Ligji i përtërirë 11

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Ftesë për të respektuar tërë urdhërimet dhe bekimet që rrjedhin prej tyre

11:1 "Duaje, pra, Zotin, Perëndinë tënd, dhe respekto gjithnjë rregullat e tij, statutet e tij, dekretet e tij dhe urdhërimet e tij.

11:2 Pranoni sot (sepse nuk u flas bijve tuaj që nuk e kanë njohur as e kanë parë disiplinën e Zotit, Perëndisë tuaj), madhështinë e tij, dorën e tij të fuqishme dhe krahun e shtrirë,

11:3 shenjat e tij dhe veprat e tij që ka bërë në Egjipt kundër Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe kundër vendit të tij,

11:4 atë që u bëri ushtrisë së Egjiptit, kuajve të saj dhe qerreve të saj, duke derdhur mbi të ujërat e Detit të Kuq ndërsa ata po ju ndiqnin, dhe si i shkatërroi Zoti për gjithnjë;

11:5 atë që bëri për ju në shkretëtirë, deri sa të arrinit në këtë vend;

11:6 dhe atë që u bëri Dathanit dhe Abiramit, bijve të Eliabit, birit të Rubenit; si e hapi gojën toka dhe i gëlltiti me gjithë familjet e tyre, me çadrat e tyre dhe me çdo gjë të gjallë që i pasonte, në mes të gjithë Izraelit.

11:7 Por sytë tuaja panë gjërat e mëdha që Zoti ka kryer.

11:8 Respektoni, pra, tërë urdhërimet që unë po ju jap sot, që të jeni të fortë dhe të mundni të pushtoni vendin që po bëheni gati të zotëroni,

11:9 dhe me qëllim t`i zgjatni ditët tuaja në vendin që Zoti u betua t`u japë etërve tuaj dhe pasardhësve të tyre, një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë.

11:10 Mbasi vendi në të cilin jeni duke hyrë për ta pushtuar nuk është si vendi i Egjiptit prej të cilit keni dalë, ku mbillnit farën tuaj dhe pastaj e vaditnit me këmbën tuaj si një kopsht perimesh;

11:11 por vendi ku jeni duke hyrë për ta pushtuar është një vend me male dhe lugina, që thith ujin e shiut që vjen nga qielli;

11:12 një vend për të cilin Zoti, Perëndia yt, ka kujdes dhe mbi të cilin i janë drejtuar vazhdimisht sytë e Zotit, Perëndisë tënd, fillimi i vitit deri në mbarim të tij.

11:13 Por në rast se do t`i bindeni me kujdes urdhërimeve të mia që ju jap sot, duke dashur Zotin, Perëndinë tuaj, dhe duke i shërbyer me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt,

11:14 do të ndodhë që unë do t`i jap vendit tuaj shiun në kohën e duhur, shiun e parë dhe shiun e fundit, që ti të mbledhësh grurin, verën dhe vajin tënd;

11:15 dhe do të bëj që të rritet edhe bari në fushat e tua për bagëtinë tënde, dhe ti do të hash dhe do të ngopesh.

11:16 Kini kujdes që zemra juaj të mos mashtrohet dhe të mos largoheni nga rruga e drejtë, duke shërbyer dhe u përulur para perëndive të tjera;

11:17 sepse në këtë rast do të ndizet zemërimi i Zotit dhe ai do të mbyllë qiejtë dhe nuk do të ketë më shi, toka nuk do të japë prodhimet e saj dhe ju do të vdisni shpejt në vendin e mirë që Zoti po ju jep.

11:18 Do t`i shtini këto fjalë në zemrën dhe në mëndjen tuaj, do t`i lidhni si një shenjë në dorë dhe do të jenë si ballore midis syve;

11:19 do t`ua mësosh bijve tuaj, duke u folur për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecnën rrugës, kur rri shtrirë dhe kur çohesh;

11:20 do t`i shkruash në shtalkat e shtëpi tënde dhe mbi portat e tua,

11:21 me qëllim që ditët tuaja dhe ditët e bijve tuaj, në vendin që Zoti është betuar t`u japë etërve tuaj, të jenë të shumta si ditët e qiellit mbi tokë.

11:22 Sepse, duke respektuar me kujdes të gjitha urdhërimet që unë ju urdhëroj të zbatoni në praktikë, duke dashur Zotin, Perëndinë tuaj, duke ecur në të gjitha udhët e tij dhe duke qenë të lidhur ngushtë me të,

11:23 Zoti do të dëbojë para jush të gjitha kombet dhe ju do të shtini në dorë kombe më të mëdha dhe më të fuqishme se ju.

11:24 Çdo vend që do të shkelë këmba juaj, do të jetë juaji; kufijtë tuaj do të shtrihen nga shkretëtira deri në Liban, dhe nga lumi, lumi Eufrat, deri në detin perëndimor.

11:25 Askush nuk do të jetë në gjendje t`ju bëj ballë; Zoti, Perëndia juaj, ashtu siç ju tha, do të përhapë frikën dhe tmerrin për ju në të gjithë vendin që ju do të shkelni.

11:26 Shikoni, unë vë sot para jush bekimin dhe mallkimin;

11:27 bekimin në rast se u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, që sot ju përcaktoj;

11:28 mallkimin, në rast se nuk u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, dhe largoheni nga rruga që ju përcaktoj sot, për të ndjekur perëndi të tjerë që nuk i keni njohur kurrë.

11:29 Dhe kur Zoti, Perëndia juaj do të ketë futur në vendin që ti shkon të pushtosh, ti do ta vësh bekimin në malin Gerizim dhe mallkimin në malin Ebal.

11:30 A nuk janë ata matanë Jordanit, në perëndim të rrugës ku dielli perëndon; në vendin e Kananejve që banojnë në Arabah, përballë Gilgalit, pranë lisit të Morehut?

11:31 Sepse ju po gatiteni të kaloni Jordanin për të hyrë dhe për të pushtuar vendin që Zoti, Perëndia juaj, po ju jep; ju do ta zotëroni dhe do të banoni në të.

11:32 Kini kujdes, pra, të zbatoni të gjitha statutet dhe dekretet, që unë shtroj sot para jush".