumë më pëlqen të të lutem për dashurinë, kështu siç jam unë, Pali, plak dhe tashti edhe i burgosur i Jezu Krishtit;
 1:10  të lutem për birin tim Onesim, që më lindi në prangat e mia,
 1:11  i cili dikur s`kishte fare vlerë për ty, por që tani është shumë i vlefshëm për ty e për mua,
 1:12  të cilin ta dërgova përsëri; dhe ti prite atë, zemrën time.
 1:13  Do të desha ta mbaja pranë vetes që të më shërbente në vendin tënd në prangat për shkak të ungjillit;
 1:14  por nuk desha të bëja asgjë pa mendjen tënde që e mira të cilën do të bësh të mos jetë nga detyrimi, por me dashje.
 1:15  Sepse ndoshta për këtë arsye qe ndarë prej teje për pak kohë, që ta kesh atë përgjithmonë,
 1:16  por jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, vëlla të dashur, sidomos për mua, por aq më tepër për ty si sipas mishit, ashtu dhe në Zotin.
 1:17  në qoftë se ti, pra, më konsideron shok, prite si të isha vetë!
 1:18  Dhe në qoftë se të ka bërë ndonjë padrejtësi ose të ka ndonjë detyrim, m`i ngarko mua.
 1:19  Unë, Pali, i shkrova me dorën time. Unë vetë do të paguaj; që të mos them se ti më detyrohesh edhe veten tënde!
 1:20  Po, vëlla, ma bëj këtë nder në Perëndinë! Ma përtëri zemrën në Perëndinë!
 1:21  Të shkrova me plotbesim se do të më dëgjosh, sepse e di se ti do të bësh edhe më shumë nga sa po të them.
Komunikime personale; përshëndetje
 1:22  Më përgatit njëkohësht një vend për të ndenjur, sepse shpresoj se, për hir të lutjeve tuaja, do t`ju dhurohem përsëri.
 1:23  Epafra, i burgosur bashkë me mua në Jezu Krishtin,
 1:24  Marku, Aristarku, Dema dhe Lluka, bashkëpunëtorët e mi, të bëjnë të fala.
 1:25  Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me frymën tuaj. Amen.
