BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Kthimi te Zoti dhe rivendosja
30:1 “Kështu, kur të të kenë rënë në kurriz tërë këto gjëra, bekimi dhe mallkimi që unë të kam vënë përpara, dhe ti do t`ua kujtosh të gjitha kombeve në mes të të cilëve Zoti, Perëndia yt, do të të ketë dëbuar,
30:2 dhe kur të kthehesh tek Zoti, Perëndia yt, dhe t`i bindesh zërit të tij, ti dhe bijtë e tu, me gjithë zemër e më gjithë shpirt, duke respektuar tërë ato që po të urdhëroj sot,
30:3 Zoti, Perëndia yt, do të të kthejë nga skllavëria, do të ketë mëshirë për ty dhe do të të mbledhë përsëri nga radhët e të gjithë popujve, ndër të cilët Zoti, Perëndia yt, të kishte shpërndarë.
30:4 Edhe sikur të kesh qenë përzënë në skajin e qiellit, Zoti, Perëndia yt, do të të mbledhë dhe do të marrë që andej.
30:5 Zoti, Perëndia yt, do të të rikthejë në vendin që etërit e tu kanë zotëruar dhe ti do ta zotërosh atë; dhe ai do të të bëjë të mira dhe do të të shumëzojë më tepër se etërit e tu.
30:6 Zoti, Perëndia yt, do ta rrethpresë zemrën tënde dhe zemrën e pasardhësve të tu, që ti ta duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, dhe kështu ti të jetosh.
30:7 Dhe Zoti, Perëndia yt, do t`i lëshojë tërë këto mallkime mbi armiqtë e tu dhe mbi tërë ata që të urrejnë dhe të kanë persekutuar.
30:8 Ti përkundrazi do të kthehesh dhe do t`i bindesh zërit të Zotit dhe do të zbatosh në praktikë të gjitha urdhërimet që të porosit sot.
30:9 Zoti, Perëndia yt, do të sjellë shumë mbarësi në gjithë veprën e duarve të tua, në frytin e barkut tënd, në frytin e bagëtisë sate dhe në frytin e tokës sate; sepse Zoti do të kënaqet përsëri duke të të bërë të mirën, ashtu si u kënaq kur ua bëri etërve të tu,
30:10 sepse do t`i bindesh zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke respektuar urdhërimet dhe statutet e tij që janë shkruar në këtë libër të ligjit, sepse do të jesh rikthyer tek Zoti, Perëndia yt, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt.
Jeta ose vdekja
30:11 Ky urdhërim që të jap sot nuk është shumë i vështirë për ty, as shumë larg teje.
30:12 Nuk është në qiell, që ti të thuash: “Kush do të ngjitet në qiell që të na e sjellë dhe ta dëgjojmë, me qëllim që ta zbatojmë në praktikë?”.
30:13 Dhe nuk është matanë detit që ti të thuash: “Kush do të kalojë për ne matanë detit që të na e sjellë dhe ta dëgjojmë, në mënyrë që ta zbatojmë në praktikë?”.
30:14 Por fjala është shumë afër teje; është në gojën tënde dhe në zemrën tënde, që ti ta zbatosh në praktikë.
30:15 Shiko, unë vë sot para teje jetën dhe të mirën, vdekjen dhe të keqen;
30:16 prandaj unë të urdhëroj ta duash Zotin, Perëndinë tënd, të ecësh në rrugët e tij, të respektosh urdhërimet, statutet dhe dekretet e tij, që ti të jetosh dhe të shumëzohesh; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë në vendin që ti po shkon për ta pushtuar.
30:17 Por në qoftë se zemra jote shikon gjetiu dhe ti nuk bindesh dhe e lë veten të biesh përmbys para perëndive të tjera dhe t`u shërbesh atyre,
30:18 unë ju deklaroj sot që me siguri keni për t`u zhdukur, që nuk do t`i zgjatni ditët tuaja në vendin ku po gatiteni të hyni për ta pushtuar, duke kaluar Jordanin.
30:19 Unë marr sot si dëshmitarë kundër teje qiellin dhe tokën, që unë të kam vënë përpara jetës dhe vdekjes, bekimit dhe mallkimit; zgjidh, pra, jetën që të mund të jetoni ti dhe pasardhësit e tu,
30:20 dhe të mund ta duash Zotin, Perëndinë tënd, t`i bindesh zërit të tij dhe të qendrosh i lidhur ngushtë me të, sepse ai është jeta jote dhe gjatësia e ditëve të tua, kështu që ti të mund të jetosh në vendin që Zoti u betua t`u japë etërve të tu: Abrahamit, Isakut dhe Jakobit”.