Fjalët e Urta 8

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Lëvdimi dhe vlera e diturisë

8:1 A nuk bërtet vallë dituria dhe maturia a nuk e bën zërin e saj të dëgjohet?

8:2 Ajo qëndron në këmbë mbi majën e lartësive, gjatë rrugës, në kryqëzimet e rrugëve;

8:3 bërtet pranë portave, në hyrje të qyteteve, në prag të dyerve;

8:4 “Ju drejtohem juve, o njerëz dhe zëri im u drejtohet bijve të njeriut.

8:5 Kuptoni, o njerëz të thjeshtë, maturinë, dhe ju, njerëz pa mend, kini një zemër të urtë.

8:6 Më dëgjoni, sepse do të flas për gjëra të rëndësishme dhe buzët e mia do të hapen për të thënë gjëra të drejta.

8:7 Sepse goja ime do të shpallë të vërtetën; pabesia është e neveritshme për buzët e mia.

8:8 Të gjitha fjalët e gojës sime janë të drejta, në to nuk ka asgjë të shtrembër dhe të çoroditur.

8:9 Janë të gjitha të drejta për atë që ka mend dhe për ata që kanë gjetur dijen.

8:10 Pranoni mësimin tim dhe jo argjendin, dijen në vend të arit të zgjedhur,

8:11 sepse dituria vlen më tepër se margaritarët, të gjitha gjërat që dikush mund dikush të dëshiroje nuk barazohen me të.

8:12 Unë, dituria, rri me maturinë dhe e gjej dijen në meditim.

8:13 Frika e Zotit është të urresh të keqen; unë e urrej kryelartësinë, arrogancën, rrugën e keqe dhe gojën e çoroditur.

8:14 Mua më takon mendimi dhe dituria e vërtetë; unë jam zgjuarsia, mua më përket forca.

8:15 Nëpërmjet meje mbretërojnë mbretërit dhe princat vendosin drejtësinë.

8:16 Nëpërmjet meje qeverisin krerët, fisnikët, tërë gjykatësit e tokës.

8:17 Unë i dua ata që më duan, dhe ata që më kërkojnë me kujdes më gjejnë.

8:18 Me mua janë pasuria dhe lavdia, pasuria që zgjat dhe drejtësia.

8:19 Fryti im është më i mirë se ari, po, se ari i kulluar, dhe prodhimi im më tepër se argjendi i zgjedhur.

8:20 Unë eci në rrugën e drejtësisë, në mes të shtigjeve të drejtësisë,

8:21 për t`i bërë ata që më duan të trashëgojnë pasurinë e vërtetë dhe për të mbushur thesaret e tyre.

8:22 Zoti më zotëroi në fillim të rrugës së tij, përpara veprave të tij më të lashta.

8:23 U vendosa nga amshimi, që në krye, para se toka të ekzistonte.

8:24 Më prodhuan kur nuk kishte ende humnera, kur nuk kishte burime me ujë të bollshëm.

8:25 Më prodhuan para se themelet e maleve të ishin përforcuar, para kodrinave,

8:26 kur nuk kishte sajuar ende as tokën, as fushat dhe as plisat e para të dheut.

8:27 Kur ai fiksonte qiejtë, unë isha aty; kur bënte një rreth mbi sipërfaqen e humnerës,

8:28 kur i bënte të qëndrueshëm qiejtë e epërm, kur përforconte burimet e humnerës,

8:29 kur i caktonte detit caqet e tij në mënyrë që ujërat të mos kalonin përtej urdhërit të tij, kur vendoste themelet e dheut,

8:30 unë isha pranë tij si një arkitekt, isha çdo ditë kënaqësia e tij, duke u gëzuar çdo çast para tij;

8:31 kënaqesha në pjesën e banueshme të botës dhe gjeja ëndjen time me bijtë e njerëzve.

8:32 Tani, pra, më dëgjoni, o bij; lum ata që ndjekin rrugët e mia!

8:33 Dëgjoni këto mësime, tregohuni të urtë dhe mos i hidhni poshtë!

8:34 Lum ai njeri që më dëgjon, duke u gdhirë çdo ditë te portat e mia dhe duke ruajtur shtalkat e portave të mia.

8:35 Sepse ai që më gjen, gjen jetën, dhe siguron përkrahjen e Zotit.

8:36 Por ai që mëkaton kundër meje, i bën të keqe vetvetes; të gjithë ata që më urrejnë duan vdekjen”.