Gjyqtarët 9

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Abimeleku vret vëllezërit e tij dhe shpallet mbret i Sikemit

9:1 Abimeleku, bir i Jerubaalit, shkoi në Sikem te vëllezërit e nënes së tij dhe foli me ta dhe me gjithë familjen e atit të nënes së tij, duke thënë:

9:2 “U thoni gjithë banorëve të Sikemit: “Ç`është më e mirë për ju, që të gjithë shtatëdhjetë bijtë e Jerubaalit të mbretërojnë mbi ju, apo të mbretërojë mbi ju vetëm një?”. Dhe mos harroni që unë rrjedh nga kocka dhe mishi juaj”.

9:3 Vëllezërit e nënes së tij i përhapën këto fjalë të tij tërë banorëve të Sikemit; dhe zemra e tyre anoi në dobi të Abimelekut, sepse thanë: “Éshtë vëllai ynë”.

9:4 Kështu i dhanë shtatëdhjetë sikla argjendi, që i tërhoqën nga tempulli i Baal-Berithit, me të cilat Abimeleku rekrutoi njerëz pa kurrfarë vlere, por trima; dhe ata i shkuan pas.

9:5 Pastaj ai shkoi në shtëpinë e atit të tij në Ofrah dhe vrau mbi po atë gur vëllezërit e tij, të shtatëdhjetë bijtë e Jerubaalit. Por Jothami biri më i vogël i Jerubaalit, shpëtoi sepse ishte fshehur.

9:6 Atëherë tërë banorët e Sikemit dhe tërë shtëpia e Milos u mblodhën dhe shkuan ta shpallin mbret Abimelekun, pranë lisit të monumentit që gjendet në Sikem.

9:7 Kur Jothami u informua për këtë gjë, shkoi dhe zuri në majën e malit Gerezim dhe, duke ngritur zërin, thirri: “Dëgjomëni, banorë të Sikemit, dhe Perëndia të mund t`ju dëgjojë!

9:8 Një ditë drurët u nisën për të vajosur një mbret që të mbretëronte mbi ta; dhe i thanë ullirit: “Mbretëro mbi ne”.

9:9 Por ulliri u përgjegj me këto fjalë: “A duhet të heq dorë nga vaji im metë cilin Perëndia dhe njerëzit nderohen, dhe të shkoj të shqetësohem për drurët?”.

9:10 Atëherë drurët i thanë fikut: “Eja ti të mbretërosh mbi ne”.

9:11 Por fiku iu përgjegj atyre: “A duhet të heq dorë nga ëmbëlsia ime dhe nga fruti im shumë i shijshëm dhe të shkoj të shqetësohem për drurët?”.

9:12 Atëherë drurët iu drejtuan hardhisë: “Eja ti të mbretërosh mbi ne”.

9:13 Por hardhia u përgjegj kështu: “A duhet të heq dorë nga vera ime e ëmbël që gëzon Perëndinë dhe njerëzit, dhe të shkoj të shqetësohem për drurët?”.

9:14 Atëherë tërë drurët i thanë ferrës: “Eja ti të mbretërosh mbi ne”.

9:15 Ferra iu përgjegj me këto fjalë drurëve: “Në rast se doni me të vërtetë të më vajosni si mbret për të sunduar mbi ju, ejani të strehoheni nën hijen time; përndryshe daltë një zjarr nga ferra dhe përpiftë kedrat e Libanit!”.

9:16 Por ju nuk u suallët me besnikëri dhe me ndershmëri duke e shpallur mbret Abimelekun, nuk mbajtët një qëndrim të mirë ndaj Jerubaalit dhe shtëpisë së tij dhe nuk e keni trajtuar siç e meritonte,

9:17 sepse im atë ka luftuar për ju, ka rrezikuar jetën e vet dhe ju ka çliruar nga sundimi i Madianit.

9:18 Kurse sot ju keni ngritur krye kundër shtëpisë së atit tim, keni vrarë të shtatëdhjetë bijtë e tij mbi po atë gur dhe keni shpallur mbret të Sikemitëve Abimelekun, birin e shërbëtores, sepse është vëllai juaj.

9:19 Në rast se sot keni vepruar me besnikëri dhe ndershmëri ndaj Jerubaalit dhe shtëpisë së tij, atëherë e gëzofshi Abimelekun dhe ai u gëzoftë me ju!

9:20 Por në rast se punët nuk janë kështu, le të dalë nga Abimeleku një zjarr që të gllabërojë banorët e Sikemit dhe shtëpinë e Milos, dhe le të dalë nga banorët e Sikemit dhe nga shtëpitë e Milos një zjarr që të gllabërojë Abimelekun”.

9:21 Pastaj Jothemi iku, ia mbathi dhe shkoi të banojë në Beer nga frika e vëllait të tij Abimelek.

Rrënimi i Sikemit dhe vdekja e Abimelekut

9:22 Abimeleku sundoi tre vjet mbi Izraelin.

9:23 Pastaj Perëndia dërgoi një frymë të keq midis Abimelekut dhe banorëve të Sikemit, dhe banorët e Sikemit e tradhtuan Abimelekun,

9:24 me qëllim që dhuna e ushtruar kundër të shtatëdhjetë bijve të Jerubaalit të zgjidhej dhe gjaku i tyre të binte mbi vëllanë e tyre Abimelek, që i kishte vrarë dhe mbi banorët e Sikemit, që e kishin ndihmuar të vriste vëllezërit e tij.

9:25 Banorët e Sikemit vunë njerëz në pritë kundër tij në majën e maleve, dhe këta plaçkitën tërë ata që kalonin në rrugë afër tyre. Abimeleku u informua për këtë.

9:26 Pastaj Gaali, bir i Ebedit, dhe vëllezërit e tij erdhën dhe u transferuan në Sikem, dhe banorët e Sikemit krijuan besim tek ai.

9:27 Ata dolën në ara, mblodhën rrushin në vreshtat e tyre, e shtypën dhe bënë festë. Pastaj hynë në shtëpinë e zotit të tyre, hëngrën, pinë dhe mallkuan Abimelekun.

9:28 Gaali, bir i Ebedit, tha: “Kush është Abimeleku dhe çfarë përfaqëson Sikemi, pse duhet t`i shërbejmë? A nuk është vallë bir i Jerubaalit, dhe a nuk është Zebuli mëkëmbësi i tij? Më mirë u shërbeni njerëzve të Hamorit atit të Sikemit! Po pse u dashka që ne t`i shërbejmë këtij njeriu?

9:29 Po ta kisha këtë popull nën urdhrat e mia, unë do ta kisha dëbuar Abimelekun!”. Pastaj i tha Abimelekut: “Forcoje ushtrinë tënde dhe më dil përpara!”.

9:30 Kur Zebuli, qeveritar i qytetit, dëgjoi këto fjalë të Gaalit, birit të Ebedit, u zemërua shumë,

9:31 dhe i dërgoi fshehurazi lajmëtarë Abimelekut për t`i thënë: “Ja, Gaali, bir i Ebedit, dhe vëllezërit e tij kanë ardhur në Sikem; ata po e ngrenë qytetin kundër teje.

9:32 Prandaj çohu natën, ti dhe njerëzit e tu, dhe zëru pritë në fushë;

9:33 dhe nesër në mëngjes, sa të lindë dielli do të ngrihesh dhe do t`i sulesh qytetit. Kur pastaj Gaali me gjithë njerëzit që janë me të do të dalë kundër teje, ti do t`i bësh atë që beson se është më e përshtatshme”.

9:34 Abimeleku dhe tërë njerëzit që ishin me të u ngritën natën dhe zunë një pritë kundër Sikemit, të ndarë në katër grupe.

9:35 Kur Gaali, bir i Ebedit, doli dhe u ndal në hyrjen e portës së qytetit, Abimeleku doli nga prita me gjithë njerëzit që ishin me të.

9:36 Duke i parë ata njerëz, Gaali i tha Zebulit: “Ja, disa njerëz që zbresin nga maja e maleve”. Por Zebuli iu përgjegj: “Hijet e maleve të duken ty si njerëz”.

9:37 Gaali nisi përsëri të flasë, duke thënë: “Shiko, ka njerëz që zbresin nga majat e lartësive të vendit, dhe një grup tjetër po vjen nga rruga e lisit të shortarëve”.

9:38 Atëherë Zebuli i tha: “Ku e ke kapadaillëkun, kur thoje: “Kush është Abimeleku, pse duhet t`i shërbejmë?”. A nuk është ky popull që ti përçmoje? Dil, pra, përpara dhe lufto kundër tij!”.

9:39 Atëherë Gaali doli në krye të banorëve të Sikemit dhe i nisi betejën kundër Abimelekut.

9:40 Por Abimeleku e ndoqi dhe ai iku me vrap para tij; shumë njerëz ranë për tokë të plagosur për vdekje deri në hyrje të portës.

9:41 Abimeleku u ndal pastaj në Arumah, dhe Zebuli dëboi Gaalin dhe vëllezërit e tij, që nuk qëndruan dot më në Sikem.

9:42 Të nesërmen populli i Sikemit doli nëpër fusha; Abimeleku u informua për këtë.

9:43 Atëherë ai mori njerëzit e tij, i ndau në tre grupe dhe zuri pritë në fusha; kur pa që populli po dilte nga qyteti, ai u hodh kundër tij dhe bëri kërdinë.

9:44 Pastaj Abimeleku dhe njerëzit që ishin me të u sulën përpara dhe zunë hyrjen e portës së qytetit, kurse dy grupet e tjera u sulën mbi tërë ata që ishin nëpër fusha dhe bënë kërdinë.

9:45 Abimeleku e pushtoi me sulm po atë ditë qytetin dhe vrau popullin që gjendej në të; pastaj e sheshoi qytetin dhe aty hodhi kripë.

9:46 Kur të gjithë banorët e kalasë së Sikemit dëgjuan këtë ngjarje, u tërhoqën në kullën kryesore të tempullit të perëndisë Berith.

9:47 Kështu i thanë Abimelekut që tërë banorët e kalasë së Sikemit ishin mbledhur bashkë.

9:48 Atëherë Abimeleku u ngjit në malin Tsalmon, ai vetë bashkë me njerëzit e tij; pastaj Abimeleku kapi një sëpatë, preu degën e një druri, e ngriti dhe e vuri mbi shpatullat e tij; padstaj u tha njerëzve që ishin me të: “Atë që patë që unë bëra, bëjeni shpejt edhe ju!”.

9:49 Kështu secili prej tyre preu një degë dhe shkoi pas Abimeleku; i vendosën degët përballë kullës kryesore dhe e dogjën atë. Kështu gjetën vdekjen gjithë njerëzit e kalasë së Sikemit, pothuajse një mijë veta, gra e burra.

9:50 Pastaj Abimeleku shkoi në Thebets, e rrethoi dhe e pushtoi.

9:51 Në mes të qytetit kishte një kullë të fortifikuar, ku ishin strehuar tërë njerëzit e qytetit, gra e burra; u mbyllën brenda dhe hipën mbi çatinë e kullës.

9:52 Kështu Abimeleku arriti në këmbët e kalasë dhe e sulmoi; iu afrua pastaj portës së kalasë për t`i vënë flakën.

9:53 Por një grua hodhi poshtë pjesën e sipërme të një mokre mbi kokën e Abimelekut dhe i theu kafkën.

9:54 Ai thirri menjëherë të riun që i mbante armët dhe i tha: “Nxirre shpatën dhe më vrit, që të mos thonë: “E vrau një grua!””. Kështu i riu e shpoi tejembanë dhe ai vdiq.

9:55 Kur Izraelitët panë që Abimeleku kishte vdekur, secili u kthye në shtëpinë e tij.

9:56 Kështu Perëndia ia shkarkoi Abimelekut të keqen që kishte bërë kundër atit të tij, duke vrarë shtatëdhjetë vëllezërit e tij.

9:57 Perëndia bëri që të binte mbi kokën e njerëzve të Sikemit tërë e keqja e bërë; kështu kundër tyre u realizua mallkimi i Jothamit, birit të Jerubaalit.