Hebrenjve 10

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


10:1 Sepse ligji, duke pasur hijen e të mirave që kishin për të ardhur dhe jo figurën vetë të gjërave, nuk mundet kurrë që t`i bëjë të përkryer ata që i afrohen Perëndisë me anë të të njëjtave flijime që ofrohen vazhdimisht vit për vit.

10:2 Sepse përndryshe do të kishin pushuar t`i ofronin, sepse ata që e ushtrojnë kultin, si të pastroheshin një herë, a nuk do të kishin më asnjë vetëdije për mëkatet?

10:3 Por në këto flijime përtërihet çdo vit kujtimi i mëkateve,

10:4 sepse është e pamundur që gjaku i demave dhe i cjepve të heqë mëkatët.

10:5 Prandaj, duke hyrë në botë, ai thotë: “Ti nuk deshe as flijim as mblatë, po bëre gati për mua një trup;

10:6 ti nuk pëlqeve as olokauste as flijimet për mëkatin.

10:7 Atëherë unë thashë: "Ja, unë po vij; në rotullin e librit është shkruar për mua; për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd"“.

10:8 Mbasi tha: “Ti nuk deshe as flijim as mblatë, as olokauste as flijime për mëkatin, që të blatohen sipas ligjit“,

10:9 ai shtoi: “Ja, unë vij për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd“. Ai heq të parën, që të vërë të dytën.

10:10 Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezu Krishtit, që u bë një herë për të gjithë.

10:11 Dhe ndërsa çdo prift rri përdita në këmbë duke shërbyer dhe duke mblatuar shpesh herë të njëjtat flijime, që nuk mund të heqin kurrë mëkatet,

10:12 ai, përkundrazi, pasi dha për gjithnjë një flijim të vetëm për mëkatet, u vu të rrijë në të djathtën e Perëndisë,

10:13 duke pritur paskëtaj vetëm që armiqtë e tij t`i vihen si ndenjëse për këmbët e tij.

10:14 Sepse, me një ofertë të vetme, ai i bëri të përsosur për gjithnjë ata që shenjtërohen.

10:15 Por edhe Fryma e Shenjtë na e dëshmon; sepse, mbasi pat thënë më parë:

10:16 “Kjo është Besëlidhja që unë do të bëj me ata pas atyre ditëve, thotë Perëndia, unë do t`i shtie ligjet e mia në zemrat e tyre dhe do t`i shkruaj në mendjet e tyre“,

10:17 shton: “Dhe nuk do t`i kujtoj më mëkatet e tyre dhe paudhësitë e tyre“.

10:18 Edhe atje ku ka ndjesë të këtyre gjërave, nuk ka më ofertë për mëkatin.

Thirrje për të këmbëngulur në besim

10:19 Duke pasur, pra, o vëllezër, liri të plotë për të hyrë në shenjtërore me anë të gjakut të Jezusit,

10:20 me anë të një udhe të re dhe të gjallë që ai përuroi për ne me anë të velit, domethënë të mishit të tij,

10:21 edhe duke pasur një kryeprift mbi shtëpinë e Perëndisë,

10:22 le t`i afrohemi me zemër të vërtetë, me siguri të plotë besimi, duke i pasur zemrat tona të lara prej ndërgjegjës së ligë dhe trupin të larë me ujë të kulluar.

10:23 Le të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse besnik është ai që premtoi.

10:24 Dhe le të kujdesemi për njeri tjetrin, për t`u nxitur për dashuri dhe vepra të mira,

10:25 pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njeri tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet.

10:26 Sepse, në qoftë se ne mëkatojmë me dashje mbasi kemi marrë dijeni të së vërtetës, nuk mbetet më asnjë flijim për mëkatet,

10:27 por vetëm një pritje gjyqi e tmerrshme dhe një e ndezur zjarri që do të përpijë kundërshtarët.

10:28 Kushdo që shkel ligjin e Moisiut vritet pa mëshirë me deponimet e dy ose tre dëshmitarëve.

10:29 Ç`dënim më të keq meriton, sipas mendimit tuaj, ai që ka shkelur me këmbë Birin e Perëndisë dhe e ka konsideruar profan gjakun e Besëlidhjes me të cilin u shenjtërua, dhe ka fyer Frymën e hirit?

10:30 Sepse ne e dimë atë që ka thënë: “Hakmarrja më takon mua, unë do ta jap shpagimin“, thotë Perëndia. Dhe përsëri: “Perëndia do të gjykojë popullin e vet“.

10:31 Gjë e tmerrshme është të bjerë njeriu në duart e Perëndisë së gjallë.

10:32 Dhe tani sillni ndërmend ditët e mëparshme, në të cilat, pasi u ndriçuat, keni duruar një luftë të madhe vuajtjesh,

10:33 herë duke u bërë objekt fyerjesh dhe mundimesh, herë duke u solidarizuar me ata që trajtoheshin në këtë mënyrë.

10:34 Sepse treguat dhembje për mua në prangat e mia dhe keni pranuar me gëzim t`ju zhveshin nga pasuria juaj, duke ditur se keni për veten tuaj një pasuri më të mirë e të qëndrueshme në qiej.

10:35 Mos e hidhni tej guximin tuaj, që do të ketë një shpërblim të madh.

10:36 Sepse ju keni nevojë për ngulm që mbasi, të bëni vullnetin e Perëndisë, të merrni gjërat e premtuara.

10:37 “Edhe fort pak kohë, edhe ai që duhet të vijë do të vijë dhe nuk do të vonojë.

10:38 Dhe i drejti do të jetojë prej besimit; por ne qoftë se ndokush tërhiqet prapa, shpirti im nuk do të gjejë pëlqim në të“.

10:39 Por ne nuk jemi nga ata që tërhiqen prapa për humbje, por nga ata që besojnë në shpëtimin e shpirtit.