Osea 9

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Gjykim mbi Izraelin që do të shpërndahet dhe do të mbetet pa bij

9:1 Mos u gëzo, o Izrael, për të ngazëlluar si popujt e tjerë, sepse je kurvëruar duke u larguar nga Perëndia yt; ke dashur pagesën e prostitutës në të gjithë lëmenjtë e grurit.

9:2 Lëmi dhe trokulli nuk do t`i ushqejnë dhe mushti do t`i lërë të zhgënjyer.

9:3 Ata nuk do të banojnë në vendin e Zotit, por Efraimi do të kthehet në Egjipt dhe në Asiri do të hanë ushqime të papastra.

9:4 Nuk do t`i bëjnë më libacione vere Zotit dhe flijimet e tyre nuk do të pëlqehen prej tij. Do të jenë për ta si një ushqim zie; kushdo që do ta hajë do të ndotet, sepse buka e tyre do të vlejë për t`i mbajtur në jetë, nuk do të hyjë në shtëpinë e Zotit.

9:5 Çfarë do të bëni në ditët solemne dhe në ditët e kremtimit të Zotit?

9:6 Sepse ja, ndonëse i kanë shpëtuar shkatërrimit, Egjipti do t`i mbledhë bashkë, Mofi do t`i varrosë; gjërat e tyre të çmuara prej argjendi do t`i pushtojnë hithrat, dhe në çadrat e tyre do të rriten ferrat.

9:7 Kanë ardhur ditët e ndëshkimit, kanë ardhur ditët e shpagimit; Izraeli do ta mësojë. Profeti është një i pamend, njeriu i frymës flet përçart, për shkak të madhësisë së paudhësisë sate dhe të madhësisë së armiqësisë sate.

9:8 Roja e Efraimit është me Perëndinë tim, por profeti yt është një lak i gjuetarit të zogjve në të gjitha rrugët e tij; ka armiqësi në shtëpinë e Perëndisë së tij.

9:9 Ata u korruptuan thellë si në ditët e Gibeahut; por ai do ta mbajë mend paudhësinë e tyre, do të ndëshkojë mëkatet e tyre.

9:10 “Unë gjeta Izraelin si rrushi në shkretëtirë, pashë etërit tuaj si fiqtë e parë mbi një fik të ri. Por, mbasi arritën në Baal-peor, u dhanë pas poshtërsisë dhe u bënë të neveritshëm si ajo që ata donin.

9:11 Lavdia e Efraimit do të fluturojë si zog; nuk do të ketë më lindje, as barrë, as mbarsje.

9:12 Edhe sikur të rritin bijtë e tyre, unë do t`i lë pa ata, deri sa të mos mbetet më asnjë njeri; po, mjerë ata kur të largohem prej tyre!

9:13 Efraimi, duke shikuar nga Tiro, është vendosur në një vend të këndshëm; por Efraimi duhet t`ia çojë bijtë e tij atij që do t`i vrasë”.

9:14 Jepu atyre, o Zot… Çfarë do t`u japësh atyre? Jepu atyre një bark që dështon dhe gji të shterura.

9:15 Gjithë ligësia e tyre është në Gilgal; atje fillova t`i urrej. Për shkak të ligësisë së veprimeve të tyre do t`i dëboj nga shtëpia ime, nuk do t`i dua më; tërë krerët e tyre janë rebelë.

9:16 Efraimi është goditur, rrënja e tij është tharë; ata nuk do të japin më fryt. Po, edhe sikur të kenë fëmijë, unë do të bëj që frytet e dashur të vdesin që në bark.

9:17 Perëndia im do t`i hedhë poshtë, sepse nuk e kanë dëgjuar. Dhe ata do të shkojnë duke u endur midis kombeve.