Mikea 7

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Korruptim ekstrem dhe ligësi

7:1 Mjerë unë! Sepse jam si ata që vjelin frutat e verës, si ata që mbledhin rrushin e vitit: nuk ka asnjë vile për të ngrënë, shpirti im dëshëron një fik të parë.

7:2 Njeriu i përshpirtshëm është zhdukur nga dheu, midis njerëzve nuk ka më njerëz të ndershëm; të tërë rrinë në pritë për të derdhur gjak, secili gjuan vëllanë e vet me rrjetë.

7:3 Të dy duart e tyre janë të shtrira për të bërë të keq me zotësi; princi pretendon, gjyqtari kërkon shpërblime, i madhi shfaq lakminë e tij; kështu bashkarisht e prishin drejtësinë.

7:4 Më i miri i tyre është si një ferrishte, më i ndershmi është më i keq se një gardh ferrash. Dita e dënimit tënd po vjen; tani do të jetë pështjellimi i tyre.

7:5 Mos e besoni shokun, mos i zini besë mikut të ngushtë; ruaji portat e gojës sate përpara asaj që prehet mbi gjirin tënd.

7:6 Sepse biri turpëron të atin, bija ngre krye kundër nënës, e reja kundër vjehrrës, armiqtë e secilit janë ata të shtëpisë së tij.

Perëndia do ta rivendosë Izraelin dhe do të kryejë mrekulli të tjera përpara kombeve

7:7 Por unë do të shikoj te Zoti, do të shpresoj te Perëndia i shpëtimit tim; Perëndia im do të më dëgjojë.

7:8 Mos u gëzo me mua, o armikja ime! Në rast se kam rënë, do të ngrihem përsëri; në rast se ulem në terr, Zoti do të jetë drita ime.

7:9 Unë do të duroj indinjatën e Zotit, sepse kam kryer mëkate kundër tij, deri sa ai do të mbrojë kauzën time, dhe do vendosë drejtësi për mua; ai do të më nxjerrë në dritë dhe unë do të sodit drejtësinë e tij.

7:10 Atëherë armikja ime do ta shohë dhe do të mbulohet me turp, ajo që më thoshte: “Ku është Zoti, Perëndia yt?”. Sytë e mi do ta shikojnë me ëndje, ndërsa do ta shkelin si baltën e rrugëve.

7:11 Kur do të rindërtohen muret e tua, atë ditë kufiri yt do të zgjerohet shumë.

7:12 Atë ditë do të vinë te ti, nga Asiria dhe nga qytetet e tua të fortifikuara, nga qyteti i fortifikuar deri te Lumi, nga deti në det dhe nga mali në mal.

7:13 Por vendi do të katandiset në një shkreti për shkak të banorëve të tu, për shkak të frytit të veprimeve të tyre.

7:14 Kullot popullin tënd me shkopin tënd, kopenë e trashëgimisë sate, që rri i vetmuar në pyllin në mes të Karmelit. Le të kullosin në Bashan dhe në Galaad si në kohërat e lashta.

7:15 “Si në ditët që dole nga vendi i Egjiptit, unë do t`u tregoj atyre gjëra të mrekullueshme”.

7:16 Kombet do të shohin dhe do t`u vijë turp për tërë fuqinë e tyre; do të vënë dorën te goja, veshët e tyre do të mbeten të shurdhër.

7:17 Do të lëpijnë pluhurin si gjarpëri, si rrëshqanorët e tokës, do të dalin duke u dridhur nga vendet ku janë fshehur; do të kenë frikë nga Zoti, Perëndia ynë, dhe do të kenë frikë nga ti.

7:18 Cili Perëndi është si ti, që fal paudhësinë dhe e kapërcen shkeljen e mbetjes së trashëgimisë së tij? Ai nuk e mban përgjithnjë zemërimin e tij, sepse i pëlqen të jetë i mëshirshëm.

7:19 Atij do t`i vijë përsëri keq për ne, do të shkelë paudhësitë tona, Ti do të hedhësh në fund të detit tërë mëkatet tona.

7:20 Ti do t`ia tregosh besnikërinë tënde Jakobit dhe dhemshurinë tënde Abrahamit, siç iu betove etërve tanë qysh në kohërat e lashta.

[previous][next]