Filemonit 1

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Drejtimi, përshëndetjet dhe falënderime

1:1 Pali, i burgosuri i Jezu Krishtit, dhe vëlla Timoteu, Filemonit të dashur dhe bashkëpunëtorit tonë,

1:2 motrës Apfi, bashkëluftëtarit tonë Arkipit, dhe kishës që mblidhet në shtëpinë tënde:

1:3 hir dhe paqe mbi ju prej Perëndisë sonë, Atit, dhe Zotit Jezu Krisht.

1:4 E falënderoj Perëndinë tim, duke të kujtuar gjithnjë në lutjet e mia,

1:5 sepse po dëgjoj për dashurinë tënde dhe për besimin që ke ndaj Zotit Jezu Krisht dhe ndaj gjithë shenjtorëve,

1:6 që bashkësia e besimit tënd të bëhet e frytshme nëpërmjet njohjes së çdo të mire që është në ju për shkak të Jezu Krishtit.

1:7 Sepse ne patëm gëzim të madh dhe përdëllim nga dashuria jote, sepse me anën tënde, o vëlla, zemrat e shenjtorëve u përtërinë.

Pali ndërhyn për skllavin e kthyer Onesim, që kishte ikur nga i zoti

1:8 Prandaj, edhe pse kam liri të plotë në Krishtin të të urdhëroj atë që duhet të bësh,

1:9 më shumë më pëlqen të të lutem për dashurinë, kështu siç jam unë, Pali, plak dhe tashti edhe i burgosur i Jezu Krishtit;

1:10 të lutem për birin tim Onesim, që më lindi në prangat e mia,

1:11 i cili dikur s`kishte fare vlerë për ty, por që tani është shumë i vlefshëm për ty e për mua,

1:12 të cilin ta dërgova përsëri; dhe ti prite atë, zemrën time.

1:13 Do të desha ta mbaja pranë vetes që të më shërbente në vendin tënd në prangat për shkak të ungjillit;

1:14 por nuk desha të bëja asgjë pa mendjen tënde që e mira të cilën do të bësh të mos jetë nga detyrimi, por me dashje.

1:15 Sepse ndoshta për këtë arsye qe ndarë prej teje për pak kohë, që ta kesh atë përgjithmonë,

1:16 por jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, vëlla të dashur, sidomos për mua, por aq më tepër për ty si sipas mishit, ashtu dhe në Zotin.

1:17 në qoftë se ti, pra, më konsideron shok, prite si të isha vetë!

1:18 Dhe në qoftë se të ka bërë ndonjë padrejtësi ose të ka ndonjë detyrim, m`i ngarko mua.

1:19 Unë, Pali, i shkrova me dorën time. Unë vetë do të paguaj; që të mos them se ti më detyrohesh edhe veten tënde!

1:20 Po, vëlla, ma bëj këtë nder në Perëndinë! Ma përtëri zemrën në Perëndinë!

1:21 Të shkrova me plotbesim se do të më dëgjosh, sepse e di se ti do të bësh edhe më shumë nga sa po të them.

Komunikime personale; përshëndetje

1:22 Më përgatit njëkohësht një vend për të ndenjur, sepse shpresoj se, për hir të lutjeve tuaja, do t`ju dhurohem përsëri.

1:23 Epafra, i burgosur bashkë me mua në Jezu Krishtin,

1:24 Marku, Aristarku, Dema dhe Lluka, bashkëpunëtorët e mi, të bëjnë të fala.

1:25 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me frymën tuaj. Amen.