Mikea 1

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Gjykimi kundër Samarias dhe kundër Judës

1:1 Fjala e Zotit që iu drejtua Mikeas, Morashtitit, në ditët e Jothamit, të Açazit dhe të Ezekias, mbretër të Judës, dhe i cili pati vegim rreth Samarias dhe Jeruzalemit.

1:2 Dëgjoni, o mbarë popuj! Kushtoji kujdes, o tokë, me tërë atë që ti përmban! Zoti, Zoti, qoftë dëshmitar kundër jush, Zoti, nga tempulli i tij i shenjtë.

1:3 Sepse ja, Zoti del nga banesa e tij, zbret dhe ecën mbi lartësitë e tokës;

1:4 malet shkrihen poshtë tij, dhe luginat treten si dylli para zjarrit, si ujërat që rrjedhin në një brinjë.

1:5 E tërë kjo për shkak të shkeljes së Jakobit dhe për mëkatet e shtëpisë së Izraelit. Cila është shkelja e Jakobit? Mos vallë Samaria? Cilat janë vendet e larta të Judës? A mos vallë Jeruzalemi?

1:6 Prandaj do ta katandis Samarian në një grumbull rrënimesh në fushë, në një vend për të mbjellë hardhi. Do t`i rrokullis gurët e saj në luginë dhe do të nxjerrë në shesh themelet e saj.

1:7 Të gjitha figurat e saj të gdhendura do të copëtohen, tërë fitimet e saj të prostitucionit do të digjen në zjarr dhe tërë idhujt e saj do t`i katandis në shkreti, sepse janë mbledhur me fitimet e prostitucionit, ato do të kthehen në fitime të prostitucionit.

1:8 Për këtë arsye unë do të nxjerr vajtime dhe rënkime, do të shkoj i zhveshur dhe lakuriq; do të nxjerr ankime angullima si çakalli, klithma të kobshme si të strucit.

1:9 Plagët e tij në fakt janë të pashërueshme, sepse kanë arritur deri në Judë, kanë arritur deri te porta popullit tim, në vetë Jeruzalemin.

1:10 Mos e shpallni në Gath, mos qani aspak në Beth-le-Afrah, rrotullohuni në pluhur.

1:11 Kalo tutje me lakuriqësi të turpshme, o banore e Shafirit; banorja e Tsaananit nuk del më; zija e Beth-Haetselit do t`ju heqë vendin mbi të cilin rri.

1:12 Banorja e Marothit me të drejtë hidhërohet, sepse një fatkeqësi ka zbritur nga ana e Zotit deri te porta e Jeruzalemit.

1:13 Lidhi kuajt te qerrja, o banore e Lakishit! Ajo ka qënë fillimi i mëkatit për bijën e Sionit, sepse te ti janë gjetur shkeljet e Izraelit.

1:14 Prandaj ti do t`i japësh një dhuratë lamtumire Moresheth-Gathit; shtëpitë e Akzibit do të jenë një zhgënjim për mbretërit e Izraelit.

1:15 Do të të sjell një trashëgimtar të ri, o banore e Mareshahut; lavdia e Izraelit do të arrijë deri në Adullam.

1:16 Pri flokët dhe rruaj kokën për shkak të bijve të kënaqësive të tua. Zgjero shogën tënde si huta, sepse ata do të shkojnë në robëri larg teje.

[previous][next]