Hebrenjve 1

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Krishti, si Bir i Perëndisë, është më i lartë nga engjëjt

1:1 Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve,

1:2 së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtar të të gjitha gjërave, me anë të të cilit e krijoi dhe gjithësinë.

1:3 Ai, duke qenë shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij dhe duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij, mbasi e bëri vetë pastrimin nga mëkatet tona, u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta,

1:4 edhe u bë aq më i lartë nga engjëjt, sa më të madhërueshëm se ata është emri që ai e trashëgoi.

1:5 Sepse cilit nga engjëjt i tha ndonjë herë: “Ti je Biri im, sot më je lindur“? Edhe përsëri: “Unë do t`i jem Atë, dhe ai do të më jetë Bir“?

1:6 Dhe akoma, kur ta shtjerë të Parëlindurin në botë, thotë: “Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Perëndisë“.

1:7 Kurse për engjëjt thotë: “Engjëjt e vet ai i bën erëra, dhe shërbenjësit e tij flakë zjarri“;

1:8 ndërsa për të Birin thotë: “Froni yt, o Perëndi është në shekuj të shekujve; skeptri i mbretërisë sate është skeptër drejtësie.

1:9 E ke dashur drejtësinë dhe e ke urryer paudhësinë; prandaj Perëndia, Perëndia yt, të vajosi me vaj gëzimi përmbi shokët e tu“.

1:10 Edhe: “Ti, o Perëndi, në krye themelove tokën dhe qiejt janë vepër e duarve të tu.

1:11 Ata do të prishen, por ti mbetesh; edhe të gjithë do të vjetrohen si rrobë,

1:12 dhe ti do t`i mbështjellësh si një mantel edhe do të ndërrohen; por ti je po ai, dhe vitet e tua nuk do të shteren kurrë“.

1:13 Dhe cilit nga engjëjt i tha ndonjë herë: “Rri në të djathtën time, gjersa t`i vë armiqtë e tu shtroje të këmbëve të tua“?

1:14 A nuk janë ata të gjithë frymëra shërbenjës, që dërgohen për të shërbyer për të mirën e atyre që kanë për të trashëguar shpëtimin?