Mikea 6

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Akuza e Zotit ndaj Izraelit

6:1 Ah, dëgjoni atë që thotë Zoti: “Çohu, mbro kauzën tënde përpara maleve dhe kodrat le të dëgjojnë zërin tënd”.

6:2 Dëgjoni, o male, kundërshtimin e Zotit, dhe ju themele të forta të tokës, sepse Zoti ka një kundërshtim me popullin e tij dhe dëshiron të diskutojë me Izraelin.

6:3 “Populli im, çfarë të kam bërë dhe me çfarë të kam lodhur? Dëshmo kundër meje.

6:4 Sepse unë të nxora nga vendi i Egjiptit, të çlirova nga shtëpia e skllavërisë dhe kam dërguar para teje Moisiun, Aaronin dhe Miriamin.

6:5 O populli im, mbaj mend atë që Balaku, mbreti i Moabit, kurdiste dhe si iu përgjigj Balaami, biri i Beorit, nga Shitimi deri në Gilgal me qëllim që ti të pranosh drejtësinë e Zotit”.

6:6 Me se do të vij përpara Zotit dhe do të përkulem përpara Perëndisë së lartë? Do të vij para tij me olokauste, me viça motakë?

6:7 Do të pëlqej Zoti mijëra desh ose mori rrëkesh vaji? Do të jap të parëlindurin tim për shkeljen time, frytin e barkut tim për mëkatin e shpirtit tim?

6:8 O njeri, ai të ka bërë të njohur atë që është e mirë; dhe çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti, përveç se të zbatosh drejtësinë, të duash mëshirën dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd?

Faji dhe ndëshkimi i Izraelit

6:9 Zëri i Zotit i thërret qytetit, dhe kush ka dituri do të njohë emrin tënd: “Kini kujdes për thuprën dhe për atë që e ka caktuar.

6:10 A ka akoma në shtëpinë e të pabesit thesare nga paudhësia, dhe efa të mangëta, që janë një gjë e neveritshme?

6:11 Mund ta shpall të pastër njeriun me peshore të pasakta dhe me qeskën me pesha të rreme?

6:12 Pasanikët e tij në fakt janë plot me dhunë, banorët e tij thonë gënjeshtra dhe gjuha e tyre nuk është veçse mashtrim në gojën e tyre.

6:13 Prandaj edhe unë do të të bëj të vuash, duke të goditur dhe duke bërë që të jesh i shkretë për shkak të mëkateve të tua.

6:14 Ti do të hash, por nuk do të ngopesh dhe uria do të mbetet brenda teje; do të vësh mënjanë por nuk do të shpëtosh asgjë, dhe atë që do të shpëtosh do t`ia dorëzoj shpatës.

6:15 Ti do të mbjellësh, por nuk do të korrësh; do t`i shtypësh ullinjtë, por nuk do të lyhesh me vaj; do të bësh musht, por nuk do të pish verë.

6:16 Ju ndiqni statutet e Omrit dhe tërë praktikat e shtëpisë së Ashabit, dhe ju ecni sipas këshillave të tyre, që unë t`ju katandis në një shkreti, dhe banorët e tu në një objekt talljeje. Kështu ju do të mbani turpin e popullit tim!”.

[previous][next]