Mikea 3

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Qortim dhe gjykim kundër krerëve dhe profetëve të rremë

3:1 Unë thashë: “Ah, dëgjoni, o krerë të Jakobit, dhe ju qeveritarë të shtëpisë së Izraelit: a nuk ju takon vallë juve të njihni drejtësinë?

3:2 Ju që urreni të mirën dhe doni të keqen, që ju hiqni lëkurën nga trupi dhe mishin nga kockat e tyre.

3:3 Ata hanë mishin e popullit tim, i heqin lëkurën nga trupi, i thyejnë kockat dhe e presin në copa sikur do të shkonte në tenxhere, si mishi që vihet në kazan.

3:4 Atëherë do t`i këlthasin Zotit, por ai nuk do t`u përgjigjet; në atë kohë ai do t`ua fshehë fytyrën e tij, sepse kanë qenë të këqij në veprimet e tyre.

3:5 Kështu thotë Zoti për profetët që e bëjnë popullin tim të largohet nga rruga e tij, që bërtasin: “Paqe”, po të kenë diçka për të kafshuar nëpër dhëmbë, por i shpallin luftë atij që nuk u vë gjë në gojë.

3:6 Prandaj do të keni net pa vegime, dhe do të keni terr pa shortari; dielli do të perëndojë mbi këta profetë dhe dita do të erret mbi ta.

3:7 Shikuesit do të mbulohen me turp dhe shortarët do të skuqen; do të mbulojnë të gjithë mjekrën e tyre, sepse nuk do të ketë asnjë përgjigje nga Perëndia”.

3:8 Unë përkundrazi jam plot me forca të Frymës së Zotit, me drejtësi dhe forcë, për t`i bërë të njohur Jakobit shkeljen e tij dhe Izraelit mëkatin e tij.

3:9 Tani dëgjoni këtë, o krerë të shtëpisë së Jakobit dhe qeveritarë të shtëpisë së Izraelit, që urreni drejtësinë dhe shtrëmbëroni çdo gjë që është e ndershme,

3:10 që ndërtoni Sionin me gjak dhe Jeruzalemin me paudhësi.

3:11 Krerët e tij gjykojnë për një dhuratë, priftërinjtë e tij japin mësim për një pagesë, profetët e tij kryejnë shortari për para; megjithatë mbështeten tek Zoti dhe thonë: “A nuk është vallë Zoti midis nesh? Nuk do të na bjerë në krye asnjë fatkeqësi”.

3:12 Prandaj, për shkakun tuaj, Sioni do të lërohet si një arë, Jeruzalemi do të bëhet një grumbull rrënimesh, dhe mali i tempullit një lartësi e pyllëzuar.

[previous][next]