BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Martesa e Sansonit me një grua filistease
14:1 Sansoni zbriti në Timnah dhe aty pa një grua midis bijave të Filistejve.
14:2 Kur u kthye në shtëpi, foli për të me të atin dhe të ëmën, duke u thënë: “Pashë në Timnah një femër midis bijave të Filistejve; ma merrni për grua”.
14:3 Babai dhe nëna e tij i thanë: “A nuk ka vallë një grua midis bijave të vëllezërve të tu në gjithë popullin tonë, që ti të shkosh të marrësh një grua midis Filistejve të parrethprerë?”. Por Sansoni iu përgjegj atit të tij me këto fjalë: “Merrma atë, sepse më pëlqen”.
14:4 Por i ati dhe e ëma nuk e dinin se kjo vinte nga Zoti dhe që Sansoni kërkonte një rast kundër Filistejve. Në atë kohë, Filistejtë sundonin në Izrael.
14:5 Pastaj Sansoni zbriti me të atin dhe me të ëmën në Timnah; sapo arritën në vreshtat e Timnahut, një luan i vogël u doli përpara duke ulëritur.
14:6 Atëherë Fryma e Zotit zbriti në mënyrë të fuqishme mbi të dhe ai, pa pasur asgjë në dorë, e shqeu luanin, ashtu si shqyhet një kec; por nuk i tha asgjë atit dhe nënes së tij për atë që kishte bërë.
14:7 Pastaj zbriti dhe i foli gruas, dhe ajo i pëlqeu Sansonit.
14:8 Mbas disa ditësh ai u kthye për ta marrë me vete dhe doli nga rruga për të parë skeletin e luanit; dhe ja, në trupin e luanit kishte një mori bletësh dhe mjaltë.
14:9 Ai mori pak mjaltë në dorë dhe filloi ta hajë ndërsa po ecte; kur arriti tek i ati dhe tek e ëma, u dha edhe atyre dhe ata e hëngrën; por nuk u tha që e kishte marrë mjaltin nga trupi i luanit.
14:10 Pastaj i ati zbriti tek ajo grua, dhe aty Sansoni shtroi një gosti siç e kishin zakon të rinjtë.
14:11 Dhe ndodhi që, kur njërëzit e panë vendit, ata morën tridhjetë shokë, që të rrinin bashkë me të.
Gjëza e Sansonit
14:12 Sansoni u tha atyre: “Unë do t`ju propozoj një gjëzë; në rast se ju arrini të gjeni shpjegimin e saj të ma njoftoni brenda shtatë ditëve të gostisë, do t`ju jap tridhjetë tunika dhe tridhjetë ndërresa rrobash;
14:13 por në rast se nuk mund të ma shpjegoni, do të më jepni mua tridhjetë tunika dhe tridhjetë ndërresa rrobash”.
14:14 Ata iu përgjegjën: “Propozo gjëzën tënde, që ta dëgjojmë”. Ai u tha atyre: “Nga gllabëruesi doli ushqimi, dhe nga i forti doli e ëmbla”. Tri ditë me radhë ata nuk arritën ta shpjegojnë gjëzën.
14:15 Ditën e shtatë i thanë bashkëshortes së Sansonit: “Mbushja mendjen burrit tënd që të na shpjegojë gjëzën; ndryshe do të të djegim ty dhe do t`i vëmë flakën shtëpisë së atit tënd. A na keni ftuar për të na zhveshur? Vallë a s`është ashtu?”.
14:16 Gruaja e Sansonit qau para tij dhe i tha: “Ti ke vetëm urrejtje ndaj meje dhe nuk më do; ti u propozove një gjëzë bijve të popullit tim, por nuk ia shpjegova as atit tim; as nënës sime, pse duhet të ta shpjegoj ty?”.
14:17 Ajo qau para tij gjatë shtatë ditëve të festës. Kështu ditën e shtatë Sansoni ia shpjegoi, sepse e mërziste; pastaj ua shpjegoi gjëzën bijve të popullit të saj.
14:18 Njerëzit e qytetit, ditën e shtatë, para se të perëndonte dita, i thanë Sansonit: “A ka gjë më të ëmbël se mjalti? A ka gjë më të fortë se luani?”. Dhe ai iu përgjegj atyre: “Po të mos kishit lëruar me mëshqerrën time, nuk do ta kishit zgjidhur gjëzën time”.
14:19 Atëherë Fryma e Zotit erdhi mbi të në mënyrë të fuqishme, dhe ai zbriti deri në Ashkelon, vrau tridhjetë njerëz nga ata, mori plaçkat e tyre dhe u dha ndërresat e rrobave atyre që e kishin shpjeguar gjëzën. Kështu zemërimi i tij u ndez; pastaj ai u ngjit përsëri në shtëpinë e të atit.
14:20 Por gruan e Sansonit ia dhanë shokut të tij, që kishte qenë shoku i tij më i mirë.