Ligji i Përtërirë 26

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Prodhimet e para dhe të dhjetat

26:1 “Kur të hysh në vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi, dhe ta shtiesh në dorë dhe të banosh në të,

26:2 do të marrësh disa nga prodhimet e para të të gjitha prodhimeve të tokës të mbledhura nga ti në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep, do t`i vësh në një shportë dhe do të shkosh në vendin që Zoti, Perëndia yt, ka zgjedhur për të ruajtur emrin e tij.

26:3 Pastaj do t`i paraqitesh priftit në funksion ato ditë dhe do t`i thuash: “Unë i deklaroj sot Zotit, Perëndisë tënd, që kam hyrë në vendin që Zoti u betua t`u japë etërve tanë”.

26:4 Atëherë prifti do të marrë shportën nga duart e tua dhe do ta vërë përpara altarit të Zotit, Perëndisë tënd;

26:5 dhe ti do të përgjigjesh duke thënë para Zotit, Perëndisë tënd: “Ati im ishte një Arameo para se të vdesë; ai zbriti në Egjipt dhe banoi aty si i huaj me pak njerëz; aty u bë një komb i madh, i fuqishëm dhe i shumtë.

26:6 Por Egjiptasit na trajtuan keq, na shtypën dhe na imponuan një skllavëri të rëndë.

26:7 Atëherë bërtitëm dhe Zoti, Perëndia i etërve tanë, e dëgjoi zërin tonë, pa dëshpërimin tonë, punën tonë të rëndë dhe shtypjen tonë.

26:8 Kështu Zoti na nxori nga Egjipti me një dorë të fuqishme dhe me krah të shtrirë, me gjëra të tmerrshme e me mrekulli dhe me shenja;

26:9 pastaj na solli këtu dhe na dha këtë vend, ku rrjedh qumësht dhe mjaltë.

26:10 Dhe ja tani unë solla prodhimet e para të tokës që ti, o Zot, më ke dhënë!”. Do t`i vendosësh para Zotit, Perëndisë tënd, dhe do të biesh përmbys përpara Zotit, Perëndisë tënd;

26:11 dhe do të gëzoheni, ti, Leviti dhe i huaji që ndodhet në radhët e tua për të mirat që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë ty dhe shtëpisë sate.

26:12 Kur të kesh mbaruar së dhëni tërë të dhjetat e të ardhurave të tua në vitin e tretë, viti i të dhjetave, dhe ua ke dhënë Levitit, të huajit, jetimit dhe gruas së ve, me qëllim që t`i hanë brenda portave të tua dhe të ngopen,

26:13 do të thuash përpara Zotit, Perëndisë tënd: “Unë kam hequr nga shtëpia ime atë që është shenjtëruar dhe ua kam dhënë Levitit, të huajit, jetimit dhe gruas së ve, në bazë të të gjitha gjërave që më ke urdhëruar; nuk kam shkelur as kam harruar asnjë nga urdhrat e tua.

26:14 Nuk i hëngra gjatë zisë sime, nuk mora prej tyre kur isha i papastër dhe nuk ua ofrova të vdekurve; iu binda zërit të Zotit, Perëndisë tim, dhe veprova në bazë të të gjitha gjërave që më ke urdhërar.

26:15 Kthe ndaj nesh vështrimin tënd nga banesa jote e shenjtë, nga qielli, dhe beko popullin tënd të Izraelit dhe vendin që na ke dhënë, siç iu betove etërve tanë, një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë.

Detyrimi reciprok i Izraelit dhe i Perëndisë

26:16 Sot Zoti, Perëndia yt, të urdhëron të zbatosh në praktikë këto statute dhe dekrete; ki kujdes që t`i zbatosh me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt.

26:17 Ti sot deklarove që Zoti është Perëndia yt, që do të ecësh në rrugët e tij dhe do të respektosh statutet, urdhërimet dhe dekretet e tij, dhe do t`i bindesh zërit të tij.

26:18 Sot Zoti ka deklaruar gjithashtu që ti je popull i tij, një thesar i veçantë, siç të ka thënë, me qëllim që ti të respektosh të githa urdhërimet e tij,

26:19 dhe ti të mund të lartësohesh mbi të gjitha kombet që ai ka bërë për lavdi, famë dhe zulmë dhe që ti të jesh një popull i shenjtëruar për Zotin, Perëndinë tënd, ashtu siç e ka thënë ai”.

[previous][next]