Hebrenjve 6

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


6:1 Prandaj, duke e lënë fjalën e fillimit të Krishtit, le të synojmë përkryerjen, pa hedhur përsëri themel pendimi nga vepra të vdekura dhe nga besimi te Perëndia,

6:2 nga doktrina për pagëzimet, të vënies së duarve, të ringjalljes të të vdekurve dhe të gjyqit të përjetshëm;

6:3 dhe këtë do ta bëjmë, në e lejoftë Perëndia.

6:4 Sepse ata që janë ndriçuar një herë, e shijuan dhuntinë qiellore dhe u bënë pjestarë të Frymës së Shenjtë,

6:5 dhe shijuan fjalën e mirë të Perëndisë dhe mrrekullitë e jetës së ardhshme,

6:6 dhe po u rrëzuan, është e pamundur t`i sjellësh përsëri në pendim, sepse ata, për vete të tyre, e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtërojnë.

6:7 Sepse toka, që pi shiun, i cili bie shpesh mbi të dhe prodhon barëra të dobishme për ata që e punojnë, merr bekim nga Perëndia;

6:8 kurse, po të prodhojë ferra e murriza, shahet edhe afër mallkimit dhe fundi i vet është për t`u djegur.

6:9 Dhe ndonëse flasim kështu, ne, o të dashur, lidhur me ju jemi të bindur për gjëra më të mira dhe që i takojnë shpëtimit;

6:10 sepse Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën dhe mundimin tuaj të dashurisë që treguat për emrin e tij me shërbesën që u bëtë dhe po u bëni shenjtorëve.

6:11 Dhe dëshirojmë që secili nga ju të tregojë deri në fund të njëjtin zell për të arritur në sigurimin e plotë të shpresës,

6:12 që të mos bëheni përtacë, por t`u përngjani atyre që nëpërmjet besim dhe durim trashëgojnë premtimet.

6:13 Sepse kur Perëndia i dha premtimin Abrahamit, duke qenë se s`kishte ndonjë më të madh që të përbetohej, bëri be me veten e tij

6:14 duke thënë: “Sigurisht do të të bekoj dhe do të të shumoj fort“.

6:15 Dhe kështu Abrahami, duke pritur me durim, fitoi premtimin.

6:16 Sepse njerëzit bëjnë be për dikë që është më i madh, dhe në këtë mënyrë betimi për ta është garancia që i jep fund çdo mosmarrëveshjeje.

6:17 Kështu Perëndia, duke dashur t`u tregojë trashëgimtarëve të premtimit në mënyrë më të qartë palëkundshmërinë e vendimit të tij vuri ndërmjetës betimin,

6:18 që me anë të dy gjërave të pandryshueshme, në të cilat është e pamundur të Perëndia të gënjejë, të kemi trimërim të madh ne, që kemi kërkuar strehë duke u kapur nga shpresa që na u vu përpara.

6:19 Kjo shpresë që ne kemi është si një spirancë e sigurt dhe e patundur, dhe që hyn deri në brendësinë e velit,

6:20 ku ka hyrë Krishti, si pararendës për ne, pasi u bë kryeprift në amshim sipas rendit të Melkisedekut.