Hebrenjve 9

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Flijimet e shenjtërores gjithnjë duheshin përsëritur për shkak të papërsosmërisë së tyre; ai i Krishtit është unik, sepse është i përkryer dhe i vlefshëm

9:1 Sigurisht edhe e para Besëlidhje kishte disa rregulla për shërbesën hyjnore dhe për shenjtëroren tokësore.

9:2 Sepse u ndërtua një tabernakull i parë, në të cilin ishte shandani, tryeza dhe bukët e paraqitjes; ai quhet: "Vendi i shenjtë".

9:3 Pas velit të dytë ishte tabernakulli, i quajtur "Vendi shumë i shenjtë" (Shenjtërorja e Shenjtërorëve),

9:4 që përmbante një tymtore prej ari edhe arkën e Besëlidhjes, të mbuluar nga të gjitha anët me ar, në të cilën ishte një enë e artë me manë, shkopi i Aaronit që kishte buluar dhe rrasat e Besëlidhjes.

9:5 Edhe sipër asaj ishin kerubinët e lavdisë që i bënin hije pajtuesit; për këto ne nuk do të flasim me hollësi tani.

9:6 Duke qenë të vendosura kështu këto gjëra, priftërinjtë hynin vazhdimisht në tabernakulli i parë për të kryer shërbesën hyjnore;

9:7 por në të dytin hynte vetëm kryeprifti një herë në vit, jo pa gjak, të cilin e ofronte për veten e tij dhe për mëkatet e popu-llit të kryera në padije.

9:8 Në këtë mënyrë Fryma e Shenjtë donte të tregonte se udha e shenjtërores ende nuk ishte shfaqur, mbasi ende po qëndronte tabernakulli i parë,

9:9 i cili është një shëmbëlltyrë për kohën e tanishme; dhe donte të tregonte se dhuratat dhe flijmet që jepeshin nuk mund ta bënin të përsosur në ndërgjegje atë që e kryente shërbesën hyjnore,

9:10 sepse kishte të bënte vetëm me ushqime, pije, larje të ndryshme, urdhërime mishi, të imponuara deri në kohën e ndryshimit.

9:11 Por Krishti, që erdhi si kryeprift i të mirave që do të vijnë në të ardhmen, duke kaluar nëpër një tabernakull më të madh e më të përkryer, që s`është bërë me dorë, pra, që nuk është e kësaj krijese,

9:12 hyri një herë e përgjithmonë në shenjtërore, jo me gjakun e cjepve dhe të viçave, por me gjakun e vet, dhe fitoi një shpëtim të amshuar.

9:13 Sepse, në qoftë se gjaku i demave dhe i cjepve dhe hiri i një mëshqerre i spërkatur mbi të ndoturit, i shenjtëron, duke i pastruar në mish,

9:14 aq më shumë gjaku i Krishtit, i cili me anë të Frymës së Shenjtë e dha veten e tij të papërlyer nga asnjë faj ndaj Perëndisë, do ta pastrojë ndërgjegjen tuaj nga veprat e vdekura për t`i shërbyer Perëndisë së gjallë!

9:15 Për këtë arsye ai është ndërmjetësi i Besëlidhjes së re që, me anë të vdekjes që u bë për shpërblimin e shkeljeve që u kryen gjatë Besëlidhjes së parë, të thirrurit të marrin premtimin e trashëgimisë së amshuar.

9:16 Sepse atje ku ka një testament do të ketë me doemos edhe vdekjen e trashëgimlënësit.

9:17 Sepse testamenti është i vlefshëm vetëm pas vdekjes, sepse nuk ka kurrfarë fuqie deri sa trashëgimlënësi ende rron.

9:18 Prandaj edhe Besëlidhja e parë nuk u vërtetua pa gjak.

9:19 Sepse kur iu shpallën të gjitha urdhërimet sipas ligjit gjithë popullit nga Moisiu, ky mori gjakun e viçave, të cjepve, bashkë me ujë, lesh të kuq dhe hisop, e spërkati librin dhe gjithë popullin,

9:20 duke thënë: “Ky është gjaku i Besëlidhjes që Perëndia urdhëroi për ju“.

9:21 Gjithashtu ai me atë gjak spërkati edhe tabernakullin dhe të gjitha orenditë e shërbesës hyjnore.

9:22 Dhe sipas ligjit, gati të gjitha gjërat pastrohen me anë të gjakut; dhe pa derdhur gjak nuk ka ndjesë.

9:23 Ishte, pra, e nevojshme që format e gjërave qiellore të pastroheshin me këto gjëra; por vetë gjerat qiellore me flijime më të mira se këto.

9:24 Sepse Krishti nuk hyri në një shenjtërore të bërë me dorë, që është vetëm shëmbëllesë e asaj të vërtetë, por në vetë qiellin për të dalë tani përpara Perëndisë për ne,

9:25 dhe jo për ta kushtuar si fli veten e vet shumë herë, sikurse kryeprifti që hyn vit për vit në shenjtërore me gjak që s`është i veti,

9:26 sepse përndryshe ai duhet të pësonte shumë herë që kur se u krijua bota; por tani, vetëm një herë, në fund të shekujve Krishti u shfaq për të prishur mëkatin me anë të flijimit të vetvetes.

9:27 Dhe, duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi,

9:28 kështu edhe Krishti, pasi u dha vetëm njëherë për të marrë mbi vete mëkatët e shumëve, do të duket për së dyti pa mëkat për ata që e presin për shpëtim.