Jona 2

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Lutja e Jonas nga barku i peshkut dhe çlirimi i tij

2:1 Atëherë Jona iu lut Zotit, Perëndisë të tij, nga barku i peshkut dhe tha:

2:2 “Në fatkeqësinë time i thirra Zotit dhe ai m`u përgjigj; nga gjiri i Sheolit i thirra dhe ti e dëgjove zërin tim.

2:3 Më hodhe në një vend të thellë, në zemër të deteve, rryma më mori dhe gjithë dallgët e tua dhe valët e tua më kaluan sipër.

2:4 Atëherë thashë: U dëbova nga prania jote. Megjithatë do të shikoj akoma në drejtim të tempullit tënd të shenjtë.

2:5 Ujërat më kanë rrethuar deri në shpirt, humnera më ka mbështjellë, algat u mblodhën rreth kokës sime.

2:6 Zbrita deri në themelet e maleve, toka mbylli shufrat e saj pas meje për gjithnjë, por ti e ngrite jetën time nga gropa, o Zot, Perëndia im.

2:7 Kur shpirti im po ligështohej brenda meje, kujtova Zotin, dhe lutja ime arriti deri te ti, në tempullin tënd të shenjtë.

2:8 Ata që jepen pas kotësive të rreme braktisin vetë burimin e hirit të tyre.

2:9 Por unë me zëra lëvdimi do të ofroj flijime dhe do të plotësoj betimet që kam bërë. Shpëtimi i përket Zotit”.

2:10 Atëherë Zoti i foli peshkut dhe peshku e volli Jonan në breg.