Fjalët e Urta 6

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Mos u bëj garant për asnjeri

6:1 Biri im, në qoftë se je bërë garant për të afërmin tënd, në rast se ke dhënë dorën si garanci për një të huaj,

6:2 je zënë në lakun e fjalëve të gojës sate, je zënë nga fjalët e gojës sate.

6:3 Bëj këtë, pra, biri im, dhe shpengohu, sepse ke rënë në duart e të afërmit tënd. Shko, hidhu në këmbët e tij dhe ngul këmbë me të madhe te i afërmi yt.

6:4 Mos u jep gjumë syve të tu as çlodhje qepallave të tua;

6:5 çlirohu si gazela nga dora e gjahtarit, si zogu nga dora e atij që kap zogjtë.

Paralajmërim kundër përtacisë dhe dyfaqësisë

6:6 Shko te milingona, o përtac, vër re zakonet e saj dhe bëhu i urtë.

6:7 Ajo nuk ka as kryetar, as mbikëqyrës, as zot;

6:8 e gjen ushqimin në verë dhe mbledh zahirenë e saj gjatë korrjes.

6:9 Deri kur, o përtac, do të rrish duke fjetur? Kur do të shkundesh nga gjumi yt?

6:10 Të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish me duar në ije për t`u çlodhur,

6:11 kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës, dhe skamja jote si një njeri i armatosur.

6:12 Njeriu pa vlerë, njeriu i keq, ecën me një gojë të çoroditur;

6:13 luan syrin, flet me këmbët, bën shenja me gishta;

6:14 ka ligësi në zemër, kurdis vazhdimisht të keqen dhe mbjell grindje.

6:15 Prandaj shkatërrimi i tij do të vijë papritur, në një çast do të shkatërrohet pa rrugëdalje tjetër.

Gjëra të neveritshme për Zotin

6:16 Zoti i urren këto gjashtë gjëra, madje shtatë janë të neveritshme për të:

6:17 sytë krenare, gjuha gënjeshtare, duart që derdhin gjak të pafajshëm,

6:18 zemra që kurdis plane të këqija, këmbët që turren shpejt drejt së keqes,

6:19 dëshmitari i rremë që thotë gënjeshtra dhe ai që shtie grindje midis vëllezërve.

Paralajmërim kundër gruas që shkel kurorën

6:20 Biri im, ruaje urdhërimin e atit tënd dhe mos harro mësimet e nënës sate.

6:21 Mbaji vazhdimisht të lidhura në zemrën tënde dhe fiksoji rreth qafës sate.

6:22 Kur do të ecësh, do të të udhëheqin; kur të pushosh, do të të ruajnë; kur të zgjohesh, do të flasin me ty.

6:23 Sepse urdhërimi është një llambë, mësimi një dritë, dhe ndreqjet e mësimit janë rruga e jetës,

6:24 për të të mbrojtur nga gruaja e keqe, nga lajkat e gjuhës të gruas së huaj.

6:25 Mos dëshiro në zemrën tënde bukurinë e saj dhe mos u rrëmbe nga qepallat e saj.

6:26 Sepse për një prostitutë burri katandiset për një copë bukë, dhe gruaja e një tjetri gjuan shpirtin e vyer të një burri.

6:27 A mund të mbajë burri një zjarr në gji të tij pa djegur rrobat e trupit?

6:28 A mund të ecë burri mbi qymyr të ndezur pa djegur këmbët e tij?

6:29 Në këtë gjendje është ai që shkon tek gruaja e një tjetri; kush e prek nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.

6:30 Nuk përçmohet hajduti që vjedh për të shuar urinë kur është i uritur;

6:31 por në rast se kapet në faj, duhet të kthejë shtatëfishin, dhe të japë tërë pasurinë e shtëpisë së tij.

6:32 Por ai që kryen një shkelje kurore me një grua është një njeri pa mend; ai që bën një gjë të tillë shkatërron jetën e tij.

6:33 Do të gjejë plagë dhe përçmim, dhe turpi i tij nuk do t`i hiqet kurrë.

6:34 sepse xhelozia e tërbon bashkëshortin, që do të jetë i pamëshirshëm ditën e hakmarrjes.

6:35 Ai nuk do të pranojë asnjë shpërblim dhe nuk do të kënaqet, edhe sikur t`i bëjnë shumë dhurata.