Fjalët e Urta 1

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


1. NXITJE QË U DREJTOHEN TË RINJVE

Hyrje: Qëllimi dhe dobia e fjalëve të urta

1:1 Fjalët e urta të Salomonit, birit të Davidit, mbret i Izraelit,

1:2 për të njohur diturinë dhe për të mësuar gjykimet e mënçura;

1:3 për të ditur si të veprosh me urti, me drejtësi, me gjykim dhe ndershmëri,

1:4 për t`u dhënë shkathtësi njerëzve të thjeshtë, njohje dhe reflektim të riut.

1:5 I urti do të dëgjojë dhe do të rritë diturinë e tij; njeriu i zgjuar do të përfitojë këshilla të urta,

1:6 për të kuptuar një sentencë dhe një enigmë, fjalët e të urtëve dhe thëniet e tyre të errëta.

1:7 Frika e Zotit është fillimi i njohjes; por njerëzit e pamend përçmojnë diturinë dhe arsimin.

Bindju prindërve

1:8 Dëgjo, o biri im, mësimet e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënes sate,

1:9 sepse janë një nur që zbukuron kokën tënde dhe një stoli në qafën tënde.

Shmangu nga shoqëria e keqe

1:10 Biri im, në qoftë se mëkatarët duan të të mashtrojnë, mos prano,

1:11 në qoftë se thonë: “Eja me ne; kemi ngritur një pritë për të derdhur gjak; i ngritëm gracka të pafajmit pa ndonjë shkak;

1:12 le t`i kapërdimë të gjallë, ashtu si Sheoli, tërësisht si ata që zbresin në gropë;

1:13 ne do të gjejmë lloj-lloj pasurish të çmueshme, do t`i mbushim shtëpitë tona me plaçka;

1:14 ti do ta hedhësh në short pjesën tënde me ne, dhe të gjithë ne do të kemi një qese të vetme”;

1:15 biri im, mos shko me ta në po atë rrugë, ndale hapin nga shtegu i tyre,

1:16 sepse këmbët e tyre turren drejt së keqes dhe ata nxitojnë të derdhin gjak.

1:17 Shtrihet më kot rrjeta përpara çdo lloji zogjsh;

1:18 por këta kurdisin prita kundër gjakut të vet dhe ngrenë kurthe kundër vetë jetës së tyre.

1:19 Të tilla janë rrugët e çdo njeriu të etur për pasuri; ajo ia heq jetën atyre që e kanë.

Paralajmërim për të mos hedhur poshtë diturinë

1:20 Dituria bërtet nëpër rrugë, zëri i saj dëgjohet nëpër sheshe;

1:21 ajo thërret në vendet ku ka turma dhe ligjëron në hyrje të portave të qytetit;

1:22 “Deri kur, o njerëz të thjeshtë, do t`ju pëlqejë thjeshtësia dhe tallësit do të kënaqen duke u tallur dhe budallenjtë do të urrejnë dijen?

1:23 Ejani në vete nga qortimi im; ja, unë do të derdh mbi ju Frymën time dhe do t`ju bëj të njohura fjalët e mia.

1:24 Sepse unë thirra dhe ju nuk keni dashur, shtriva dorën time dhe askush prej jush nuk i kushtoi vëmendje,

1:25 përkundrazi hodhët poshtë të gjitha këshillat e mia dhe nuk pranuat ndreqjen time,

1:26 edhe unë do të qesh me fatkeqësinë tuaj, do të tallem kur të vijë ajo që ju druani,

1:27 kur ajo që druani të vijë si një furtunë, dhe fatkeqësia juaj të vijë si një stuhi, kur t`ju mbulojnë fatkeqësia dhe ankthi.

1:28 Atëherë ata do të më thërrasin mua, por unë nuk do të përgjigjem; do të më kërkojnë me kujdes, por nuk do të më gjejnë.

1:29 Sepse kanë urryer dijen dhe nuk kanë zgjedhur frikën e Zotit,

1:30 nuk kanë dashur të pranojnë këshillën time dhe kanë përbuzur të gjitha qortimet e mia.

1:31 Prandaj do të hanë frytin e sjelljes së tyre dhe do të ngopen me këshillat e tyre.

1:32 Sepse përdalja e njerëzve të thjeshtë i vret dhe qetësia e rreme e budallenjve i zhduk;

1:33 por ai që më dëgjon do të banojë një vend të sigurt, do të jetë me të vërtetë i qetë, pa frikë nga çfarëdo e keqe”.