Ligji i Përtërirë 24

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Ligje mbi shkurorëzimin

24:1 “Kur një njeri merr një grua dhe martohet me të, dhe më vonë ndodh që ajo nuk e kënaq më, sepse ai ka gjetur në të diçka të turpshme, le të shkruajë një shkresë ndarjeje, t`ia japë në dorë dhe ta dëbojë nga shtëpia e saj;

24:2 në qoftë se ajo del nga shtëpia e saj dhe bëhet bashkëshorte e një burri tjetër,

24:3 në rast se bashkëshorti i fundit fillon ta urrejë, ai shkruan për të një shkresë ndarjeje, ia jep në dorë dhe e dëbon nga shtëpia e tij, ose në se bashkëshorti i fundit që e kishte marrë për grua vdes,

24:4 burri i parë që e kishte dëbuar nuk do të mund ta marrë përsëri për grua, pasi ajo është ndotur, sepse kemi të bëjmë me një akt të neveritshëm në sytë e Zotit; dhe ti nuk do ta njollosësh me mëkat vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi.

Dispozita të urta kundër pengjeve dhe rrëmbimeve dhe në favor të bashkëshortëve,të argatëve,të të huajve,të jetimëve dhe të grave të veja

24:5 Në qoftë se një njeri është i porsamartuar, ai nuk do të shkojë në luftë dhe nuk do t`i ngarkohen detyra; ai do të jetë i lirë në shtëpinë e tij për një vit dhe do të bëjë të lumtur gruan me të cilën është martuar.

24:6 Asnjeri nuk do të marrë peng gurin e mokrës së poshtme apo atë të sipërme, sepse do të ishte njëlloj siur të merrte peng jetën e dikujt.

24:7 Në rast se kapet një njeri duke rrëmbyer një nga vëllezërit e tij ndër bijtë e Izraelit, dhe e trajton keq dhe e shet, ai rrëmbyes do të vritet; kështu do ta shkulësh të keqen nga gjiri yt.

24:8 Në raste lebre trego kujdes të madh dhe bëj gjithçka t`ju mësojnë priftërinjtë levitë; do të keni kujdes të veproni ashtu siç i kam urdhëruar.

24:9 Mbaj mend atë që Zoti, Perëndia yt, i bëri Miriamit gjatë udhëtimit, mbas daljes suaj nga Egjipti.

24:10 Kur i jep hua diçka të afërmit tënd nuk do të hysh në shtëpinë e tij për të marrë pengun e tij;

24:11 do të rrish jashtë saj, dhe njeriu të cilit i ke dhënë hua do të ta sjellë jashtë pengun.

24:12 Dhe në rast se ai njeri është i varfër, nuk do të shkosh të flesh duke pasur akoma pengun e tij.

24:13 Duhet t`ia kthesh pengun në perëndim të diellit, në mënyrë që ai të flerë në mantelin e tij dhe të të bekojë; dhe kjo do të vihet në llogarinë e drejtësisë para syve të Zotit, Perëndisë tënd.

24:14 Nuk do t`i hash hakun argatit të varfër dhe nevojtar, qoftë ai një nga vëllezërit e tu apo një nga të huajt që banojnë në vendin tënd, brenda portave të tua;

24:15 do t`i japësh pagën e tij po atë ditë, para se të perëndojë dielli, sepse ai është i varfër dhe kjo është dëshira e tij; kështu ai nuk do të bërtasë kundër teje para Zotit dhe ti nuk do të kesh mëkat.

24:16 Nuk do të dënohen me vdekje etërit për bijtë e tyre, as do të vriten bijtë për etërit e tyre; secili do të dënohet me vdekje për mëkatin e vet.

24:17 Nuk do të cënosh të drejtën e të huajit o të jetimit dhe nuk do të marrësh peng rrobat e gruas së ve;

24:18 por do të kujtosh se ke qenë skllav në Egjipt dhe se të ka liruar Zoti, Perëndia yt; prandaj të veprosh në këtë mënyrë.

24:19 Kur korr në arën tënde dhe harron aty një demet, nuk do të kthehesh prapa për ta marrë; do të jetë për të huajin, për jetimin dhe gruan e ve, me qëllim që Zoti, Perëndia yt, të të bekojë në tërë veprën e duarve të tua.

24:20 Kur do të shkundësh kokrrat e ullinjve të tua, nuk do të kthehesh në degët e tyre; ullinjtë që kanë mbetur do të jenë për të huajin, për jetimin dhe për gruan e ve.

24:21 Kur të vjelësh vreshtin tënd, nuk do të kalosh një herë të dytë; vilet e mbetura do të jenë për të huajin, për jetimin dhe për gruan e ve.

24:22 Dhe do të kujtosh se ke qenë skllav në vendin e Egjiptit; prandaj të urdhëroj të veprosh në këtë mënyrë”.

[previous][next]