Ligji i përtërirë 7

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Urdhri për të shkatërruar plotësisht Kananejtë dhe idhujt e tyre

7:1 "Kur Zoti, Perëndia yt, do të të fusë në vendin ku ti po hyn për ta zotëruar atë, dhe kur të ketë dëbuar para teje shumë kombe: Hitejtë, Girgashejtë, Amorejtë, Kananejtë, Perezejtë, Hivejtë dhe Gebusejtë,

7:2 dhe kur Zoti, Perëndia yt, t`i ketë lënë në pushtetin tënd, ti do t`i mundësh dhe do të vendosësh shfarosjen e tyre, nuk do të bësh asnjë aleancë me ta dhe nuk do të tregosh asnjë mëshirë ndaj tyre.

7:3 Nuk do të lidhësh martesë me ta. Nuk do t`u japësh bijat e tua bijve të tyre dhe nuk do të marrësh bijat e tyre për bijtë e tu,

7:4 sepse do t`i largonin bijtë e tu nga unë për t`u shërbyer perëndive të tjera, dhe zemërimi i Zotit do të ndizej kundër jush dhe do t`ju shkatërronte menjëherë.

7:5 Por me ta do të silleni kështu: do të shkatërroni altarët e tyre, do të copëtoni kolonat e tyre të shenjta, do të rrëzoni Asherimet e tyre dhe do t`u vini flakën shëmbëlltyrave të tyre të gdhendura.

7:6 Me qenë se ti je një popull që je shenjtëruar tek Zoti, Perëndia yt; Zoti, Perëndia yt, të ka zgjedhur për të qenë thesari i tij i veçantë midis tërë popujve që ndodhen mbi faqen e dheut.

7:7 Zoti nuk e ka vënë dashurinë e tij mbi ju, as nuk ju ka zgjedhur, sepse nuk ishit më të shumtë nga asnjë popull tjetër; ju ishit në fakt më i vogli i të gjithë popujve;

7:8 por sepse Zoti ju do dhe ka dashuri të mbajë betimin që u ka bërë etërve tuaj, ai ju nxori me një dorë të fuqishme dhe ju shpëtoi nga shtëpia e skllavërisë, nga dora e Faraonit, mbretit të Egjiptit.

7:9 Prano, pra, që Zoti, Perëndia yt, është Perëndia, Perëndia besnik që respekton besëlidhjen e tij dhe tregohet i mbarë deri në brezin e njëmijtë ndaj atyre që e duan dhe që zbatojnë urdhërimet e tij,

7:10 por u përgjigjet menjëherë atyre që e urrejnë, duke i zhdukur; ai nuk vonon, por do t`u përgjigjet menjëherë atyre që e urrejnë.

7:11 Prandaj respekto urdhërimet, statutet dhe dekretet që po të jap sot, duke i zbatuar në praktikë.

7:12 Kështu, në rast se ju keni parasysh këto ligje, i respektoni dhe i zbatoni në praktikë, Zoti, Perëndia juaj, do ta mbajë besëlidhjen me ju dhe dashamirësinë për të cilën u është betuar etërve tuaj.

7:13 Ai do të të dojë, do të të bekojë dhe do të të shumëzojë, do të bekojë frytin e gjiut tënd dhe frytin e tokës sate, grurin tënd, mushtin dhe vajin tënd, pjelljet e lopëve dhe të deleve të tua në vendin që u betua t`u japë etërve të tu.

7:14 Ti do të jesh më i bekuari i të gjithë popujve dhe nuk do të ketë midis teje asnjë burrë apo grua shterpë, as edhe midis bagëtisë sate.

7:15 Zoti do të largojë nga ti çfarëdo lloj sëmundje, nuk do të dërgojë mbi ty asnjë të keqe vdekjeprurëse të Egjiptit që ke njohur, por do t`i dërgojë mbi të gjithë ata që të urrejnë.

7:16 Do të shfarosësh, pra, të gjithë popujt që Zoti, Perëndia yt, po të jep në pushtetin tënd; syri yt nuk duhet të ketë mëshirë për ta dhe mos u shërbe perëndive të tyre, sepse ky do të ishte një kurth për ty.

7:17 Në zemrën tënde mund të thuash: "Këta kombe janë më të mëdhenj se unë, si do të arrij unë t`i dëboj?".

7:18 Mos ki frikë prej tyre, por kujto atë që Zoti, Perëndia yt, i bëri Faraonit dhe të gjithë Egjiptasve;

7:19 kujto provat e mëdha që pe me sytë e tu, shenjat dhe mrekullitë e dorës së fuqishme dhe të krahut të shtrirë me të cilët Zoti, Perëndia yt, të nxori nga Egjipti; kështu do të veprojë Zoti, Perëndia yt, me të gjithë popujt nga të cilët ke frikë.

7:20 Përveç kësaj, Zoti, Perëndia yt, do të çojë kundër tyre grerat, deri sa ata që kanë mbetur dhe ata që janë fshehur nga frika jote të kenë vdekur.

7:21 Mos ki frikë prej tyre, sepse Zoti, Perëndia yt, është në mes jush, një Perëndi i madh dhe i tmerrshëm.

7:22 Zoti, Perëndia yt, do t`i dëbojë pak e nga pak këto kombe para teje; ti nuk do të arrish t`i zhdukësh menjëherë, sepse përndryshe bishat e fushës do të shtoheshin shumë kundër teje;

7:23 por Zoti, Perëndia yt, do t`i vërë nën pushtetin tënd, dhe do t`i hutojë shumë deri sa të shfarosen.

7:24 Do të japë në duart e tua mbretërit e tyre dhe ti do të zhdukësh emrat e tyre nën qiejtë; askush nuk mund të rezistojë para teje, deri sa t`i kesh shfarosur.

7:25 Do t`u vësh flakën shëmbëlltyrave të gdhendura të perëndive të tyre; nuk do të dëshirosh arin dhe argjendin që ndodhet mbi to dhe nuk do ta marrësh për vete, përndryshe do të biesh në kurth, sepse kjo është një gjë e neveritshme për Zotin, Perëndinë tënd;

7:26 dhe nuk do të futësh gjëra të neveritshme në shtëpinë tënde, sepse do të dënohesh me shkatërrim ashtu si ato gjëra; do ta urresh dhe do ta kesh neveri plotësisht, sepse është një gjë e caktuar për t`u shkatërruar".