Osea 13

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Zemërimi i Zotit kundër Izraelit

13:1 Kur Efraimi fliste me të dridhura, e lartonte vetveten në Izrael, por kur u bë fajtor me Baalin, ai vdiq.

13:2 Tani vazhdojnë të mëkatojnë, dhe me argjendin e tyre kanë bërë një mori figurash të derdhura, idhuj sipas kuptimit të tyre, të gjitha vepra artizanësh. Për ta thuhet: “Njerëzit që ofrojnë flijime le të puthin viçat”.

13:3 Prandaj do të jenë si një re mëngjesore, si vesa që në mëngjes zhduket shpejt, si byku që e merr era nga lëmi, si tymi që del nga oxhaku.

13:4 “Megjithatë unë jam Zoti, Perëndia yt, që nga vendi i Egjiptit; ti nuk duhet të pranosh tjetër Perëndi veç meje dhe nuk ka tjetër Shpëtimtar jashtë meje.

13:5 Unë të njoha në shkretëtirë, në tokën e thatësirës së madhe.

13:6 Kur kishin kullotë, ngopeshin; kur ngopeshin, zemra e tyre krenohej; prandaj më kanë harruar.

13:7 Kështu unë do të jem për ta si një luan, do të rri në pritë mbi rrugë si leopard;

13:8 do t`i sulmoj si një arushë që ia kanë marrë këlyshët dhe t`u çaj kafazin e kraharorit; do t`i ha si një luaneshë, bishat e fushave do t`i shqyejnë.

13:9 Ti je shkatërruar, o Izrael, sepse je kundër meje, kundër ndihmës sate.

13:10 Ku është tani mbreti yt, që të mund të të shpëtojë në të gjitha qytetet e tua? Ku janë gjykatësit e tu për të cilët thoshje: “Nëm një mbret dhe disa krerë”?

13:11 Të kam dhënë një mbret në zemërimin tim dhe ta mora përsëri në tërbimin tim.

13:12 Paudhësia e Efraimit është mbyllur në vend të të sigurt, mëkati i tij mbahet i fshehur.

13:13 Dhembje grash që lindin do të vinë mbi të. Éshtë një bir pa mend, sepse nuk duhet të qëndrojë gjatë në vendin ku dalin fëmijët.

13:14 Unë do t`i shpengoj nga pushteti i Sheolit, do t`i shpëtoj nga vdekja. O vdekje, unë do të jem murtaja jote. O Sheol, unë do të jem shkatërrimi yt. Pendimi është fshehur nga sytë e mi.

13:15 Edhe në rast se është frytdhënës midis vëllezërve të tij, do të vijë nga shkretëtira era e lindjes, do të ngrihet nga shkretëtira era e Zotit, atëherë burimi i tij do të thahet, gurra e tij do të shterojë. Ai do të plaçkitë thesarin e çdo ene të çmuar.

13:16 Samaria do të shkretohet, sepse ka ngritur krye kundër Perëndisë të saj. Do të bien nga shpata; fëmijët e tyre do të bëhen copë-copë dhe grave të tyre me barrë do t`u çajnë barkun”.

[previous][next]