Fjalët e Urta 9

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Ftesa e diturisë

9:1 Dituria ka ndërtuar shtëpinë e saj, ka gdhendur shtatë shtyllat e saj.

9:2 Ka vrarë kafshët e saj, ka përzier verën e saj dhe shtruar tryezën e saj.

9:3 Ka dërguar jashtë shërbëtoret e saj; nga vendet më të larta të qytetit ajo thërret:

9:4 “Ai që është budalla të vijë këtu!”. Atij që i mungon gjykimi i thotë:

9:5 “Ejani, hani nga buka ime dhe pini verën që kam përzier.

9:6 Lëreni budallallëkun dhe do të jetoni, ecni në rrugën e arsyes”.

9:7 Ai që korrigjon tallësin tërheq mbi vete të shara, dhe ai që qorton të pabesin merr të shara.

9:8 Mos qorto tallësin sepse ai do të të urrejë; qorto të urtin dhe ai do të të dojë.

9:9 Mësoje të urtin dhe ai do të bëhet edhe më i urtë. Mësoje të drejtin dhe ai do të rritë diturinë e tij.

9:10 Frika e Zotit është parimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia.

9:11 Sepse nëpërmjet meje do të shumohen ditët e tua dhe do të të shtohen vite jete.

9:12 Në rast se je i urtë, je i urtë për veten tënde; në rast se je tallës, pasojat do t`i kesh vetëm ti.

Gruaja budallaqe

9:13 Gruaja budallaqe është zhurmëmadhe, aspak e zgjuar dhe nuk di asgjë.

9:14 Rri ulur te porta e shtëpisë së saj, mbi një fron në vendet e larta të qytetit,

9:15 për të ftuar ata që kalojnë nëpër rrugë, që shkojnë drejt në rrugën e tyre:

9:16 “Ai që është budalla të vijë këtu!”. Dhe atij që i mungon arsyeja i thotë:

9:17 “Ujërat e vjedhura janë të ëmbla; buka që hahet fshehurazi është e shijshme”.

9:18 Por ai nuk e di që atje janë të vdekurit, që të ftuarit e saj janë në thellësinë e Sheolit.