Hebrenjve 4

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


4:1 Prandaj, përderisa mbetet akoma një premtim për të hyrë në prehjen e tij, le të kemi frikë se mos ndonjë nga ju të mbetet jashtë.

4:2 Në fakt neve si edhe atyre u ishte shpallur lajmi i mirë, por fjala e predikimit nuk u dha dobi fare, sepse nuk qe e bashkuar me besimin tek ata që e dëgjuan.

4:3 Sepse ne që besuam hyjmë në prehje, siç tha ai: “Kështu u përbetova në mërinë time: nuk do të hyjnë në prehjen time“, ndonëse veprat e tij u mbaruan që kur se u krijua bota.

4:4 Sepse diku ai ka thënë kështu për të shtatën ditë: “Dhe Perëndia u preh të shtatën ditë nga të gjitha veprat e tij“;

4:5 dhe po aty: “Nuk do të hyjnë në prehjen time“.

4:6 Mbasi, pra, mbetet që disa të hyjnë në të, ndërsa ata që u ungjillzuan më përpara nuk hyjnë për shkak të mosbesimit të tyre,

4:7 ai cakton përsëri një ditë: "Sot", duke thënë, mbas kaq kohe, me gojën e Davidit: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos u bëni zemërgur“.

4:8 Sepse, në qoftë se Jozueu do t`u kishte dhënë prehje, Perëndia nuk do të kishte folur për një ditë tjetër.

4:9 Mbetet, pra, një pushim i së shtunës për popullin e Perëndisë.

4:10 Sepse kush ka hyrë në prehjen e tij, ka bërë pushim edhe ai nga veprat e veta, ashtu si Perëndia nga të tijat.

4:11 Le të përpiqemi, pra, të hyjmë në atë prehje, që askush të mos bjerë në atë shëmbull të mosbindjes.

4:12 Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës.

4:13 Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t`i japim llogari.

Krishti është më i lartë se kryepriftërinjtë e Besëlidhjes së Vjetër

4:14 Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë të besimit.

4:15 Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t`i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar.

4:16 Le t`i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje.

[previous][next]