Kantiku i Kantikëve 1

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Nusja dëshiron me gjithë shpirt dhe kërkon dhëndrin

1:1 Kantiku i kantikëve që është i Salomonit.

1:2 Më puth me të puthurat e gojës së vet! Sepse dashuria jote është më e mirë se vera.

1:3 Nga aroma e vajrave të tua të këndshme emri yt është një vaj i parfumuar i derdhur; prandaj të duan vajzat.

1:4 Tërhiqmë te ti! Ne do të rendim pas teje! Mbreti më çoi në dhomat e tij. Ne do të kënaqemi dhe do të gëzohemi te ti; ne do ta kujtojmë dashurinë tënde më shumë se verën. Kanë të drejtë që të duan.

1:5 Unë jam e zezë por e bukur, o bija të Jeruzalemit, si çadrat e Kedarit, si perdet e Salomonit.

1:6 Mos shikoni se jam e zezë, sepse dielli më ka nxirë. Bijtë e nënes sime janë zemëruar me mua; më kanë caktuar të ruaj vreshtat, por vreshtin tim nuk e kam ruajtur.

1:7 Thuamë, o ti që të dashuron zemra ime, ku e kullot kopenë dhe ku e lë të pushojë në mesditë. Pse vallë duhet të jem si një grua e mbuluar me vel pranë kopeve të shokëve të tu?

1:8 Në rast se ti nuk e di, o më e bukura e grave, ndiq gjurmët e kopesë dhe kulloti kecat e tua pranë çadrave të barinjve.

Shprehje e dashurisë së ndërsjelltë midis dhëndrit dhe nuses

1:9 Mikesha ime, ti më ngjan si pela ime midis qerreve të Faraonit.

1:10 Faqet e tua janë të bukura me oridnte, dhe qafa jote me gjerdane margaritaresh.

1:11 Ne do të bëjmë për ty gjerdane të arta me tokëza prej argjendi.

1:12 Ndërsa mbreti është ulur në tryezë, livanda ime përhap aromën e saj.

1:13 Kënaqësia ime është një qeskë e vogël mirre; ajo do të pushojë tërë natën midis gjive të mia.

1:14 Kënaqësia ime është për mua një tufë lulesh alkane në vreshtat e En-gedit.

1:15 Ti je e bukur, mikja ime, ja, je e bukur! Sytë e tu janë si ato të pëllumbeshave.

1:16 Sa i bukur je, i dashuri im, madje dhe i dashurueshëm! Për më tepër shtrati ynë është blerosh.

1:17 Trarët e shtëpive tona janë prej kedri dhe tavanet tona prej qiparisi.